E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tetë liderët dakord: Bota të ngrohet vetëm 2 gradë

 

Grupi i Tetë ve-ndeve më të industrializuara në samitin e tyre në Itali kanë rënë dakort për herë të parë se ngrohja globale nuk duhet të kalojë dy gradë celcius. Ky është niveli që shihet nga shumë ekspertë si minimumi për të penguar ndryshime klimaterike të pakthyeshme. Sipas BBC, për të arritur këtë, udhëheqësit e G8-ës i kanë vënë vetes një objektiv ambicioz për pakësimin e gazrave të efektit serrë në masën 80 për qind deri në vitin 2050. Megjithatë, parashikohen bisedime të vështira me vendet dhe ekonomitë e mëdha në zhvillim si Kina dhe India. Gjendja mbetet e pasigurt dhe për stabilitetin ekonomik dhe financiar do të vazhdojë të ketë rreziqe të mëdha, ky është sinjali që vjen nga takimi i G8. Përfaqësuesit në takimin e G8, theksuan se do të vazhdojnë kursin e nisur për luftimin e evazionit fiskal dhe se në lidhje me këmbimin e informacioneve për çështje që lidhen me taksat, ka pasur përparime. Të një mendje janë pjesëtarët e takimit të G8 edhe në lidhje me temën e proteksionizimit. Masat kundër proteksionizimit, duket se janë urgjentisht të domosdoshme, sidomos pas raportit të OBT (ËTO) në të cilin përmenden shtete që kanë marrë masa proteksioniste duke mbyllur tregjet e tyre. Gazetat i kushtojnë disa artikuj dhe komente samitit të G8-s që po zhvillohet në Itali.
THE GUARDIAN komenton planin prej pesë pikash për të cilin kanë rënë dakord udhëheqësit e G8-s. Sipas kësaj gazete, ky plan synon të inkurajojë rritjen ekonomike përballë shqetësimit se ekonomia globale ka nevojë për ndihmë për të shmangur zhytjen më thellë në recesion. Gazeta shkruan se megjithëse drejtues të Fondit Monetar Ndërkombëtar thanë se e keqja më e madhe e recesionit kishte kaluar, FMN-ja miratoi parashikimin e G8-s se rimëkëmbja e ekonomive më të zhvilluara nuk do të fillojë deri në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm. "Udhëheqësit e G8-s i kërkuan Bankës Botërore që të nxjerrë raporte tremujore për vendet që marrin masa proteksioniste si kundërpërgjigje ndaj recesionit.
FINANCIAL TIMES shkruan se uniteti për çështjet e ekonomisë nuk është i lehtë. Sipas kësaj gazete, udhëheqësit e vendeve më të pasura të botës nuk arritën të bien dakord për një strategji të koordinuar për rimëkëmbjen e ekonomisë globale, për shkak të pikëpamjeve të ndryshme për procesin e rimëkëmbjes dhe hapat që duhen hedhur në të ardhmen. Megjithatë, kjo gazetë shkruan se udhëheqësit e G8-s ranë dakord për të vendosur kufizime të mëtejshme në nivelin e emetimit të gazrave që shkaktojnë efektin serë.
THE TIMES: "Udhëheqësit vendosin objektiva për ta vënë situatën e ngrohjes globale nën kontroll". Gazeta shkruan se për herë të parë Amerika dhe shtatë ekonomitë e tjera të zhvilluara të botës ranë dakord për të hedhur hapa që të mos lejojnë që temperatura mesatare të rritet më shumë se 2 gradë celsius deri në vitin 2050.
THE INDEPENDENT hapet me titullin "Shtetet e Bashkuara marrin një premtim të rëndësishëm për të ulur ndjeshëm emetimin e gazrave". Por, gazeta shkruan se nuk pritet ndonjë hap i mëtejshëm në këtë fushë në samitin më të zgjeruar të 17 vendeve, që do të mbahet të enjten për shkak se presidenti kinez u detyrua të kthehej menjëherë në Pekin për shkak të trazirave në provincën Xinjiang.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›