E Diel, 1 Nëntor 2026

Stefan Fule: Prisnim më shumë nga klasa politike e Shqipërisë – domosdoshmëri nisja e dialogut politik

12-10-2011 / Gazeta 55

Stefan Fule bën publike nga selia e Bashkimit Evropian në Bruksel, vlerësimin e progres - raportit të KE, për vendet që aspirojnë të aderohen në BE, mes tyre dhe Shqipëria. Komisioneri për Zgjerimin thekson se “progresi i kufizuar” i Shqipërisë vjen si rrjedhojë e ngërçit politik dhe bojkotit të Kuvendit nga një pjesë e spektrit politik. Fule deklaron se për “statusin e vendit kandidat”, është koha e nisjes së dialogut politik dhe miratimit të reformave deri në dhjetor të këtij viti, kohë kur mblidhet Këshilli i Ministrave të BE

UPDATE- “Progresin e kufizuar” në reforma zyrtari i lartë i Komisionit Evropian, Stefan Fule, ia faturon klasës politike, ndërsa nuk kursen kritikat ndaj mos miratimit të ligjeve dhe reformave në Kuvend. Komisioneri Stefan Fule bëri publike sot nga Parlamenti Evropian në Bruksel vlerësimin e progres - raportit të KE, për vendet që aspirojnë të aderohen në BE, mes tyre dhe Shqipëria. “Do doja të shikoja më shumë progres. Vitin e kaluar përcaktuam 12 rekomandime, megjithatë progresi është penguar nga ngërçi politik dhe bojkoti parlamentar, pavarësisht përpjekjeve tona për të mbështetur progresin Evropian të Shqipërisë. Kohët e fundit kemi patur sinjale pozitive për rinisjen e dialogut politik. Më duhet të theksoj se është nevojë urgjente nisja e dialogut e të mbahej një nivel bashkëpunimi që do të lejonte progresin drejt BE-së”- u shpreh Fule, ndërsa apeloi zyrtarisht që “partitë politike të rifillojnë dialogun të ri-gjejnë pikën e bashkëpunimit mes tyre”. Komisioneri për Zgjerimin theksoi se ky vit është me rëndësi për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Ai vuri në dukje se “shumë vende kanë bërë reforma në administratën publike ndërsa ka inkurajuar disa vende të zgjidhin problemet që pengojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian”.
Duke iu referuar kërkesës së Kroacisë për marrjen e statusit kandidat, eurokomisioneri Fyle theksoi se ky shtet tashmë duhet të vijojë përgatitjet. Sipas tij Komisioni Europian do të vijojë më pas me monitorimin për sa i përket angazhimit të Kroacisë për procesin e integrimit. Gjithashtu eurokomisioneri Fyle ka propozuar gjithashtu hapjen e bisedimeve mes Malit të Zi dhe Bashkimit Europian. Fyle bëri një vlerësim për vendet kandidate të aspirojnë të nderohen në Bashkimin Europian. Lidhur me shtetin fqinj tonin, Mali i Zi duket se së afërmi do të nisin negociatat për marrjen e statusit kandidat. Për Turqinë Fyle tha se Turqia vazhdon të jetë kyçe për BE-në. Sipas tij, Turqia nuk duhet të fajësojë BE për mos nisjen e negociatave dhe se negociatat me Turqinë nuk kanë ecur. Ai tha se Turqia duhet të sqarojë katër pikat e rëndësishme. Progres raporti vlerëson se Turqia duhet të rishikojë marrëdhëniet me fqinjët, veçanërisht raportet me Qipron. Sipas Fyles, pika e katërt dhe më e rëndësishme është se BE mbështet Qipron. Lidhur me progresin e Maqedonisë, Fyle tha se KE po shikon hapjen e negociatave më këtë shtet, por natyrisht ka probleme me reformat dhe ka bërë një progres të kufizuar. Sipas komisionarit evropian, Maqedonia ka probleme me reformat në administratën publike, lirinë e shprehjes dhe korrupsionin. Për Kroacinë ai tha se respektohen të drejtat themelore dhe se Kroacia duhet të vazhdojë përgatitjet. Lidhur me Serbinë dhe Kosovën, Fyle kërkoi vazhdimin e bisedimeve dhe se për Serbinë marrëdhëniet me Kosovën, është kushti themelor. Fyle theksoi se në Bosnjë mos miratimi i disa reformave të rëndësishme kanë penguar vendin. “Duhet dialog në sistemin gjyqësor në Bosnjë”- tha ai.
Ndërkaq në strategjinë e vitit 2011 ai ka nënvizuar rëndësinë e forcimit të shtetit ligjor si dhe lirinë e fjalës në vendet e ballkanit Perëndimor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›