E Shtunë, 31 Tetor 2026

Folkloriku, qarqet nuk dorëzojnë programet

 

Kanë mbetur edhe dy muaj kohë, megjithatë organizatorët e festivalit Folklorik të Gjirokastrës, ende nuk e dinë se çfarë materialesh do të ngjiten në skenën e aktivitetit më të rëndësishëm popullor. Dje, në ambientet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, u organizua një takim, mes organizatorëve dhe përfaqësuesve të 12 qarqeve të vendit. Merrte pjesë dhe ministri Ardian Turku, e cili e vlerësoi këtë ngjarje si tepër të rëndësishme për "ruajtjen, mbrojtjen dhe propagandimin e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë shpirtërore, të kostumeve popullore, veglave muzikore, riteve, traditave, zejeve, etj, të krijuara prej shekujsh nga populli". Nga sa u diskutua, vihen re vonesa në përgatitjen dhe paraqitjen e programeve me materialet përkatëse. Aktualisht, në 12 qarqet është mbyllur faza e parë për prezantimin e tyre në Festivalin Folklorik Kombëtar, ndërsa nuk është mbyllur ende faza e dytë. Sipas Ministrit të TKRS, i cili njëkohësisht është dhe kryetar i komitetit organizativ të këtij festivali, faza e dytë duhet të përfundojë në fund të muajit korrik. Deri në këto momente kërkesat janë realizuar plotësisht vetëm nga qarku i Shkodrës, ndërkohë që Qarku i Elbasanit do të prezantohet më datë 17 korrik, Qarku i Gjirokastrës më 23 korrik dhe Qarku i Vlorës më 24 korrik. Qarqet e tjera si Korça, Fieri, Lezha, Kukësi, Dibra, Durrësi, Tirana dhe Berati ende nuk e kanë caktuar datën e paraqitjes së grupeve të tyre folklorike para Komisioneve Përzgjedhës. Festivali Folklorik do të zhvillohet në datat 24-29 shtator në Kalanë dhe Qendrën Historike të qytetit muze të Gjirokastrës, e cila tashmë bën pjesë në "Pasurinë botërore të njerëzimit", mbrojtur nga UNESCO. Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në vitin 1968. Pas këtij festivali në kalanë e këtij qyteti është zhvilluar rregullisht, çdo pesë vjet. Në vitin 1995 Festivali Folklorik Kombëtar u zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit dhe në vitin 2000 u rikthye përsëri në qytetin e Gjirokastrës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›