Në përkujtim të 22 vjetorit të ekzekutimit nga regjimi komunist të poetit Havzi Nela
“Të mos dëgjosh këtë këmbanë don të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë” - Ismail Kadare.
Nuk mundem që të marr përsipër dhe të vlerësoj kontributin e atyre qindra e mijëra martirëve që ranë për liri, demokraci dhe kundër murtajës komuniste, duke bërë krahasimin se kush prej tyre ishte ai që e meriton më tepër se të gjithë pavdekësinë në memorien e kombit. Por mesazhi që dërgon me këto fjalë që i kam vendosur në krye të këtijë shkrimi Ismail Kadare, në përvjetorin e ekzekutimit të poetit të vargjeve të lirisë, më bën të mendoj se ndërmjet tyre mundet të dallojmë disidentin antikomunist, poetin e vargjeve të lirisë Havzi Nelën dhe askush më tepër se Ai nuk e meriton monumentin e tij në Tiranë. Kaluan plot 22 vjet nga dita e 10 Gushtit 1988, kur qyteti i vogël i Kukësit u gdhi me një pamje të trishtuar. Në njërin nga sheshet kryesore, komunistët kishin varur në litar poetin Havzi Nela. Një autor i huaj ka shkruar se, “është me të vërtetë fatkeqësi që njeriu të jetojë në një vend që është i pamëshirshëm ndaj njerëzve të aftë dhe që dallojnë”. Poeti ishte një njeri që dallonte dhe kjo ishte arsyeja që regjimi komunist e kishte vendosur në grykën e pushkës. Si demokrat, patriot dhe atdhedashës, ishte i pari që ndjente dëshirën për të qenë i lirë në një vend të lirë. Por fatkeqësisht poeti jetoi në një kohë që ishte e vështirë të jetonin martirët si ai. Jetoi dhe vdiq si hero në kohën e diktaturës komuniste, kur liria ishte afruar aq shumë. Havzi Nela e kishte filluar luftën ballëpërballë me regjimin komunist që në bankat e Gjimnazit të Tiranës në vitin 1959. Sipas kujtimeve të R.Pekës, një shok i tij i bankës, - “do të botohej një poezi e Havziut në gazetën “Rinia” në atë kohë, por që do të alarmonte Byronë Politike. Në shkollë erdhi Rrapo Dervishi që pasi mbajti një fjalim para kolektivit të shkollës për “këtë veprimtari armiqësore”, Havzi Nelën e përjashtuan nga shkolla në vitin e dytë”. -Edhe në këtë gjendje, Havziu e përballoi me burrëri këtë goditje që po i jepte regjimi kundër të cilit do të luftonte deri në vdekje. Ai nuk do të pushonte përpjekjet për t’u shkolluar dhe mbaron me vendosmëri shkollën e mesme dhe atë të lartë.
Në atë ditë të nxehtë Gushti u ndodha në Kukës si sot 22 vjet më pare. Po shkoja në drejtim të agjencisë së autobusëve. Ecja ashtu i shkujdesur duke menduar se vështirë do të kishte vende në të vetmin autobus rrangallë që udhëtonte në drejtim të Krumës. Kur më del përpara syve një pamje makabër; një trekëmbësh dhe një njeri i varur në litar. Një parullë ku ishte shkruar me gërma kapitale “Havzi Nela, armik i partisë dhe i popullit”. Trupi i poetit lëkundëj mbi trekëmbësh nga një erë e lehtë që zbriste nga lugina e Drinit. Kalimtarët e rrallë largoheshin me vrap të tmerruar. Ramiz Alia, me kriminelët e tij komunistë, edhe në grahmat e fundit po kafshonin si egërsira trupin e Atdheut. U afrova por nuk mund të mbaja lotët. Më dukej se edhe Gjallica ishte përkulur në atë shesh ogurzi përpara trupit të pajetë të Havzi Nelës. Dy pika gjaku i zbrisnin buzëve të holla. Disa policë pis të zinj, lëvrinin si krimbat, të gufosur se diçka kishin bërë.
