E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PD s’ka refuzuar asnjë nga rekomandimet e ODIHR, Rama spekulon me reformat”

26-02-2012 / Gazeta 55

Eksperti demokrat në komisionin për reformën zgjedhore, Oerd Bylykbashi

Partia Demokratike deklaron dhe njëherë se mazhoranca nuk ka refuzuar asnjë nga rekomandimet e ODIHR-it, për përmirësimin e legjislacionit zgjedhor. Eksperti demokrat në komisionin për reformën zgjedhore, Oerd Bylykbashi, duke renditur 4 kapitujt e miratuar nga komisioni, thotë se deri tani në këto kapituj janë trajtuar rreth 20 rekomandime të ODIHR-it dhe se në asnjë rast Partia Demokratike nuk ka refuzuar ndonjë nga rekomandimet, siç ka pohuar ditët e fundit kreu i opozitës Edi Rama.
“Në gjykimin tim nuk kam konstatuar asnjë lloj ngërçi. Është surprizuese fanfara e ditëve të fundit e zotit Rama, i cili është lëshuar me vrull për të thënë se diçka e rëndë po ndodh. Kjo është keqdashje, keqbesim, për më të tepër është rënë dakord me zotin Rama që do të ketë një shtyrje përgjatë muajit mars”, u shpreh Bylykbashi.
Muaji mars do të jetë vendimtar për trajtimin e çështjeve më të nxehta të reformës, ku bën pjesë edhe riformatimin e administratës zgjedhore, për të cilën deri tani, sipas Bylykbashit, nuk ka asnjë propozim konkret nga ana e Partisë Socialiste. Por kjo nuk ka penguar palët të vijojnë punën dhe së shpejti pritet diskutimi në komision i dy kapitujve shumë të rëndësishëm, listave zgjedhore dhe numërimit të votave, për të cilat Oerd Bylykbashi thotë se jo vetëm ka marrëveshje me opozitën, por janë përfshirë edhe elementë të rinj, që shkurtojnë dhe bëjnë më transparent procesin e numërimit. Ajo ku nuk bien dakord palët është diskutimi qoftë edhe i përgjithshëm, siç kërkon zoti Rama, për prekjen e sistemit zgjedhor.
“Aq më pak ia vlen të diskutohet për sistemin, kur nuk është çështje e rekomandimeve. Kjo vetëm sa do të vononte punën e komisionit dhe do të nxirrte nga pista orientimin”, nënvizon Bylykbashi.
I pyetur se ku qëndron ngërçi në reformën zgjedhore dhe cilat janë çështjet që po zvarriten, bashkëkryetari socialist i komisionit për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri nuk citoi ndonjë çështje konkrete. E vetmja kërkesë e Gjiknurit ishte që ekspertët të punojnë me kohë të plotë. Ndërsa suksesin e reformës zgjedhore, Oerd Bylykbashi, që jep ekspertizë për Kodin Elektoral, prej më shumë se 10 vjetësh, e sheh tek vullneti politik i Edi Ramës për t’i qëndruar rekomandimeve të ODIHR-it.
“Diferencën do ta bëjë qëndrimi që do të ketë zoti Rama për çështje që ai mendon se janë të rëndësishme për të, por nuk janë rekomandime të ODIHR. Nëse Rama do të ketë vullnet politik, me mbylljen e këtyre rekomandimeve reforma do të jetë e suksesshme”, tha më tej eksperti demokrat në komisionin për reformën zgjedhore, Oerd Bylykbashi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›