Raportimi zyrtar i INSTAT, eksportet rriten me 18.1 për qind, importet 6.2 për qind
Rezultatet më optimiste krahasuar me vitin 2009
Në Shkurt 2010 u eksportuan 11.3 miliardë lekë mallra, me rritje 18.1 për qind në krahasim me Janar 2010 dhe rritje me 50.5 për qind në krahasim me Shkurt 2009.
Gjatë kësaj periudhe u importuan 32 miliardë lekë mallra me rritje 6.2 për qind në krahasim me Janar 2010 dhe ulje 4.2 për qind në krahasim me Shkurt 2009.
Defiçiti tregtar i këtij muaji është 20.7 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 0.7 për qind, krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 20 për qind krahasuar me Shkurt 2009.
Tregtia me vendet e Bashkimit Europian është 68.3 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 59.7 për qind dhe importi 29.4 për qind, ndërsa me Greqinë, eksporti është 5 për qind dhe importi 11.9 për qind.
Krahasimi me muajin paraardhës: Eksporti i grupit “Materiale ndërtimi dhe metale” u rrit 58 për qind, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 36.8 për qind, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit 33.8 për qind, etj.
Ndërsa eksporti i grupit “Produkte kimike dhe plastike” u ul 27.3 për qind, etj. Importi i grupit “Prodhime druri dhe letre” u rrit 25.9 për qind, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit 20 për qind, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 13.4 për qind, etj. Ndërsa importi i grupit “Materiale ndërtimi dhe metale” u ul 5.8 për qind, etj.
...