“Prania e një sërë kompanish franceze në Shqipëri, shenjë inkurajuese për investime të mëtejshme”
Kryeministri Berisha pret në takim ambasadoren e re të Republikës së Francës në Tiranë, Christine Moro
Kryeministri Sali Berisha theksoi dje nevojën për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike me Francën, ndërsa vlerësoi se, “prania e një sërë kompanish prestigjioze franceze në Shqipëri është shenjë inkurajuese për investime të mëtejshme franceze”.
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kryeministri Berisha priti sot në takim ambasadoren e re të Republikës së Francës në Tiranë, Christine Moro.
Pasi e uroi për detyrën e re, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmën e madhe që Franca dhe qeveria franceze i kanë dhënë e i japin Shqipërisë.
Kryeministri Berisha i bëri ambasadores një ekspoze të arritjeve dhe reformave që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në të gjitha fushat e që synojnë modernizimin dhe përmirësimin e kushteve sociale e ekonomike të vendit.
Ai e siguroi ambasadoren se integrimi evropian mbetet projekti më i rëndësishëm i qeverisë shqiptare, si dhe për angazhimin e saj në çuarjen përpara të reformave në këtë drejtim. Duke u ndalur te situata bllokuese e krijuar në dy vitet e fundit nga opozita, Berisha shprehu angazhimin e qeverisë për vazhdimin e reformave pavarësisht kësaj situate, si dhe gatishmërinë e saj për të tejkaluar këtë situatë me kompromis dhe vullnet të mirë politik që synon integrimin e vendit në Bashkimin Europian, si interesi më i mirë i qytetarëve.
Nga ana e saj, ambasadorja Moro i transmetoi Kryeministrit përshëndetjet më të përzemërta nga Presidenti Sarkozy, si dhe vlerësimin e qeverisë franceze për rolin që Shqipëria luan në kuadër të paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.
Ambasadorja franceze shprehu gatishmërinë për mbështetjen në kuadër të integrimit evropian nëpërmjet dhënies së asistencës dhe ekspertizës si në fushën e bashkëpunimit parlamentar, formimin dhe konsolidimin e administratës publike, në fushën e mbrojtjes, rendit publik, frankofonisë etj.