E Diel, 1 Nëntor 2026

Heshtja vrastare e Edvinit, ish-servilit të djeshëm të Metës

Të vjetrit e politikës socialiste nuk e kanë harruar sjelljen prej kllouni që mbante Edi Rama, kur Ilir Meta ishte kryeministër. Sot ai po përpiqet të shuajë të shkuarën e vet, duke likuiduar konkurrentët e mundshëm brenda së majtës. Qendrimi i sotëm i parlamentarëve socialistë, provë nëse do t’i nënshtrohen zgjedhës së Edvinit, kur të hartohet lista e pritshme për zgjedhjet e ardhshme

Në ditën e shtatë të grevës së urisë së 10 deputetëve të LSI-së, mund të na vijnë më në fund edhe rezultatet e para konkrete. Kryetarët e grupeve më të mëdha parlamentare kanë paralajmëruar se do të kalojnë sot 100 e ca nenet e Kodit të ri Zgjedhor, i cili përcakton edhe modalitetet se si mund të konkurrohet në një sistem proporcional rajonal. Megjithatë, ende nuk e dimë se në cilën sallë do të mbahet votimi - gjithsesi i pazakontë - por dita e sotme spikat për një mungesë të madhe. Edi Rama s’ka thënë gjysëmfjale për grevën e 10 deputetëve, me shumicën prej të cilëve ka bashkëqeverisur prej vitesh, por që historia e marrëdhënieve të tij me Ilir Metën është edhe më pikantja. Duken të largëta ditët e 2001-it, kur Edi Rama merrte rolin e gaztorit në tryezat ku ndodhej kryeministri Ilir Meta, bile edhe kur ndodhej ndonjë ministër i afërt me të si Ndre Legisi. Pozicioni i përulur i kryetarit të bashkisë së Tiranës, pa asnjë personalitet politik, por i pajisur me përunjësi për të gllabëruar edhe më tej fonde e liri për të dhënë leje ndërtimi pa hesap, është kthyer në emblemë për të gjithë ata që kanë kujtesë politike e kanë qenë atëhere në llogoren e parë të politikës e të informacionit. Një kujtesë të trishtë të përulësisë së Edi Ramës ndaj Ilir Metës e konfirmoi këto ditë edhe Blendi Gonxhe, hija e atëhershme e Edvinit, i cili doli nga hija për të thënë se kishin bashkëpunuar shumë mirë me kryeministrin e që sot s’kishte kuptim që ndarja të shkonte kaq larg.
Por është bash kjo ndjesi e kujtesës kolektive që e bën Edvinin të ndihet keq në rolin e kryetarit të Partisë Socialiste, bash këta dëshmitarë duhet të zhduken nga skakiera politike; e kjo mund të ndodhë para së gjithash me konsumimin e hakmarrjes gjatë grevës së sotme. Edvini regjistroi rekordin e heshtjes për grevën e urisë së 10 deputetëve, ndërkohë që xhaketina të vjetra të partisë si Gramoz Ruçin e Valentina Leskajn i ka vënë në alarm që ta mbyllin sa më shpejt të jetë e mundur aferën e Kodit Zgjedhor. Atëhere qetësohet ish-servili i djeshëm i Ilir Metës, nxjerr në skenë autoritarizmin e vet partiak dhe nis e flet. Është një e folur pas heshtjes vrastare që ka mbajtur gjatë këtyre ditëve, një heshtje që ka qenë e motivuar kryekëput nga hakmarrja për profilin e ulët politik që Edvini ka trashëguar ai prej vitesh, si dhe për zmadhimin e vet, nëpërmjet servilosjes për kryeministrin e radhës, para se të merrte funksionin e kryetarit të partisë, krejt si një hienë që përfiton nga kufoma e ngordhur politike e paraardhësit të vet.
Sot Kuvendi pritet të miratojë Kodin e ri Zgjedhor me një konsensus të gjerë parlamentar, që i afrohet numrit të dy të tretave të kartonëve në parlament, megjithatë ai duhet ta ketë mendjen edhe tek heshtja vrastare e Edvinit. Ai po bën të gjitha përpjekjet për ta vrarë politikisht Ilir Metën, pasi kështu duket se varros edhe një pjesë të së shkuarës së vet politike, e mbushur me servilosje e afera jo fort të ndriçuara. Këtë garanci po përpiqet të blejë në parlament Edvini, edhe pa qenë vetë aty, ndërkohë që në betejën partiake ende s’ka ardhur koha për një spastrim të tillë. Lista bëhet më vonë e ndoshta greva të tjera urie na presin, por sot në parlament kemi një rast për të parë me sa qetësi po konsumohet heshtja vrastare e Edi Ramës. Është një përpjekje për të fabrikuar një të ardhme politike, duke konsumuar një hakmarrje për të shkuarën. S’ka motive më të ulëta sesa këto, prandaj edhe teksa mbështetet me të drejtë Kodi, si një reformim që i nevojitet demokracisë tonë, ende të pakonsoliduar, të majtët duhet të përpiqen si ta ndalojnë këtë heshtje vrastare, para se radha të lëvizë deri tek pengmarrja e krejt lëvizjes politike prej një “parvenu”-je që po qendron si shumë gjatë në politikë.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›