Unë e kam njohur Havzi Nelën në Krumë në vitin 1962. Kishte ardhur si mësues. Në Krumë, në vendin tim të lindjes, familja jonë jetonte në gjendje internimi dhe ca më keq akoma. Me mua njerëzit e kishin të ndaluar të flisnin. Sipas komunistëve unë isha i biri i armikut të popullit.Kishim qenë të burgosur, të internuar, ishim kulakë dhe mua nuk më lejonin të vazhdoja shkollën. Lexoja shumë libra, ishte i vetmi ngushëllim dhe prehje e imja. Në qendër të fshatit, atëhere ka qenë një bibliotekë e vogël, afër një mulliri, ku përgjegjës ishte Imer Muja, një djalë i ri me shpirt anti komunisti të cilin e kisha shum mik. Një ditë ai më njohu me Havziun. Filluam të bisedojmë dhe të shkëmbenim libra me njeri tjetrin. Trajtonim tema të ndryshme dhe u bëmë miq. I vinte keq prej meje, për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhesha dhe më jepte kurajo se ditë të mira do të vinin për të gjithë shqiptarët. Shpesh më recitonte poezitë e tij, ku pasqyrohej jeta e vështirë dhe falsiteti i propagandës komuniste nëpërmjet figurave letrare, me një mjeshtëri të rrallë, duke iu shmangur spiunëve që përgjonin kudo. Për një kohë të shkurtër në Krumë, Havziu kishte shumë miq. I sjellshëm me kolektivin e shkollës, i dashur me nxënësit e tij, mospërfillës ndaj pushtetarëve komunist, ishte mjaft superior karshi tyre dhe respektohej nga të gjithë shokët që e rrethonin. Por në të njejtën kohë dallonte edhe në mes të miqve të tij për thjeshtësinë dhe vlerat intelektuale. I pajisur me cilësi të jashtëzakonshme, shquhej për talentin e tij në politikë. Komunistët shikonin tek Havziu një “njeri të rrezikshëm”dhe me të vertetë atë mundet ta ndalonte vetëm vdekja në rrugën që kishte nisur, në rrugën e vështirë të lirisë dhe demokracisë. është i pari që ka shkruar poezi për Kartën e Helsinkit e të drejtave të njeriut, që në atë kohë njihej shumë pak nga shqiptarët.Më kujtohet se Havziu zbulonte kontradiktat në veprat e teoricienëve marksistë që aq shumë reklamoheshin në atë kohë. Engelsi –më thoshte Havziu-,në librin e tij “Origjina e familjes, pronës private dhe shtetit”, shkruan se me lindjen e familjes, pas komunitetit primitiv, lindi prona private. Prona private është e lidhur me familjen në atë mënyrë saqë pa prone private nuk mundet të ketë familje. Nga ana tjetër komunistët i kanë shpallur luftë pronës private, pra në të njejtën kohë luftë edhe familjes. Duan të na sprapsin prapa në disa mijra vjeçarë. Nuk ka për t’u ndërtuar kurrë socializmi, as komunizmi.Teoria marksiste është një utopi.-
Në vitin 1963 Havziu u largua nga Kruma. Më duket se e transferuan në fshatin e tij të lindjes në Kollovoz. Më vonë dëgjova se u dënua nga gjykata e Kukësit, pas arratisjes në Jugosllavi në vitin 1967. Qendrimi i tij burrëror përpara atij gjyqi famkeq, bëri jehonë dhe u end gojë më gojë, në Rrethin e Kukësit, Hasit, Tropojës dhe më gjërë.Në vijën e kufirit kur po kalonte për në Jugosllavi, kishte lënë një letër të shkruar me fjalët lapidare: “Shqipëri e dashur,po të lë me zemër të plasur”. Këtë letër pasi e kishin gjetur rojet e kufirit, kriminelët komunistë e kishin arkivuar në dosjen hetimore dhe po e përdornin si armë të fuqishme kundër poetit. Në fjalën e tij përpara gjyqit ai do të deklaronte se ishte