Fokus/Faraoni Mubarak, po rrezikon fronin?
Kohët e fundit Egjipti i “faraonit” Mubarak është gjendur mes një valë demonstratash popullore. Edhe pse këto protesta, para se gjithash në shikim të parë dukeshin se janë të drejtuara kundër sjelljes arrogante të forcave policore të vendit, në fakt kanë si qëllim goditjen e regjimit aktual dhe kërkesat për reforma rrënjësore politike. Në këto rrethana, aktivizimi në politikë i ish-drejtori të Agjencisë Atomike (AIEA), Muhamed El Baradeit dhe dalja në ndihmë të partive opozitare, si dhe përkrahja verbale e europianëve ndaj nismës së tij, dëften se në një të ardhme relativisht të afërt- ndofta - do të jemi dëshmitarë të ndryshimeve në skenën politike në Egjipt.
Siç e thamë, Egjipti kohët e fundit është duke u përballur me pakënaqësi dhe trazira masive nga ana e popullatës së saj. Protestat – sipas shtypit egjiptian - janë si rezultat i një liste të gjatë pakënaqësish si: kundërshtimi ndaj vazhdimit të gjendjes së jashtëzakonshme dhe i manaxhimit të vendit me ligje që kanë të bëjnë me këtë gjendje 30 vjeçare, me pretendime për shkelje të drejtave civile si dhe arrestime të shumta të qytetarëve, e posaçërisht aktivistët e lëvizjes radikale islamike (afër organizatës terroriste të Hamasit dhe Hezbollahut libanez) Vëllazërit Muslimanë (Ihvanul Muslimin) dhe partive opozitare, protestë ndaj manipulimeve permanente të zgjedhjeve në dobi të partisë në pushtet, kundërshtimet ndaj përpjekjeve të regjimit për zëvendësimin e Hosni Mubarakut nga djali i tij, Gamal Mubarak në postin e presidentit.
Gjatë protestave nëpër rrugët e qyteteve të Egjiptit aq shumë është përsëritur slogani “Mjaft më”, saqë ky slogan tashmë është shndërruar në një lëvizje politiko-sociale e quajtur “Keffaije”, të cilës i janë bashkuar një numër i madh i intelektualëve dhe aktivistëve të këtij vendi. Megjithatë, shkëndija ka qenë vdekja e të riut Khaled Said nga plagët e torturimeve të policisë egjiptiane në qytetin Aleksandria, çka rezultoi me reagime të ashpra në mesin e popullatës së këtij vendi, ndërsa në rrethanat aktuale nuk pritet vendosja e një qetësie në Egjipt. Rasti ka të bëjë me ngjarjen e 16 qershorit të këtij viti, ku forcat policore në një internet kafe, në qytetin Aleksandria arrestuan një djalë të ri dhe në mënyrën më brutale të mundshme filluan ta rrihnin përpara syve të qytetarëve dhe më pas u larguan në drejtim të panjohur. Pas dy orëve, forcat e rendit erdhën dhe djaloshin e hodhën përpara internet kafesë në gjendje gjysmë të vdekur. Sipas burimeve policore, bëhej fjalë për një djalë 28 vjeçar me emrin Khaled Said, i cili ishte i dyshuar për përdorim të lëndëve narkotike. Mirëpo, familjarët e të riut, pretendonin të kundërtën se Khaled Said ka poseduar informacione sekrete lidhur me korrupsionin financiar të forcave policore dhe ka dashur që të njëjtat të dhëna t’i publikojë në një web-faqe të internetit. Por, policia e Aleksandrisë i ka mohuar akuzat e familjarëve duke pretenduar se Khaled Said është marrë me shitblerjen e lëndëve narkotike dhe, pasi që është përballur me policinë, duke dashur t’i ikë arrestimit, ka gëlltitur lëndën narkotike dhe si
rezultat i kësaj është mbytur. Lajmi për vdekjen e Khaled Said, së pari u publikua në faqet e internetit dhe pastaj nëpër gazeta, ku dhe në qytetin Aleksandria u organizuan demonstrata në shenjë proteste kundër policisë së këtij rajoni. Për një kohë shumë të shkurtër, protestat u zgjeruan edhe në Kajro, kryeqytetin e Egjiptit, ku morën pjesë parti dhe grupe të shumta politike në vend.
Reagimi më i rëndësishëm në lidhje këtë ngjarje, erdhi nga Dr. Muhamed el-Baradei, ish drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, i cili qëndronte në fronin e parë të protestuesve. Në një ditë të premte, Muhamed el-Baradei ndërsa shoqërohej nga Imen Nur, kryetar i Partisë “Ghad” (Nesër) si dhe një numër i madh i partive opozitare shkuan në qytetin Aleksandria dhe pas takimit me nënën dhe anëtarët e tjerë të familjes së të vrarit, morën pjesë në faljen e namazit të së Premtes. Edhe pse forcat policore kishin bllokuar të gjitha hyrjet e rrugëve që çonin drejt xhamisë, por përsëri, me mijëra protestues kishin ardhur për të shprehur revoltën e tyre kundër politikave të qeverisë së
Mubarakut, si dhe për të kërkuar ndërprerjen e sjelljes së dhunshme të policisë dhe dënimin e përgjegjësve të krimit të Khaled Saidit. Vazhdimi i protestave duket se ka krijuar një konfuzion të thellë në regjimin e Hosni Mubarakut. Reagimet e para të policisë dhe autoriteteve gjyqësore ishin tepër të guximshme, por me përhapjen e protestave, autoritetet përgjegjëse nuk arritën të kontrollonin situatën dhe filluan të tërhiqen. Kështu që më në fund autoritetet gjyqësore bënë të ditur se prokuroria e Aleksandrisë ka ngritur akt padi penale kundër dy policëve me akuzë për ndalim të paligjshëm dhe torturim. Qeveria shpresonte se me këtë gjest të autoriteteve përkatëse të ulë tensionet dhe protestat e qytetarëve të revoltuar, por nuk ndodhi një gjë e tillë.
Një numër i konsiderueshëm i analistëve politikë janë të mendimit që Egjipti është në prag të ndryshimeve, megjithatë, akoma janë të paqarta metodat dhe përmasat e ndryshimeve. Hasan Nafe, profesor i shkencave politike në Universitetin e Kajros është i mendimit se regjimi aktual është duke vepruar njëlloj si gjatë ditëve të fundit të qeverisjes së Sadatit, ku skena e brendshme politike ishte kapluar nga një atmosferë anarkie dhe përplot nervozizëm. Ajo që është e sigurtë dhe shpresëdhënëse, është se partitë opozitare kanë gjetur një kornizë afrimi dhe bashkëpunimi, madje edhe lëvizja radiale islamike Vëllezërit Myslimanë ka marrë pjesë gjatë protestave të organizuara nga opozita.
Të gjitha këto zhvillime, së bashku me takimet e shpeshtuara të Muhamed El Baradeit me ambasadorët e SHBA dhe Europës, jep mundësin se vendet perëndimore, SHBA bashkë me BE, kanë ardhur në përfundim së vazhdimi i situatës aktuale nuk është në interes të vendit dhe rajonit në përgjithësi dhe se skena politike e Egjiptit ka nevojë për ndryshime rrënjësore në drejtim të demokratizimit, si kusht parimor për zhvillimin dhe përparimin e vendit.