E Diel, 1 Nëntor 2026

Humbet në Adriatik gomonia me 3 peshkatarë

Autori i Lajmit: red.
Zhduken në ujërat e Adriatikut për më shumë se 72 orë tre peshkatarë nga Vlora. Dëri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme policia ka mundur të kontaktojë me tre peshkatarët që janë gjallë dhe se gomonia e tyre, për shkak të detit të trazuar, është në ujërat e Malit të Zi. Por kërkimet nga ajri dhe nga toka nuk kanë mundur të lokalizojnë me saktësi gomonen dhe peshkatarët, të cilët duket se do ta gdhijnë dhe një natë në det të hapur. Shefi i Kapitenerisë së Portit të Vlorës, Anastas Goga, ka folur rreth mbrëmjes me një nga tre personat që gjenden në një gomone të rrezikuar. Goga kontaktoi përmes celularit me 43-vjeçarin Romeo Purizio, i cili i tha se arrinte të dallonte në distancë, tokë, por i paqartë ku ndodhej ekzaktësisht, ndërsa konfirmoi se bashkë me të, gjendeshin dhe dy personat e tjerë që e shoqëronin gjatë nisjes së peshkimit të dielën, me gomone. Deti i trazuar me dallgë me një forcë 6-7 ballë dhe era që fryn në drejtimin jug-veri ka vështirësuar më së shumti kërkimet.
Incidenti
Policia e Shtetit ka sqaruar përmes një njoftimi për shtyp se rreth orës 08.30 të ditës së djeshme, një banore nga qyteti i Vlorës ka njoftuar se bashkëshorti i saj, Romeo Purizio, 43 vjeç, gjendej në det të hapur me një mjet lundrues, së bashku me dy shokë të tij dhe dallgët po i çonin drejt Malit të Zi.
Kërkimet
Me të marrë informacionin nga strukturat e Policisë Kufitare dhe Migracionit është kontaktuar me celular me këtë shtetas, por nga ana e tij nuk ishte e mundur që të përcaktohej saktë vendndodhja, ndërkohë në telefonin celular dilte sinjali i telefonisë së Malit të Zi. Nga punonjësit e policisë është marrë kontakt dhe me familjarët e Romeo Purizios, të cilët deklaruan se ky shtetas ishte larguar nga shtëpia që prej ditës së diel, datë 18.01.2009, rreth orës 16.00 , duke u thënë se do të dilte për gjah me shokët.
Komunikimi i fundit që ata kanë pasur me Romeo Purizion ka qenë dje në mëngjes, kur ai u ka deklaruar familjarëve që gjendej në det të hapur me mjet lundrues, së bashku me dy shokë të tij dhe dallgët po i çonin drejt Malit të Zi. Për verifikime të mëtejshme dhe për t u ardhur në ndihmë këtyre qytetarëve, nga strukturat e Policisë së Shtetit, përkatësisht Departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit u mor kontakt menjëherë me Policinë Malazeze për të bërë të mundur fillimin e kërkimeve në ujërat e tyre. Po ashtu homologëve malazezë iu kërkua që të lejonin fluturimet në hapësirën e tyre tokësore dhe ujore të helikopterëve të Ministrisë sonë të Mbrojtjes. Në vazhdimësi po bashkëpunohet ngushtë dhe po shkëmbehet informacion dhe me Rojën Bregdetare. Krahas mjeteve lundruese të Rojës Bregdetare, të cilat kanë dalë për kryerjen e kontrollit, nga ana jonë u nxor në patrullim dhe një mjet lundrues i stacionit të Policisë Kufitare Shëngjin.

Alarmi “SOS”
Gomonia me tre persona në bord dha alarmin "SOS" në ujërat territoriale të Malit të Zi, në detin Adriatik. Kapineteria e portit të Durrësit bëri të ditur se gomonia mund të ndodhet rreth 35 milje larg bregdetit të Ulqinit. Policia bregdetare e Malit të Zi ka ndërrmarë një operacion kontrolli të ujërave territoriale, por deri tani nuk është identifikuar vendndodhja e gomones. Mësohet se ujërat territoriale po kontrollohen edhe nga lart, nëpërmjet një helikopteri. Kapiteneria e Portit të Durrësit konfirmon se policia bregdetare e Malit të Zi vazhdon të mbajë kontakte telefonike me njërin nga personat në bordin e gomones. Personat që ndodhen në gomone kanë njoftuar se arrijnë të shikojnë në det një target, i cili mendohet se është i linjës Ankona-Durrës. Kapiteneria e portit të Durrësit i ka dhënë urdhrin kapitenit të tragetit të ndërpresë udhëtimin dhe të mbikëqyrë zonën. Deri tani nuk ka asnjë shenjë të gomones, ndërsa ujërat po kontrollohen edhe nga një motovedetë dhe helikopter malazez. Edhe kërkimet me radarë nuk kanë dhënë deri tani asnjë shenjë për vendndodhjen e gomones.

Ora 11:20
Tre persona në bordin e një gomonie, të cilët kishin dalë për peshkim të dielën, më 18 janar, janë zhdukur në ujërat e Adriatikut. Bashkëshortja e njërit prej personave që ndodheshin në bordin e gomones, Romeo Pulizi, ka njoftuar sot rreth orës 12: 30 minuta kapitenerinë e portit të Vlorës për moskthimin e bashkëshortit të saj.

Ora 15:00
Gomonia me tre persona në bord dha alarmin "SOS" në ujërat territoriale të Malit të Zi, në detin Adriatik. Të dhënat e fundit janë nga kapineteria e portit të Durrësit. Policia bregdetare e Malit të Zi ka ndërrmarrë një operacion kontrolli të ujërave territoriale, por deri tani nuk është identifikuar vendndodhja e gomones.

Ora 16:10
Identifikohen emrat e dy peshkatarëve të tjerë. Përveç Romeo Pulizit, që telefonoi në portin e Vlorës se ka humbur bashkë me 2 peshkatarë të tjerë gjatë lundrimit me gomone, në të ndodhen edhe Sotir Golaj e Niko Golaj, banorë të qytetit të Vlorës.

Ora 16:15
Operacioni kërkimor për 3 peshkatarët është intensifikuar me qëllim gjetjen e gomones para se të bjerë nata. Shtabi i Përgjithshem i Ushtrisë Shqiptare ka urdhëruar brigadën ajrore për gjetjen e gomones. Një helikopter ushatarak po vëzhgon mbi ujërat e Adriatikut për të zbuluar ndonjë gjurmë.

Ora 16:50
Një nga peshkatarët ka kontaktuar me telefon vëllanë e tij që ndodhej në kapitenerinë e Vlorës. Peshkatari Romeo Pulizi ka folur më pas direkt me shefin e kapitenerisë, Vlorë, Anastas Goga. Peshkatari ka bërë me dije Gogën se ndodhen ende në ujërat e Malit të Zi dhe se rreth e rrotull tyre ka mjegull.

Ora 17:05
Policia e Shtetit bëri të ditur se është kontaktuar me celular me një nga peshkatarët, por nga ana e tij nuk ishte e mundur që të përcaktohej saktë vendndodhja, ndërkohë në telefonin celular dilte sinjali i telefonisë së Malit të Zi.

Ky lajm është publikuar: 21/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›