E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohen me kusht studentët e kapur me kartëmonedha false

 

TIRANE - Gjykata e Tiranës vendosi dje lirimin me kusht për 4 studentë të akuzuar për falsifikim monedhash dhe hedhjen e tyre në treg. Të rinjtë e arrestuar nga operacioni policor i strukturave të Antikrimit Ekonomik në tetor të vitit 2008, u gjykuan me gjykim të shkurtuar, ndërsa në përfundim gjykata vendosi pezullimin e dënimit të tyre për një periudhë 4-vjeçare. Veç kësaj në vendimin e gjykatës referuar neneve përkatëse të Kodit Penal është urdhëruar edhe kontakti që të rinjtë duhet të mbajnë me zyrën e Shërbimit të Provës, si edhe fakti që ata nuk duhet të shoqërohen me njëri-tjetrin. Sipas verdiktit të djeshëm të shpallur nga gjyqtari Petrit Çomo, i pandehuri Kliti Zyka, 20 vjeç, u dënua me 3 vjet e 4 muaj burg. Referuar vendimit të togave të zeza, të njëjtën masë dënimi morën edhe tre të pandehurit e tjerë Ervis Tosku, 23 vjeç, Shyqyri Dushku, 23 vjeç dhe Rogert Karai, 20 vjeç. Ndërkohë që gjykata urdhëroi "pezullimin e këtij vendimi" për të gjithë të pandehurit për një periudhë 4-vjeçare. Kushtet e gjykatës për këtë ishin kontaktet që ata duhet të mbanin me Shërbimin e Provës, moskryerja e veprave penale, vazhdimi i ndjekjes së studimeve si dhe mosshoqërimi me njëri-tjetrin. Gjykata urdhëroi që provat materiale që zotëronte gjykata, 45 kartëmonedha me prerje 20 euro, gjithsej 900 euro, të falsifikuara, të sekuestruara me një vendim gjykate të shkatërroheshin. Të rinjtë e liruar dje me kusht nga gjykata u arrestuan në 6 tetor të vitit të kaluar. Strukturat e hetimit Kundër krimit Financiar në Policinë e Qarkut të Tiranës, në bashkëpunim me specialistët e Task-Forcës së Krimit Financiar të Prokurorisë së kryeqytetit, kishin arritur të dokumentonin veprimtarinë e jashtëligjshme të të rinjve. Të rinjtë dyshoheshin se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin shpërndarë në treg në kryeqytet kartëmonedha të prerjes euro të falsifikuara. Pas arrestimit atyre iu sekuestruan 900 euro false.                          ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›