Triumfi i vullnetit të lirisë, Serbia nuk mund ta fsheh historinë
Globalia Magazine/Kosova pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë
Mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës i hapi rrugë të reja shtetit të Kosovës, që të pres njohje të reja, të bëj hapa vendimtarë drejt anëtarësimit në OKB dhe jo vetëm kaq. Në fakt, shteti i Kosovës, pra, pas vendimit të GJND-së, fitoi legjitimitet të plotë ndërkombëtar, sepse, pikërisht në instancën më të lartë të një organi të drejtësisë ndërkombëtare, siç është GJND-ja, mekanizëm ky i OKB-së u dëshmua se, me rastin e aktit themelues të shtetit të Kosovës / Republikës së Kosovës / nuk ishte shkelur asnjë parim, asnjë standard i së drejtës ndërkombëtare. U ri dëshmua triumfi i lirisë së popullit të Kosovës, i cili, sikur edhe popujt tjerë të botës kishte të drejtë të luftonte për çlirim nga Serbia. Si rezultat i kësaj të drejte universale, populli i Kosovës, gjithnjë mbi parimet e së drejtës së popujve për vetëvendosje të fatit të vet, të lirisë së vet, të ardhmes së vet, pra, më 17 shkurt 2008 e themeloi shtetin e vet në tokën, Atdheun e të parëve. Popullit të Kosovës, pra, nuk i mjaftonte vetëm liria pa shtet, sepse, siç dihet nga historia, pa shtet nuk ka liri, nuk ka siguri, nuk ka të ardhme dhe prosperitet për asnjë popull. Realisht, mendimi i GJND-së, botërisht i dha, edhe një grusht politikës ekspansioniste, politikës koloniale të Serbisë, e cila politikë shtetërore, historikisht dhe në radhë të parë në raport me Kosovën dhe popullin shqiptar u dëshmua si politikë e robërimit të popujve dhe e pushtimit të territoreve. Përfundimisht, mendimi/ Lexo: Vendimi / i GJND-së për Kosovën, ligjërisht, mbi standardet e së drejtës ndërkombëtare e shembi mitin e rrejshëm serb për Kosovën, si “ djep i serbizimit”, si “ tokë serbe” etj. U dëshmua se, Serbia, ushtarakisht e fuqishme, me politikën koloniale të dhunës, të spastrimeve të vazhdueshme etnike e kishte mbajtur të pushtuar Kosovën dhe, që nga 1912 të skllavëruar popullin shqiptar.
Serbisë, popullit serb, veçmas udhëheqjes së Serbisë, përfundimisht dhe pa asnjë dilemë duhet t’i jetë e qartë se, në rastin e themelimit të shtetit të Kosovës, nuk bëhet fjalë për kurrfarë secesionizmi, separatizmi, shkëputje, ndarje, cenim të integritetit territorial siç vazhdon ta propagandoj këtë mashtrim, trillim, gënjeshtër udhëheqja serbe. Populli serb duhet ta njeh më mirë dhe me objektivitet historinë e vetë, dhe ta dijë se, dikur në historinë e largët, më 1804, Kryengritja e Parë serbe me liderin e saj, Karagjorgje Petroviç kishte synuar të realizonte secesionin unilateral të vendit nga Perandoria Osmane. Serbia, e dalë si shtet nga Kongresi i Berlinit / 1878 / gjithnjë me ndihmën e drejtpërdrejtë të Rusisë dhe pas humbjes ushtarake të Perandorisë Osmane në përbërjen e tërësisë së saj shtetërore, pra, tërësisë territoriale nuk e kishte pasur Kosovën, e cila ishte një nga katër vilajetet shqiptare të sunduara nga Perandoria Osmane. Nëse populli serb e harron, aq më keq, përpiqet ta fshehë historinë e vet të vërtetë, atëherë popujt deri dje të robëruar nga Serbia mund t’ia rikujtojnë të vërtetën për atë histori të pushtimeve, kolonive, spastrimeve etnike dhe të gjenocidit. Serbia, si shtet i pavarur, që nga viti 1878, e dalë vet nga vorbulli i popujve të robëruar iu bashkua popujve grabitqarë, duke pushtuar, gjatë luftërave ballkanike 1912-1913 fillimisht Kosovën dhe pastaj edhe Maqedoninë. Me ato pushtime, Serbia, populli serb, udhëheqjet e tij ua pamundësuan të drejtën e popullit shqiptar dhe popujve tjerë për ta përcaktuar vet fatin e të ardhmes së tyre. Mbi ato themele, të politikave grabitqare u ngritën të gjitha qeveritë serbe, që nga krijimi i Jugosllavisë së parë unitare më 1918, Jugosllavisë së Dytë to AVNOJ-it / 1943/ dhe sidomos politikat e Serbisë u frymëzuan me ardhjen në pushtet të Sllobodan Milosheviqit. Politikanët, akademikët serbë, por edhe vet populli serb do të duhej ta dinte se, Kushtetuta e re e Serbisë, në shtator 1990 e kishte shpallur “sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Republikës së Serbisë”, një vit para se Kroacia dhe Sllovenia ta shpallnin pavarësinë e tyre nga Jugosllavia. Sot, mjerisht, politika e shtetit serb në raport me çështjen e Kosovës, pra, edhe pas mendimit të qartë dhe të prerë të GJND-së, sipas të cilit vendim, delegatët e Kuvendit të Kosovës me aktin e themelimit të shtetit të Kosovës, nuk e shkelën të drejtën ndërkombëtare, madje as Rezolutën 1244, vazhdon të mos e pranoj,ta njoh atë mendim. Madje, udhëheqja e Serbisë me në krye presidentin, Tadiç e ka aktivizuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, paraqitjen e një projektrezolute të re të Serbisë me qëllim të kundërshtimit të mendimit të GJND-së. Rezoluta e re, e paralajmëruar serbe, po ashtu synon që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të marrë vendim pro rifillimit të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë.
