E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombinat, dy gjobëvënës në kërkim

 

TIRANE - Policia shpalli në kërkim dy persona, të cilët akuzohen se kanë shtrënguar me dhunë e kërcënime një 50-vjeçar për t'u dhënë 200 mijë lekë të reja në formën e gjobëvënies. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, të cilat thanë se është shpallur në kërkim Gazmend Hamidi, 50 vjeç dhe një person tjetër bashkëpunëtor i tij në grabitje. Sipas burimeve nga policia, mësohet se 50-vjeçari Hamidi në bashkëpunim me një person tjetër kanë kërcënuar një person me iniciale K.H., 50 vjeç, për të paguar 200 mijë lekë të reja. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në orët e mëngjesit të ditës së djeshme në Kombinat. Policia tha se dy personat kanë arritur të kërcënojnë të dëmtuarin, duke i marrë atij shumën e parave dhe më pas janë larguar. Por njëri prej autorëve është njohur nga i dëmtuari që denoncoi ngjarjen menjëherë në polici. Ndërkaq personi tjetër që ka kryer gjobëvënien ende nuk është identifikuar. Burime nga policia thanë se kanë shpallur në kërkim autorin e identifikuar të ngjarjes, ndërsa po punojnë për kapjen e tij dhe identifikimin e personit të dytë të implikuar në gjobëvënie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›