“Nuk duhet humbur më kohë për të nisur puna për reformën zgjedhore”
Specialistët apelojnë se reforma zgjedhore, duhet të jetë prioritet i punës së Kuvendit
Klasa politike nuk duhet të humbasë më kohë për të nisur punën për reformën zgjedhore. Sipas ish-kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kristaq Kume dy forcat e mëdha PD e PS janë në afatet limit për t’i bërë amendimet e nevojshme Kodit Elektoral, kohë kjo që për juristin Kume kushtëzohet dhe me dekretin e pritshëm të 8 shtatorit të Presidentit të Republikës për shpalljen e datës së zgjedhjeve lokale të 2011-ës.
“Po vijmë në afate ekstrem për realizimin e reformës zgjedhore. Referuar kërkesave të Kodit afati maksimal që Presidenti duhet të dekretojë zgjedhjet është 8 shtatori dhe zgjedhjet e ardhshme duhet të mbahen jo më afër se 30 ditë nga mbarimi i mandatit të vendorëve, afati i të cilave përfundon në 8 qershor të 2011-ës. Kjo kohë e mbetur në dispozicion për të bërë reformën zgjedhore është e limituar. Me fillimin e punimeve të kuvendit prioritet do të duhet të jetë reforma zgjedhore”, u shpreh Kume.
Deklarata e Kristaq Kumes vjen në një kohë kur interesi më i madh për të bërë një reformë elektorale gjithëpërfshirëse është shfaqur nga shoqëria civile. Ndaj për ish-kreun e KQZ-së, të diktuar nga nevoja për korrigjime në kod, përfaqësues të shoqërisë civile, por dhe partive të vogla të prekura nga Kodi aktual në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës, kanë parë të arsyeshme hartimin e një drafti me propozime konkrete, pika këto, që do të prezantohen dhe në komisionin e reformës zgjedhore në rast se dy partitë e mëdha do të bien dakord për ngritjen e tij. Këto propozime synojnë korrigjimin e sistemit zgjedhor dhe depolitizimin e administrimit të zgjedhjeve.
Rishikimi i së drejtës së partive politike për të zëvendësuar anëtaret e komisioneve të qendrave të votimit dhe atyre të numërimit është edhe kjo një pikë e përfshirë në amendimet përkatëse, sikundër dhe heqja e së drejtës së partive politike për të pranuar ose jo anëtarin e Kolegjit Zgjedhor. Rishikimi i së drejtës e ankimimeve, apo dhe ajo e penaliteteve ndaj shkelësve të Kodit Zgjedhor, është një tjetër pikë diskutimi. Ndërsa në lidhje me vlefshmërinë dhe numërimin e fletëve të votimit është parashikuar që ky proces të bëhet nëpërmjet skanimit dhe votimit elektronik.