Rezoluta 1244, de facto e tejkaluar/Ndërkohë, BE-ja, gjithsesi e gjetur në një situatë mjaft delikate, po bën përpjekje për të bashkërenduar qëndrimet me Beogradin zyrtar për ndryshimin në përmbajtjen e projektrezolutës të cilën, tani më Serbia e ka dorëzuar në OKB. BE-ja, përkatësisht zyrtarë të saj po insistojnë nga udhëheqja e Serbisë që ta njohë vendimin GJND-së në lidhje me Kosovën. Një numër i vendeve anëtare të BE-së dhe i Washingtonit zyrtar tani më ua ka bërë të qartë zyrtarëve të Serbisë se, vendimi i GJND-së e ka mbyllur çështjen e statusit të Kosovës, ndaj Beogradit i sugjerohet hapja e bisedimeve me udhëheqësit e shtetit të Kosovës për çështjet të interesit të përbashkët. Por, në rast se, në këtë pikë, pra të modifikimit të projektrezolutës të Serbisë nuk do të ketë marrëveshje, atëherë ka mundësi që sponsorues të projektrezolutës së dytë në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, do të mund të jenë, Shqipëria dhe ndonjë shtet tjetër anëtar i OKB-së.
Në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Prishtinë ndërsa mendojnë se, nga aspekti politik, rezoluta 1244 de facto është e tejkaluar, aq më parë kur, mendimi këshillëdhënës i GJND-së ka thënë shprehimisht: “Ky veprim i Kosovës / Shpallja e pavarësisë – A. Z ) nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare në përgjithësi, as rezolutën 1244 në veçanti”. Mendimi shumicë në Kosovë është se, duhet kërkuar Rezolutë të re për Kosovën nga KS i OKB-së. Argumentet janë më të ndryshme, por mbizotëron pikëpamja se, meqë GJND-ja e konsideroi akt legal shpalljen e pavarësisë së Kosovës, pra me kalimin e kohës, Kosova nga statusi i përkohshëm i parashikuar me Rezolutën 1244 kalon në një status të ri. Ndaj, vlerësohet se për statusin e ri të Kosovës duhet nxjerrë një rezolutë të re. Mendimi i GJND-së edhe pse është këshillimor dhe jo detyrues, megjithatë duhet të shndërrohet në mendim detyrues. Gjithsesi, udhëheqja e shtetit të Kosovës po i harmonizon, bashkërendon qëndrimet me aleatët e vet euro-perëndimorë. Rezolutat e reja ndërsa me karakter, përmbajtje detyrues i nxjerrë, i miraton vetëm KS i OKB-së. Në rastin më konkret, ndonëse vështir të realizueshëm për shkak të drejtës së vetos të Rusisë dhe të Kinës rezoluta e re, e miratuar me votën e 5 anëtarëve të KS të OKB-së do të duhej ta përmbante rekomandimin kryesor sipas të cilit, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ta pranonte Kosovën në familjen e shteteve. Këtë procedurë e parasheh neni 4 i Kartës së OKB-së. Në një zhvillim të tillë, të cilin e synojnë shteti i Kosovës dhe aleatët tanë perëndimor, miqtë tanë, pra edhe vendet e botës arabe Asambleja e Përgjithshme me votën e dy të tretave të anëtarëve të saj, do ta shpallte Kosovën anëtare të OKB-së. Rruga deri në atë vendim, deri në atë shpallje ndërkombëtare për shtetin e Kosovës është përplot sfida, por duke pasur parasysh se e drejta historike, etnike, ndërkombëtare është në anën e popullit të Kosovës atëherë triumfi i vullnetit të lirisë dhe i vetëvendosjes për Kosovën do të ngadhënjejë edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Shkrimi është botuar së pari në revistën “Globalia Magazine/ Intepedent Forum, Këln”