Fokus/Edvini vijon mbledhjen e gjysmë-tryezave me gjysmë-aleatët e mbetur
Edi Rama ka vijuar dje gjysma-tryezat e tij, me gjysmë-aleatët që i kanë mbetur. Duke i etiketuar këto tryeza, si “drekë pune”, radhën për të raportuar dje para kryetarit të PS-së kishin krerët e PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe atë të PSV 91, Petro Koçi. Mësohet se Dule dhe Koçi, nuk e kanë fshehur zellin për të dhënë mendimet e tyre lidhur me zhvillimet më të fundit politike, megjithëse, janë të sigurt që nuk do ua marrë askush në konsideratë. Duket këtë e ka kuptuar më herët edhe Paskal Milio, kreu i PDS-së, i cili edhe dje, e bojkoti “drekën e punës” së Edi Ramës.
Mësohet se vëmendja te reforma zgjedhore, si edhe propozimet e socialistëve mbi një çështje të tillë ishin pjesë e bisedës mes drejtuesve të majtë.
Javën e ardhshme, pritet që gjysmë aleatët e gjysmë opozitës, të bëjnë publike kornizën e përgjithshme të propozimeve të saj mbi reformën zgjedhore, së bashku me një projektrezolutë për integrimin e vendit. “Më 18 tetor do të diskutohet qëndrimi i opozitës pas publikimit të progres-raportit të Komisionit Evropian. Do të bëhet një sintezë për propozimet e opozitës, si është pritur integrimi e ku po shkon ky proces, si edhe do të miratojmë edhe një kuadër parimesh për reformën zgjedhore”, u shpreh në përfundim të tryezës, koordinatori i këtij koalicioni, Preç Zogaj.