antikomunist dhe kundërshtarë i vendosur i diktaturës.Prokurori do t’a akuzonte si bashkëpuntor të U.D.B.,por Havziu me guximin që tejkalonte kufinjt e qendresës i përgjigjet se “kjo është një gënjeshtër. Ju jeni bashkpuntorët e U.D.B.jugosllave.Komunistët serbë më dorzuan tek ju,se ju jeni bashkpuntorët e tyre”, do të deklaronte poeti në atë gjyqin që e denoi me 15 vjet burg. Sot pas 22 vjetëve, fjalët e poetit antikomunist bëjnë apel se dosjet duhen hapur. Këtu vertetohet katërcipërisht veprimtaria kriminale e ish-Sigurimit, e bashkëpunimit me UDB-në jugosllave në krime kundër popullit si në rastin e Havzi Nelës. Vitet kaluan. Poeti, përshkoi kalvarin e gjatë të vuajtjeve në burgun komunist. Do të ridënohej përsëri në burgun e Spaçit si njeri i betuar si armik i sistemit. Ish të burgosurit politikë në të katër anët e Shqipërisë, ata që kane ndarë në mes tyre kafshatën e bukës dhe vuajtjen, e kujtojnë me respekt djaloshin e vendosur në idealin e lirisë dhe të demokracisë. Ai u vra nga bisha komuniste në pragun e lirisë me 10 Gusht 1988, pikërisht atëhere kur ëndrra e poetit po bëhej realitet, kur akujt e diktaturës kishin filluar të shkrinin në të gjitha vendet e lindjes. Këtu në Shqipëri, kasta kriminale enveriste, me Ramiz Alinë në krye, bënin si gomari në ëndërr dhe nuk donin të pranonin shembjen e komunizmit. Krimineli Fehmi Abdiu, si për ironi i dekoruar me medaljen “Naim Frashëri të klasit pare” nga Presidenti i Republikës Moisiu, ka deklaruar se “dënimin me vdekje të Havzi Nelës e kam dhënë me ndërgjegje të plotë”. Po, xhelati komunist e vrau poetin me ndërgjegje komuniste.Me ndërgjegje vret ujku, gjarpri, kanibali, me ndërgjegjen e qenies që i takon. Sigurisht urdhëri për të vrarë poetin ishte i Ramiz Alisë, por ai që vret është njëlloj kriminel si ai që jep urdhërin për të vrarë. Ndërkohë një tjetër firmëtare e atij vendimit të kobshëm është edhe gjyqtarja e atëhershme Fatmira Laskaj, si për çudi edhe kjo e dekoruar nga Presidenti Topi “për merita të veçanta”. Një tjetër firmëtar që dërgoi në trekëmbësh poetin është Kristaq Rama, Babai i Edi Ramës që sot është lideri i Partisë Socialiste, hajduti “me cizme” në Bashkinë e Tiranës. Po a vritet poeti o njerëz, a vriten vargjet e lirisë? A mundet të ndalohej dielli që po lindtte në gjithe Europën? Ja këta ishin ata, xhelatët komunist medioker,që nuk besonin tek zoti dhe as demokracia. Armiqte e djeshëm të lirisë marrin dekorata nga Presidenti i Republikës. Mesazhet e Amerikës dhe Europës “për dënimin e krimeve të komunizmit” po injorohen në mënyrë sistematike duke rrezikuar seriozisht në rrugën e vështirë të demokracisë. Prandaj e majta ish komuniste e frikësuar dhe e terrorizuar nga “hapja e dosjeve”, ja dolën përsëri të injorojnë dhe të sabotojnë rezolutat e KE dhe rekomandimet e Amerikës dhe Europës, dhe hapjen e dosjeve ta fusin edhe njëherë tjetër në “kalendat greke” ligjin e lustracionit. Dhe kriminelët e djeshëm na thonë se ata “paskan zbatuar ligjet e kohës”. Por ne ish-të përndjekurit politikë u themi këtyre “konstitucionalistëve të pazëvëndësueshëm të shkollës staliniste”, se diktatatura ndryshon nga demokracia pikërisht në faktin se diktaturat kan ligje të shkruara që nuk zbatohen, por zbatohen urdhrat. Jo rastësisht Aranit çela kur dënonte njerëzit nxirrte mbi tavolinë “veprat e diktatorit”. Ndërkohë demokracia funksionon në zbatimin apsolut të ligjit
