E Diel, 1 Nëntor 2026

“Fond grantesh për bizneset punëkrijuese, PD linjë të re krediti për bizneset e vogla”

26-03-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha mesazh në rrjetin social “Facebook”

Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje, nëpërmjet një mesazhi në rrjetin social “Facebook”, se mirëpret sugjerimet në lidhje me atë që mund të mund të bëjë qeveria për biznesin e vogël, për të ndihmuar në rritjen e tij, për të krijuar më shumë vende pune dhe paga me të mira. “Kisha kënaqësinë të bisedoja sot në Bërzhitë, me pronarë të bizneseve të vogla punëkrijuese, menaxherë dhe punëtorë. Folëm për aktivitetin e tyre dhe për planin tonë për të vazhduar rritjen e biznesit të vogël, për të krijuar më shumë punë dhe paga më të mira”, shkruan kryeministri. Sipas kreut të qeverisë, “drejtimi i një biznesi të vogël është më pak i kushtueshëm sot, pasi paguhet gjysma e taksave dhe kontributi i punëdhënësve për sigurimet shoqërore është gjithashtu përgjysmuar. Nisma të reja si heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet, heqja e taksave mbi të ardhurat personale për pagat deri në 30 mijë lekë në muaj, si dhe heqja e çdo takse për tre vjet, për çdo të ri të punësuar e bëjnë më të lehtë për biznesin e vogël që të krijojë më shumë vende pune dhe paga më të larta. Tashmë, numri i bizneseve të vogla punëkrijuese në Shqipëri është rritur me 50% nga viti 2005 e këtej”. Kryeministri thekson gjithashtu se përpjekjet e qeverisë për nxitjen e zhvillimit të biznesit nuk do të mungojnë. Sipas tij, PD do të hapë një linjë të re kreditimi për bizneset e vogla. “Një fond grantesh do të ngrihet për të mbështetur me shumë bizneset punëkrijuese, sidomos ato artizanale, të drejtuara nga gratë dhe të rinjtë. Dhe Partia Demokratike do të hapë një linje të re kreditimi për bizneset e vogla, për të dhënë hua me interes të ulët për gratë biznesmenë dhe ato fillestare”, shkruan më tej kryeministri Berisha.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›