E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holanda mbështet integrimin e Shqipërisë në BE

26-03-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha takon Drejtorin e Përgjithshëm për Bashkëpunimin Europian në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Robert de Groot

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me Drejtorin e Përgjithshëm për Bashkëpunimin Europian në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Robert de Groot. Zyrtari holandez e risiguroi kryeministrin Berisha se Mbretëria e Vendeve të Ulëta do të vijojë të mbështesë Shqipërinë, si në kuadër të projekteve dypalëshe, ashtu edhe në përpjekjet e qeverisë shqiptare për të ecur me shpejtësi drejt anëtarësimit në BE. Nga ana e tij, kryeministri Berisha i theksoi Robert de Groot se qeveria shqiptare mbetet e vendosur të bëjë çdo përpjekje për të realizuar sa më parë këtë projekt madhor kombëtar, integrimin në BE, si e ardhmja më e mirë dhe me e sigurt për Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Duke u ndalur në zgjedhjet e ardhshme parlamentare kryeministri Berisha e njohu Robert de Groot me arritjet e rëndësishme për sa i përket përmirësimit dhe përditësimit të kuadrit ligjor zgjedhor, ku janë adresuar të gjithë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe amendimet e reja bazuar tërësisht në propozimet e opozitës. Kryeministri e njohu gjithashtu edhe me hapat e tjera të rëndësishme që janë realizuar në këtë aspekt, për sa i përket rritjes së numrit të qendrave të numërimit dhe të votimit, çka do të bëjë të mundur eliminimin e radhëve për qytetarët që do të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, por edhe shkurtimin e kohëzgjatjes për nxjerrjen e rezultateve. Kryeministri i kërkoi Robert de Groot që qeveria holandeze të inkurajojë dërgimin e sa më shumë vëzhguesve për të vëzhguar procesin e zgjedhjeve në Shqipëri, për të cilat kryeministri Berisha shprehu bindjen e thellë se bazuar në këtë kuadër dhe infrastrukturën solide, por edhe sistemin më të mirë të numërimit dhe më të sigurt që ekziston, do të jetë një proces shumë i mirë, konform standardeve ndërkombëtare. Duke theksuar rëndësinë e pranimit të rezultatit të zgjedhjeve kryeministri Berisha nënvizoi se elementi thelbësor i çdo politikani është dhe mbetet pranimi i verdiktit të qytetarëve, duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve demokratike. Më tej, biseda u ndal edhe në arritjet e rëndësishme që Shqipëria ka shënuar gjatë kësaj periudhe në shumë fusha, por në veçanti për sa i përket konsolidimit të shtetit ligjor. Kryeministri Berisha e njohu zotin Robert de Groot me arritjet e rëndësishme në luftën kundër krimit, të cilat kanë bërë që popullata e qendrave të vuajtjes së dënimit të rritet me 5 herë në Shqipëri, por edhe me reformat për sa i përket sektorit të drejtësisë si në fushën penale, ashtu dhe atë civile administrative dhe e siguroi zotin Robert de Groot se qeveria shqiptare mbetet tërësisht e vendosur për të konsoliduar edhe më tej këto arritje në Shqipëri. Zoti Robert de Groot e siguroi kryeministrin Berisha se Holanda do të dërgojë vëzhgues në kuadër të bashkëpunimit me OSBE-në dhe i uroi atij suksese në zgjedhjet e 23 qershorit.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›