E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda: Më 21 korrik gjyqi i Aldo Bares

 

TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda cakton ditën kur do të nisë procesi gjyqësor në ngarkim të Aldo Bares, të akuzuar si kreu i "bandës së Lushnjës". Burime pranë kësaj gjykate bënë të ditur se në datën 21 korrik, ora 10:30, do të fillojë seanca gjyqësore për gjykimin e Alfred Shkurtit, të njohur dhe si Aldo Bare. Mësohet se dje dosja në ngarkim të Bares u tërhoq nga sekretaria e Krimeve të Rënda nga trupa gjykuese. Bare, i cili aktualisht ndodhet i arrestuar në Turqi, do të gjykohet te Krimet e Rënda nga një pesëshe gjyqtarësh të Gjykatës së Tiranës, të kryesuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari. Pak ditë më parë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë delegoi gjyqtarët Fatmira Hajdari, Artan Broci, Kreshnik Omari, Altin Abdiu dhe Sokol Tona në Gjykatën e Krimeve të Rënda për shqyrtimin e kësaj dosjeje. Delegimi i gjyqtarëve të gjykatës së kryeqytetit u bë pas veçimit të dosjes së Bares nga Enver Dondollaku në 29 maj të këtij viti. Pas ndarjes së dosjes lindi nevoja e një pesësheje të re gjykuese, por prej faktit se gjyqtarët e Krimeve ishin "konsumuar" në gjykimin në themel dhe në shqyrtime të tjera gjatë procesit të anëtarëve të tjerë të "bandës", krijimi i saj ishte i pamundur. Bare akuzohet për vepra të rënda penale, përfshi "vrasjen me paramendim" dhe "krijim organizate kriminale".                                           ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›