E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet tregtari në Tiranë

 

TIRANE - Një tregtar ka rënë pre e grabitjes nga një i ri pasditen e djeshme në kryeqytet. Burime të Policisë së Tiranës pohojnë se në telefonin e sallës operative është lajmëruar për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në një market pranë kryqëzimit të shkollës "Vasil Shanto". Pas kësaj një patrullë e komisariatit numër dy ka mbërritur në vendngjarje, ku pas verifikimeve ka dalë se një person i armatosur ka kërcënuar tregtarin duke e grabitur atë dhe më pas ishte larguar me vrap, duke mundur t'iu shpëtonte prangave. Por pas deklarimeve të para për grabitje të një shume të hollash dhe celularit, tregtari u ka dhënë policëve deklarime të tjera, duke e minimizuar dëmin e shkaktuar vetëm në vjedhjen e celularit. Për më tepër, tregtari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga policia, është tërhequr nga denoncimi duke pretenduar se nuk kishte telefonuar ai në polici dhe se nuk i kishte kërkuar ndihmë policisë për asgjë. Burime policore pas kësaj kanë pohuar se ndoshta tregtari e ka njohur grabitësin dhe është tërhequr nga denoncimi, ndoshta për ta zgjidhur çështjen në rrugë të tjera. Bashkë me këtë policia pohon se ka hedhur dyshimet se ndoshta viktima është trembur nga grabitësi dhe i ruhet ndonjë hakmarrjeje të mëvonshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›