E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS humb betejën për Beratin

Autori i Lajmit: Suela Topi
Vendimi

Partia Socialiste humb betejën në Kolegjin Zgjedhor për qarkun e Beratit. Pas shqyrtimit të ankimimeve të bërë nga PS dhe G99, dhe të provave të paraqitura nga palët, Kolegji Zgjedhor në bazë të nenit 158 të Kodit Zgjedhor ka rrëzuar ankimimin e PS-së si të pabazuar në ligj. PS kërkonte rinumërim të votave në KZAZ-në nr. 1 dhe rivlerësim në KZAZ-në nr 2 dhe nr. 3. Por ajo që ra në sy në seancën e djeshme penale ishte fakti se PS nuk u përqendrua tek argumentimi i kërkesës së saj të rrëzuar nga KQZ por tek kërkesa e bërë nga dy anëtarët e KQZ-së, për rivlerësim dhe rinumërimin e votave në këto tre KZAZ të qarkut të Beratit. Seanca ka zgjatur rreth 3 orë, duke arritur më pas në vendimin e formës së prerë për rrëzimin e kërkesë padisë së socialistëve. Seanca u drejtua nga gjyqtarja, Dhurata Haveri. Të pranishëm ishin dhe deputetët Erion Braçe për PS dhe Lefter Maliqi për PD.
Vendimi
“Kërkesa e palëve paditëse, Partia Socialiste dhe G99 në bazë të nenit 158 të Kodit Zgjedhor është e pabazuar në ligj”. Me këtë argument gjyqtarja Haveri i ka dhënë fund pretendimeve të socialistëve për qarkun e Beratit. Gjatë seancës së djeshme plenare PS dhe G99 u paraqitën si palë paditëse, KQZ si palë e paditur ndërsa PD si palë e interesuar në këtë çështje. Seanca ka nisur pikërisht nga G99 e cila paraqiti pretendimet e saj për shkelje të procesit zgjedhor në tre Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve në qarkun e Beratit dhe për pasojë për rivlerësimin dhe rinumërimin e votave të këtij qarku duke kundërshtuar në këtë mënyrë vendimi nr. 562 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për miratimin e tabelës përmbledhëse për këtë qark. Avokati i G99 pohoi se KQZ e mbylli shqyrtimin e këtij ankimimi pa marrë parasysh provat ndërkohë që shkeli Kodin Zgjedhor sepse nuk mori parasysh as kërkesën e bërë nga dy anëtarë të Komisionit po me këtë objekt. Edhe përfaqësuesi i socialistëve, Arjan Salati i mëshoi pikërisht këtij fakti. Sipas tij Kolegji Zgjedhor duhet të rrëzonte vendimin e KQZ-së nr. 562 që pengoi rinumërimin e votave ashtu si u kërkua nga dy anëtarë të KQZ-së. Salati duke cituar nenin 138 pika 3 të Kodit Zgjedhor pohoi se dy anëtarë të KQZ-së kanë të drejtë të kërkojnë rinumërim dhe rivlerësim të votave. Por sipas tij shumica në Komision iu shmang kësaj kërkese duke ndërmarrë veprime në kapërcim të kompetencave të saj ligjore. “Kjo kërkesë është një e drejtë e pakushtëzuar, ajo njihet si pushteti i pakicës në KQZ. I kërkojmë Kolegjit Zgjedhor që të konstatojë pavlefshmërinë e vendimit nr. 562 dhe të lejojë hetimin administrativ në këto KZAZ”, - tha Salati. Argumenteve të tij iu kundërpërgjigj përfaqësuesja juridike e KQZ, Dëshira Pasku e cila pohoi se kërkesa e dy anëtarëve të KQZ-së nuk ishte e bazuar në ligj sepse neni 138/3 ku bazohej ajo bën fjalë për vota të individualizuara dhe të kontestuara dhe jo për tërësi votash. Për më tepër, shtoi ajo, nuk ka një kërkesë me shkrim të mbështetur nga dy anëtarët të arkivuar në KQZ. Pasku shtoi më tej se dhe kërkesa e socialistëve për rivlerësim dhe rinumërim votash ishte e pabazuar në ligj sepse nuk kishte asnjë provë që të vërtetonte pretendimet e tyre. Pasku pohoi se tabelat e rezultateve të 3 KZAZ-ve të kontestuara janë miratuar me 4 vota pro dhe nuk ka asnjë shënim kontestues në procesverbale apo në librin e protokollit. Edhe përfaqësuesit e PD-së mbështetën argumentet e Paskut ndërsa shtuan se tërheqja e PS nga akuza e saj fillestare tregon mungesën e provave. Ivi Kaso i PD-së pohoi se kërkesa për rivlerësimin e votave të pavlefshme për shkak të numrit të madh është absurde sepse e njëjta situatë ka qenë dhe në qarqe të tjera si Shkodër etj. Kolegji Zgjedhor administroi provat e paraqitura ndërsa rrëzoi kërkesën e PS-së për administrimin si provë materiale të regjistrimeve të KQZ u dy anëtarët kishin paraqitur pretendimin e tyre. Pas shqyrtimit të provave të administruara Kolegji Zgjedhor vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore si të pabazuar në ligj. Ndërkaq, dy ditë më parë PS fitoi betejën e parë në Kolegjin Zgjedhor pas ankimimeve të saj për parregullsi në procesin e votimit në KZAZ 19 në Fier.
Ky lajm është publikuar: 23/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›