Fokus/Ndër shokë, më i miri!
Pak kujt mund t’i kujtohet se ajo hapësira në hyrje të parazit të dikurshëm në Ulqin, e shndërruar tash së voni në parking veturash., me ardhjen e çlirimtarëve të rinj, decenie më parë ishte shndërruar në treg bagëtish. Tyrbja me ato rrethojat e hekurta që i kanë qëndruar kohës, me atë kupolën dhe do gurë të mëdhenj varresh që si çdo fëmije, gjithmonë më kanë nxitur kërshërinë, ende është aty, harruar dhe e braktisur. Për çudi edhe varri i Sabataj Cevit, dijetarit të shpallur profet që gati një shekull pas Perandorinë Osmane erdhi në këtë qytet ku la edhe kokën pas disa viteve në Kullën e Balshajve atje lart mbi Kala, ende është aty. Edhe ai i harruar, i mbuluar në barishte, siç thonë, në oborrin e një shtëpie aty afër. Në këtë hapësirë që ishte zgjeruar me rrënimin e objekteve tjera, rrethojat e tyrbes dhe gurtë e varreve me vite u shërbyen katundarëve për të lidhur bagëtitë ditëve të pazarit. Megjithatë, mbijetuan. Edhe pse gjurmët e kohës, dielli përcëllues, shiroku, murrlani, tërmetet, e mbi të gjitha pakujdesia kanë lënë gjurmë e veta. Jo vetëm këto por as monumente tjera në këtë qytet nuk kanë pasur fatin të ruhen dhe jo vetëm këto janë në këtë gjendje. Mu kjo hapësirë ku dikur ishte tregua i bagëtive, te tyrbja që duket si të ketë rënë gabimisht aty, në mesin e gjithë atyre automjeteve, më kujton shpesh një nga ato rrëfimet që s’të ndahen gjithë jetës. Si fëmijë, kisha dëgjuar një nga ato ndodhitë e Salihut, atij që ka vite që nuk është në mesin tonë por edhe pse për të vdekurit zakonisht flitet vetëm mirë, për te ende bëjnë përjashtim dhe vazhdojnë t’i përfliten “vakitë” . Sidomos ajo me Danin, një nga ato burrat më të nderuar dhe të respektuar në këtë qytet që dilte shpesh në treg dhe skish kush që se njihte dhe respektonte, si tregtarët ashtu edhe blerësit. Një ditë Salihut ia kishte vënë syrin një qengji dhe donte ta blinte. Kur kishte goditur pazarin me të zotin e qengjit, fut dorën në xhep por, i befasuar, i thotë se kuletën e kishte harruar. Por, s’ka problem, i thotë katundarit. Po e marr versi , ditën tjetër të pazarit ti sjell unë paratë. Jo more, si të ta jap veresi. Unë nuk të njoh, ia kthen katundari. Si, nuk më njeh, i përgjigjet Salihi me habi?! Veç ti s’më njohke, të gjithë këtu më njohin, vazhdon ai. Për besë, unë nuk po të njoh dhe s’mund të ta jap versi, ia kthe ai. Qe, Dani më njeh, pyete dhe të tregon kush jam, ia kthen Salihi tek qëndronte pranë Danit. Pash Zotin, Dan, çfarë burri është ky , se nuk po e njoh, e po më kërkon t’ia jap qengjin veresi, i drejtohet katundari. I gjendur ngusht, Dani që nuk mund ta thotë atë që mendon pasi Salihin e kishte përbri, ndalet pak dhe nxjerr e i thotë shkurt. Me aq sa unë e njoh, ndër shokët e vetë është më i miri,- i thotë, dhe pazari kryhet.
Megjithatë ditën tjetër të parazit katundari më kot sillej vërdallë, fytyrën e Salihut s’e shihte kund. Kalon edhe dita tjetër e pazarit,kalojnë ditë e javë, e Salihu nuk lajmërohet. Kur kishin kaluar edhe muajt katundari që kishte mbetur pa para por edhe pa qengj, një ditë e takon sërish Danin. Pa u përshëndetur mirë ia nis me fjalë të rënda. Se i kishte besuar fjalës së tij dhe se ai ishte shkaktari që ishte mashtruar. “Me mua e ke kot, se të kam treguar drejt por s’të kam faj unë që ti nuk e ke kuptuar. Asgjë nuk kam garantuar por pasi më pyete para tij, të kam thënë se “ndër shokët e vet është më i miri”. E shokët e tij a e di ti kush janë? Janë askushi! Nga ata që mos ta prefshin udhën! E për ta nuk më ke pyetur!- thuhet të ketë qenë përgjigja e Danit që edhe sot përflitet shpesh në Ulqin. Normalisht me sinonimet tjera si “më i miri ndër të këqijtë” e “ndër horrat, zotëria vetë” si përgjigje në situatat kur dikush të “lëvdon” e të përkëdhel me thera. Me semantikë të ngjashme ditë më parë foli edhe vetë ministri i MPJ-së. Në misionet diplomatike Kosova ka përzgjedhur stafin më të mirë dhe më të përgatitur Mbase jo me gjuhën e Danit. Dhe mbase jo pse pyetja i ishte bërë publikisht. Pa çka se si shpesh kanë nisur të na befasojnë me skandalet diplomatike si ai i Zagrebit apo Berlinit.. Mbase vërtet janë “më të mirët e më të përgatiturit...”
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Zëri”