Fokus/Hipokrizia - Edvinin s’e ndal asnjë brengë njerëzore, tentoi të përdorë edhe grevën e minatorëve
Hipokrizi! Vetëm kjo fjalë i shkon për shtat reagimit të dy ditëve më parë të lidershipit të selisë rozë, Edi Rama, lidhur me grevën e urisë së 14 minatorëve të Bulqizës. Hipokrizi për disa arsye, njëra më e rëndësishme dhe më këmbëngulëse se tjetra. E para, minatorët ishin në grevë urie për 27 ditë me radhë, por nga ngrehina socialiste s’iu dëgjua zëri kujt, përveç disa palo-shkrimeve të deputetit Ahmetaj. Edi Rama, kryetari i opozitës dhe i presupozuari oponenti i pushtetit, s’ishte këtu, pra ai s’e ka kryer detyrën. Së dyti, Edi Rama flet si “kofini pas të vjelit”. Editoriali i tij është sa qesharak aq edhe i papërshtatshëm për vetë karakteristikat e situatës. “Dëshpërimin” dhe “zemëratën”, të gjitha këto maskime dhe justifikime banale, vijnë atëherë kur minatorët kanë pezulluar grevën e urisë si dhe janë në fazë normale negocimi me kompaninë që i ka pajtuar në punë. Sigurisht që, për këtë vetë-përfshirje të Ramës në këtë situatë pa situatë, mund të ketë diskutime dhe opinione nga më të ndryshmet, por primare mbetet pyetja e madhe se, ku ishte Edi Rama dje, pardje apo para një jave, kur minatorët kërcënonin edhe me vetëflijim? Pse ai tenton të krijojë përshtatshmërinë atëherë kur grevistët-minatorë lanë ambientet e ftohta të minierës, për marrë mjekimin e duhur shëndetësor si dhe për t’u kthyer më pas, pranë familjeve të tyre? Por, editoriali i Ramës, i dyti brenda javës, ka kthyer pingpongun në PS. Deputetët që kundërshtojnë linjën politike të Edi Ramës e cilësuan traktin e radhës si një tjetër dashakeqësi dhe fatalitet të lidershipit të majtë. Çudinë më të madhe Edi Rama e shkakton me faktin se flet për politika ekonomike dhe praktikë të konsoliduar koncensionare, ndërsa nga ana tjetër i ka mbyllur dyert opozitës për të marrë pjesë në Kuvend, ku edhe bëhet diskutimi dhe hartimi i politikave kombëtare në interes të qytetarëve. Gjithçka është në dritë të diellit dhe gjithnjë e më shumë e kuptueshme se traktet e zeza janë aksion i planifikuar me qëllim përbaltjen e qeverisë, qytetarëve dhe investitorëve në vend. Ky aksion është dhe mbetet parathënia e programit të “vjeshtës”. Pra, opozitarizëm destruktiv, zvarritje të procesit të reformave dhe akuza, fyerje e sharje nga më banalet.