Topalli e ftuar e veçantë në ceremoninë e betimit të presidentit Obama

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ndodhet në Uashington, për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Presidentit të 44-të të SHBA-së, Barack Obama, ka qenë e ftuar e veçantë e kongresmenit Bill Hanbury, në darkën festive të organizuar prej tij për këtë rast. Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, kongresmeni Hanbury, priti Kryetaren e Kuvendit në mjediset e Muzeut të Artit amerikan, Smithsonian, vend ku kishte zgjedhur të organizonte këtë darkë madhështore. Në këtë eveniment ka qenë i ftuar Presidenti Obama, i cili do të bëjë betimin në Capitol hill në 20 janar, në mesditë. Presidenti i zgjedhur amerikan ishte i pranishëm dhe përshëndeti dhe darka të tjera festive, të organizuara nga kongresmenët amerikanë, të mbajtura në hotelet më me emër të Uashingtonit dhe në qendrat më të mirënjohura kulturore. Ceremonia e betimit të Presidentit të ri Obama, e cilësuar historike, ka ngjallur një interes të jashtëzakonshëm dhe ka sjëllë në Uashington, një numër rekord vizitorësh nga e gjithë SHBA. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë është gjithashtu e ftuar të ndjekë panelin, ku pritet të debatohet mbi sfidat dhe pritshmëritë e 100 ditëve të para të presidentit të ri amerikan, nga analistët dhe politologët më në zë të SHBA-së.
...