E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Policia e Shtetit me shërbim permanent. Situata e rendit dhe kriminalitetit në parametra normalë”

13-08-2012 / Gazeta 55

Flet drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj ka deklaruar se puna e policisë së Tiranës ka qenë profesionale e shkencore në kapjen e të dyshuarit për ngjarjen e ish-Fushës së Aviacionit, ku pas një tentative grabitjeje nga ana e dy personave mbeti e vrarë e ndjera Fatbardha Tafa dhe mbeti e plagosur motra e saj. Në një prononcim për mediat kreu i Policisë së Shtetit, Burgaj është shprehur se ngjarja do të zbardhet shumë shpejt: “Çështja është nën hetim për të kapur dhe bashkëpunëtorit, pas arrestimit të të dyshuarit kryesor A. Hoxha. Në këtë hetim janë angazhuar të gjitha strukturat e policisë, të cilat kanë shoqëruar brenda 24 orëve rreth 200 persona kontingjent krimi derisa kemi arritur të identifikojmë një autor të dyshuar me prova shkencore”, u shpreh Burgaj.
Sipas tij, në veçanti gjendja e kriminalitetit dhe në përgjithësi situata e rendit në vend është në parametra normalë me vitet e shkuara: “ krime të renda ndaj pronës (vjedhje me armë, shkatërrim të pronës private) kemi pasur 152 raste më pak se një vit më parë. Ndërsa krime të renda si vrasje janë më pak se sa një vit më parë. Për vjedhjet e vogla dua të theksoj se ky nuk është një fenomen i ri. Ka vite që ky fenomen që po luftohet dhe autorët janë arrestuar dhe do të arrestohen. Kemi pasur 40 vjedhje çantash në Tiranë. 54 vjedhje celularesh. 34 vjedhje varësesh. Është një fenomen shqetësues por i kontrollueshëm. Kemi 115 krime të zbuluara dhe 140 autorë të arrestuar. Disa prej tyre janë liruar nga gjykatat pasi janë të mitur” theksoi drejtori i Policisë së Shtetit.
Ndërsa në shkallë vendi shefi i Përgjithshëm i Policisë  nënvizoi dhe një herë se gjithçka  është në parametra normalë. “Policia e shtetit po mbulon me një shërbim permanent të gjithë vendin, duke kaluar me një shërbim të përforcuar në 11 orë. Natyrisht për sezonin turistik, masat e sigurisë janë për mbarëvajtjen e qarkullimit dhe të rendit. 21 mijë mjete që hyjnë çdo ditë në Shqipëri çka bërë të vështirë punën e Policisë rrugore, e cila duhet të përmirësohet në parandalimin e aksidenteve. Policia e shtetit ka qenë në shërbim të qytetarëve në 24 orë. Pala shqiptare në kufi ka bërë një punë të shkëlqyer duke shmangur radhët në kufi. Në 6 muaj kanë hyrë përveç qytetarëve të shumtë shqiptarë mbi 2 milion shtetas së huaj, përndryshe 118 mijë shtetas të huaj më shumë sesa një vit më parë. Ku 28 mijë qytetarë janë  amerikanë, 28 mijë anglez, 35 mijë italianë, 10 mijë anglezë, pastaj maqedonas, serbë”- nënvizoi Burgaj.
I pyetur nga mediat për  luftën ndaj trafikut të narkotikëve dhe  organizatave të krimit të organizuar drejtori përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj  është shprehur se “Lufta kundër krimit të organizuar është prioritet i Policisë dhe qeverisë, e cila ka deklaruar tolerancë zero ndaj krimeve në tërës, duke katërfishuar sidomos luftën kundër trafikuar të drogës. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me homologët për të aftësuar oficerët kundër trafikut dhe krimit të organizuar.  Një punë shumë e mirë është bërë me sekuestro të pasurive të vëna në rrugë të paligjshme. Tashmë jemi fokusuar në ekstradimet nga vendet e ndryshme, ku këtë viti kemi 100 të tillë, me një rritje prej 70 %. Në çdo rast do të vazhdojmë sekuestrimin e pasurive të paligjshme”, vijoi ai.
Ndërsa për çështjen e kultivimit të kanabis sativa, kreu i Policisë ka theksuar se “nuk është shtuar prodhimtaria e bimës kanabis sativa, por jemi aftësuar të kapim në kohë drogën e trafikuar. Kemi pasur avionë specialë për të identifikuar vatrat e kultivimit të bimës së drogës. Kemi gjetur 60 vatra të identifikuara dhe 300 parcela të identifikuara në zona të pika të larta, në Male”, përfundoi Burgaj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›