Ulen me 8 përqind çmimet e prodhimeve ushqimore

INSTAT konfirmon triumfin e prodhimit vendas
Instituti i Statistikave konfirmoi dje triumfin e prodhimit vendas. INSTAT publikoi dje rezultatet e studimit, lidhur me indeksin e çmimeve për muajin korrik dhe krahasimet me muajin qershor apo me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar
Sipas të dhënave të INSTAT, mësohet se janë ulur me 8 për qind çmimet e zarzavateve dhe prodhimeve të tjera ushqimore.
Duke u ndalur në shifrat e publikuara nga INSTAT, mësohet se çmimet e konsumit, në muajin korrik krahasuar me një muaj më parë shënuan ulje prej 0.5 për qind. Ndryshimi vjetor i çmimeve është 3.4 për qind.
Ndërsa çmimet e konsumit në muajin korrik shënuan një ulje prej 0.5 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm, qershor 2010, mësohet se ndryshimi vjetor i IçK-së në muajin korrik të këtij viti, krahasuar me muajin korrik të vitit të kaluar, është 3.4 për qind. Sipas INSTAT, mësohet se një vit më parë ky ndryshim ishte 2.2 për qind.
Shifrat zyrtare të publikuara dje nga INSTAT, bënin të ditur se Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një ulje prej 1.3 për qind. Brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 8.2 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të patëllxhanëve me 33.3 për qind, specave me 31.5 për qind, qepëve të thata me 26.0 për qind, domateve me 8.6 për qind, patateve me 9.8 për qind, kastravecëve me 4.7 për qind, etj. Edhe çmimet e nëngrupit “fruta” shënuan një ulje prej 3.3 për qind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të shalqirit, me 17.8 për qind, pjeprit me 12.5 për qind, dardhave me 7.8 për qind, kumbullave me 4.5 për qind, etj. Ndërsa çmimet e disa frutave te tjera shënuan rritje gjatë këtij muaji, ku mund të veçohet rritja e çmimeve të kivit me 4.0 për qind, limonëve me 2.5 për qind, portokalleve me 1.0 për qind etj.
Ulje të çmimeve pati dhe në disa nëngrupe të tjera të grupit “ushqime dhe pije jo alkoolike” si “fruta” 3.3 për qind; “peshk” 0.6 për qind”; “qumësht djath e vezë’ 0.2 për qind etj.
Ndërsa Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” ka shënuar një ulje prej 0.1 për qind, brenda të cilit çmimet e këpucëve shënuan një ulje prej 0.2 për qind.
Gjithmonë, sipas INSTAT, mësohet se Indeksi i grupit “Shëndeti” shënoi një rritje prej 0.2 për qind, ku mund të veçohet rritja e çmimeve të shërbimeve mjekësore me 0.2 për qind dhe medikamenteve me 0.1 për qind.
Rritje shënoi edhe Indeksi i grupit “pije alkoolike dhe duhan”, një rritje prej 0.2 për qind, brenda të cilit çmimet e pijeve alkoolike dhe çmimi i duhanit shënuan një rritje prej 0.2 për qind.
Gjatë këtij muaji çmimet e karburantit pësuan një rritje të lehtë krahasuar me muajin e mëparshëm dhe konkretisht: çmimi i naftës u rrit me 0.1 për qind dhe; çmimi i benzinës u rrit me 0.2 për qind.
Në grupet e tjera ndryshimet mujore variojnë nga -0.1 për qind në 0.1 për qind.
Tabela
Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike”
shënoi një ulje prej 1.3 për qind
Indeksi i grupit “Pije alkoolike dhe duhan”
shënoi një rritje prej 0.2 për qind
Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë”
shënoi një ulje prej 0.1 për qind
Indeksi i grupit “Transport”
nuk ka ndryshuar
Indeksi i grupit ”Shëndeti”
shënoi një rritje prej 0.2 për qind
Në grupet e tjera ndryshimet mujore
variojnë nga -0.1 për qind në 0.1 për qind.