E Diel, 1 Nëntor 2026

“Përgjegjësit të nxjerrin mësime, ngërçi politik bllokoi statusin e vendit kandidat në BE”

12-12-2011 / Gazeta 55

Flet Fatos Fatos Nano, ish-kryetari i PS-së
 
Ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, në një intervistë për mediat komenton zhvillimet politike në Shqipëri. Ai flet për mos marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, rolin e qeverisë dhe opozitës në këtë proces, por dhe për marrëdhëniet e tij me Partinë Socialiste. Nano e cilëson si kohë të humbur bojkotin dhe bllokimin e parlamentit nga Partia Socialiste, veprim ky që solli refuzimin e statusit të vendit kandidat, për të dytin vit radhazi. Ish-kryeministri Nano bën thirrje për lënien mënjanë të inateve të vjetra, pasi siç shprehet ai, është koha për unitet politik me qëllim afrimin e vendit me aspiratën kombëtare të integrimit në Bashkimin Evropian. Ai komenton edhe çështjen e zgjedhjes së Presidentit në 2012-ën, ndërsa lë të hapur mundësinë për një kandisim të mundshëm si i pari i shtetit
 
Kam përshtypjen se kohët e fundit jeni disi i tërhequr nga politika aktive. Është e vërtetë kjo apo është thjesht një parapërgatitje për ndoshta një hap tjetër më të madh?
Më lejoni të them që është e lehtë të jesh i pranishëm në konfliktet e politikës shqiptare . Është e vështirë të tërhiqesh në distancën e duhur për të nxitur palët në konflikt, që të qetësohen, të gjejnë dhe rivendosin urat e komunikimit. Unë jam në Londër me ftesë të Institutit Evropian të Shkollës Ekonomike të Londrës (London School of Economics, LSE) për të folur për Shqipërinë, për të paraqitur vendin tim. Është e dobishme që të gjithë, të tërhequr ose jo, ta ndihmojnë Shqipërinë të prezantohet, të njihet, të bëhet tërheqëse dhe të gjejë sa më shumë partnerë në një moment kyç të rrugës së saj drejt Evropës së Bashkuar, kur edhe Evropa ka problemet e saj.
 
Kam përshtypjen se kohët e fundit keni një fjalor disi të kujdesshëm, shumë asnjanës, si një president në pritje. A e keni vendosur, do të kandidoni për postin e Presidentit në zgjedhjet e vitit të ardhshëm?
Unë dhe oferta që ju e shprehët në mënyrën tuaj profesionale jemi aty, me angazhimin dobiprurës për më shumë iniciativa dhe hapësirë bipartizane ose jopartizane, në politikën shqiptare dhe në komunikimin e saj me familjen evropiane, për të bërë të kundërtën e asaj që ka ndodhur për fat të keq, dy vitet e fundit, kur dhe kampet e majta dhe të djathta të Parlamentit Evropian, nisen të mbrojnë lojtarët respektivë, anëtarët përkatës të familjeve në debatin dhe konfliktin që solli ngërçin e njohur, që bllokoi dy herë rresht kërkesën e Shqipërisë, për t’u futur në rrugën e anëtarësimit të plotë. Dhe jam shumë i vëmendshëm, për të gjetur partnerët, në të dy kampet, që më në fund do ta bënin të qëndrueshëm prirjen që po shfaqet muajt e fundit, për të konkurruar me njëri-tjetrin, pa shkatërruar axhendën kombëtare të integrimit.
 
Shqipëria sërish edhe në samitin e fundit në Bruksel, nuk pati ndonjë zhvillim në kuadrin e integrimit në Bashkimin Evropian. Kryeministri Berisha thotë se fajin e ka opozita. Ju jeni në të njëjtën gjatësi vale me atë që thotë Berisha se fajin më shumë e ka opozita?
Unë besoj se jemi shumë vonë për të gjetur fajin. Unë besoj se secila palë e di përgjegjësinë e saj, dhe unë jam i bindur që asnjëra nga palët, nuk mund ta kryejë vetëm detyrën kombëtare të integrimit.
 
Kush ka më shumë faj nga të dyja palët... ?
Ky nuk mund të jetë një terren konkurrimi negativ. Pra, të dyja palët kanë potencialet, eksperiencën, përfaqësuesit e duhur dhe të pazëvendësueshëm. Këtë e tregojnë edhe rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri. Pak a shumë, elektorati është i ndarë përgjysmë, dhe Shqipëria nuk mund të hyjë me gjysma, as për shkak apo për faj të gjysmës së saj në Europë. Duhet të gjithë të vendosin duart, në formën që edhe fëmijët mbajnë njëri-tjetrin, që Shqipëria të mos humbë, në mjedisin e ngarkuar më shumë probleme që edhe ka edhe Bashkimi Evropian sot.
 
Si i keni marrëdhëniet me gjysmën tuaj politike, me Partinë Socialiste dhe me Ramën, të përkeqësuara, inegzistente apo i-relevante?
Kjo është njohur. Unë nuk mund t’i shtoj ndonjë gjë të veçantë. Nuk bëhet fjalë për një reagim personal, ndaj një investimi shumëvjeçar që është i pranishëm në reformimin dhe në sjelljen e së majtës në qeverisjen me rekordet përkatëse dhe në aftësitë konkurruese, që ajo ka shfaqur në politikën shqiptare. Besoj se është e mundur që të rivendosen të gjitha marrëdhëniet që bëjnë të mundur, jo vetëm riaktivizimin e vlerave konkurruese të së majtës në Shqipëri, por edhe kontributet e saj kombëtare në bashkëpunim me faktorë të tjerë të moderuar të politikës shqiptare, që do të përshpejtonin procesin e integrimit.
 
Ka shumë shikues të cilët mund ta shikojnë këtë intervistë dhe që thonë përsëri klasa e vjetër politike do të na drejtojë ne, edhe pas 20 vjet e ca pluralizëm. Ju si do u përgjigjeshit këtyre njerëzve që e kanë këtë lloj shqetësimi, pasi kam përshtypjen dhe ju ndoshta mund të më ndihmoni, se besoj se nuk ka ndonjë vend në Evropën Lindore, që ata drejtues që e filluan procesin e demokracisë të vazhdojnë të jenë sot e kësaj dite në pushtet ose të aspirojnë siç po aspironi edhe ju?
Nuk besoj se kjo mund të trajtohet në mënyrë kinematografike. Madje edhe në produksionet e Hollivudit, vlerësohen më shumë aktorët me eksperiencë, të cilët vërtet tërheqin publikun. Besoj se këtë e vendos vota, e vendos një publik i informuar dhe i vëmendshëm ndaj eksperiencës dhe ideve që çojnë vendin përpara. Dhe sidoqoftë le ta konsiderojmë si një shenjë vitaliteti, që Shqipëria vazhdon të përtërihet, duke siguruar një komunikim jo të keq midis brezave.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›