Poeti Petrit Palushi,i cili ka përgatitur për botim poezitë e Havzi Nelës, në parathënien e librit “Pa një ditë lumnije”, botuar në vitin 1996 shkruan se: “emisarët komunistë nuk kanë shfaqur as pendesën më të vogël për atë që kryen me mizori mesjetare. Janë monstra të tilla që kurrsesi nuk mundet t’i zërë gjaku”. Ndërkohë Kadareja shkruan për këto monstra se “janë nga raca që flenë me ndërgjegje të përgjakur”. Si bleta që mbledh nektarin e vyer në korijet me lule shum ngjyrëshe shpateve të malit të Gjallicës, Petrit Palushi ka mbledhur poezitë e Havzi Nelës,të shpërndara në fletore dhe në copa letrash të zverdhura nga koha. Në poezinë “Më mirë me mbyllë sytë”, nga burgu famkeq i Burrelit në vitin 1977, Havzi Nela shkruan në kulmin e dëshprimit:- “Më mirë me mbyllë sytëMë mire zemra t’më pushojëMë mire mos me pa më dritëKur harbuti t’më mundojë./
Poeti në birucën e ftoftë dhe me lagështi të burgut e kujton Nënën e tijë me poezinë:”Po o Nanë, po”. -“Po,o Nanë po, përsëri në emër të ligjit jam arrestueE duert m’i këthyen prapa policët e zinjNë hekur me tutjus m’i kan ngujue.Por poeti e gjen shpëtimin në kurajon dhe në luftën kundër diktaturës:-Deri kurë durim,deri kurë ma shpresëJo,jo, këto fjalë mos m’i thoni,këto fjalë nuk i dueMe durim dhe shpresë nuk dua të vdesSe jeta dhe vdekja duhën meritue.
Poeti si njeri me zemër të madhe nga qelia skëterrë e burgut,me mendjën dhe ëndërrën e tijë fluturon si zog i lire dhe i këndon me mall vendlindjes,i këndon lirisë;i këndon dashurisë që e kishte lënë të mjerë atje në Lumën e tij të dashur, gjen kohën dhe i këndon jetës që e deshi aq shum. Poetit i qanë zemra për Kosovën e robëruar në atë kohë. Në poezinë “Nusja e flamurit”, poeti shkruan:Lavdi çikës kosovareSi një shqerrë si një manareI del tankut i thot ndalRritet,ngrihet si një malPër Kosovën RepublikëLëshohem,ngjitem,nuk kam frikëJam shqiponjë me krahë e fletëEdhe ngjitem deri tek retë.
E gjith jeta e Havzi Nelës është përpjekja titanike e një poeti, e një intelektuali të pashoq në historinë tone kombëtare, një njeriu që luftoi gjithë jetën e tij kundër komunizmit si fatkeqësi kombëtare, për një Shqipëri të lire dhe demokratike. Nga ana tjetër, varja në litar e poetit në pragun e lirisë nga kasta kriminale e Ramiz Alisë, përbën rastin e vetëm makabër në të gjith Europën ish-komuniste. Historianët, intelektualët, institucionet shtetërore, Parlamenti i Shqipërisë, duhet të vlerësojë veprën e këtij heroi. Edhe sot 20 vjet pas rënies së komunizmit, kriminelët komunistë, ata që vranë Havzi Nelën dhe qindra e mijra të tjerë martirë të lirisë, nuk janë ndëshkuar dhe çfarë është më e çuditshme nuk kanë shfaqur as pendesën më të vogël për krimet e kryera kundër popullit. Jeta e Havzi Nelës plot vuajtje dhe sakrifica në emër të lirisë është një simfoni, një mesazh për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.Luma që e lindi është krenare për birin e sajë. Populli shqiptarë duhet të bëjë atë që të ulin kokën me turp kriminelët komunist që e vranë Havzi Nelën. Askush më tepër se ai nuk meriton monumentin e tij në qendër të Tiranës.