E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca e BE: Vizat, punë e mbyllur, tani koha për statusin e kandidatit

Belgjika prezanton programin 6-mujor në krye të Bashkimit Evropian dhe e cilëson heqjen e vizave si një punë të mbyllur, sapo sapo ekspertët e KE-së të konstatojnë realizimin e kritereve. Shpresa edhe për një opinion pozitiv për marrjen e statusit të kandidatit, në vjeshtë të këtij viti

Kur kanë kaluar vetëm pak ditë nga kalimi i Presidencës së Bashkimit Evropian nga Madridi në Bruksel, është intensifikuar zëri i përfaqësuesve evropianë, për t’i dhënë fund ngërçit politik në Shqipëri. Ambasadori i Belgjikës në vendin tonë, me rezidencë në Sofje, Marc Mishelsen, gjatë prezantimit të 5 prioriteteve të presidencës belge të Bashkimit Evropian, bëri thirrje për bashkëpunim politik dhe çuarjen përpara të reformave të integrimit.
“Mazhoranca dhe opozita duhet të punojnë së bashku për të gjetur zgjidhjen e ngërçit politik përpara se KE të japë opinionin për Shqipërinë. Nga 5 prioritetet e presidencës belge për Bashkimin Europian, një ndër të cilët është zgjerimi i Bashkimit Europian, sipas traktatit të Lisbonës, ku sipas të cilit Ballkani Perëndimor ka të ardhme të qartë në BE”, u shpreh ambasadori belg.
Sipas tij, prioritetet e tjera janë dimensioni ekonomik, dimensioni social, Ekologjia, Drejtësia e çështjet e brendshme të familjes europiane.
Duke u ndalur në Shqipëri, ambasadori belg tha se ishte takuar me presidentin e vendit Bamir Topi, kryetaren e Parlamentit Jozefina Topalli e me kryeministrin Sali Berisha, të cilëve u kishte shprehur shqetësimin e Brukselit, për ngërçin e tejzgjatur politik në vend.
Ai tha se BE jep mesazhe të qarta për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme, duke ditur se muajt e vjeshtë, harku kohor tetor-nëntor dhe dhjetor janë të rëndësishëm porsa i takon aspiratave të integrimit, pasi në këtë kohë Komisioni Evropian jep opinionin për statusin kandidat dhe njëherazi Parlamenti Evropian akordon liberalizimin e vizave.
“Kam dhënë mesazhin se në mënyrë që të ketë ecje përpara na duhen sinjale pozitive. Kemi shprehur shqetësimin tonë për situatën politike në Shqipëri, ngërçin politik i cili ka nevojë për dialog. Në nëntor KE do të japë një opinion për Shqipërinë, ndërsa e të njëjtës rëndësi është dhe çështja e liberalizimit të vizave. Ndaj kërkojmë me ngulm, gjetjen e një zgjidhje dhe ecjen përpara me hapat drejt integrimit”, deklaroi para mediave dje në mesditë ambasadori Mishelsen.
Përballë gazetarëve i shoqëruar bashkë me ambasadorin e KE-së Helmut Lohan dhe ambasadorin spanjoll, Montobio, i deleguari i Brukselit bëri apel që kjo zgjidhje duhet të vijë para nëntorit, kur KE të ketë marrë opinionin për Shqipërinë.
“I bëj thirrje politikanëve që kam takuar të shikojnë këto çështje në mënyrë transparente dhe kushtetuese. Të punojnë së bashku si mazhoranca dhe opozita për të gjetur një zgjidhje nga kjo situatë. Kanë mbetur edhe disa muaj dhe shpresa jonë si përfaqësues të presidencës së BE se, është do të ketë sinjale pozitive”, u shpreh më tej ai.
Ambasadori belg vuri në dukje gjithashtu se palët politike duhet të mendojnë për implementimin e rezolutës së Parlamentit Evropian.
“Shpresoj që rezoluta të lexohet në mënyrë të kujdesshme nga udhëheqësit politik dhe partitë dhe kjo rezolutë të përdoret si baza për të ecur përpara”, vazhdoi më tej ambasadori belg.
Lidhur me liberalizimin e vizave, Marc Mishelsen tha se procesi ishte “teknik dhe jo politik” dhe vetëm pasi vendi të përmbushë “tre kushtet” e vendosura nga KE për Tiranën do të shikohet sesi do ecet papara.
“Mbeten tre kushtet që ka vendosur KE që duhen të përmbushen. Do të ketë një grup ekspertësh që do vijnë në Tiranë dhe do të vërtetojnë sa është arritur. Në bazë të kësaj do shikojmë si do ecim përpara. Nëse do ketë sinjal pozitiv kjo çështje do shkojë në një nivel tjetër pozitiv”, deklaroi ndër të tjera ambasadori i Belgjikës në vendin tonë, Marc Mishelsen.
Ndërkaq, gjatë takimeve të zhvilluara me krerët e lartë të qeverisë dhe shtetit, ambasador belg ka shprehur garanci të plotë për mbështetje në rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›