E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fond kritikash

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka shfrytëzuar një konferencë për media të martën për të qëlluar edhe një hap të Kryeministrit Hashim Thaçi.

Kreu i Qeverisë, në një konferencë për media, ka shpallur se lufta kundër korrupsionit tash e tutje do të udhëhiqet nga ai, përderisa EULEX’i duhet vetëm të ndihmojë.

Këto deklarime të kreut të Qeverisë i ka kritikuar rivali më i ashpër politik i tij, Ramush Haradinaj, duke thënë se Thaçi nuk mund të shndërrohet në luftëtar kundër korrupsionit.

“Thaçi ka nisë të tallet me qytetarët e Kosovës. Ky dhe partia e tij që pak ditë më parë krijuan Fondin zyrtar për mbrojtjen e Ministrave të korruptuar në Qeverinë e Kosovës, tani na shpallen kryeluftëtarë kundër korrupsionit”, ka thënë Haradinaj.
Lideri i AAK’së ka thënë se Kryeministri aktual i vendit pas takimit me Kryeprokurorin e Kosovës, Ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Policisë, ka shfaqur një synim që t’ia marrë mandatin EULEX’it për hetimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

Haradinaj thotë se Thaçi “nuk ka fytyrë” që të bëjë një gjë të tillë.

“Nëse dëshirojmë t’i thërrasim ndërgjegjes së kësaj qeverie dhe udhëheqësve të koalicionit, atëherë ka mbetur vetëm një veprim i tyre që të merret, këta të japin dorëheqje, ky koalicion qeverisës dhe zoti Thaçi të shkojë për shkak se Kryeministri dhe Kryetari i një partie e cila është në pushtet dhe e cila ka formuar një fond që t’i mbrojë ministrat e korruptuar ose korrupsionin, po ashtu ka fytyrë të që në të njëjtën ditë të dalë dhe të thotë se do të luftojë korrupsionin”, ka thënë ai.
Problemi më i madh në Kosovë, sipas Haradinajt, është pikërisht Qeveria Thaçi.

“Kosova ka shumë probleme. Por problemi më i madh i saj është Qeveria e Kryeministrit Thaçi. Kjo Qeveri është burimi më i madh i pasigurisë politike, ekonomike dhe sociale në Kosovë”, ka thënë ai.

Por deklarimet e Thaçit për luftën kundër korrupsionit janë përsëritur nga Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

“Kryeministri ka thënë shumë të qartë, atë që i jep në kompetencë edhe Kushtetuta edhe ligji. Kryeministri, Qeveria e Kosovës, institucionet e rendit dhe të drejtësisë duhet të jenë bartëse të procesit. EULEX’i dhe mekanizmat ndërkombëtarë do të jenë ndihmues, mbikëqyrës dhe këshillues në këtë proces, por gjithsesi do të jenë edhe bashkëpunues. Mendoj se këtu nuk ka asgjë të keqe”, ka thënë Kuçi.

Por Zëvendëskryeministri nuk ka sqaruar se si do të dukej kjo luftë dhe nëse edhe zyrtarë të lartë të Qeverisë do të ishin pjesë e kësaj.

“Lufta kundër korrupsionit përfshin të gjitha segmentet e shoqërisë”, ka thënë ai.
Kuçi nuk ka dashur të flasë për fondin e Partisë Demokratike të Kosovës për Fatmir Limajn. Kuçi rekomandoi që këto pyetje të bëhen në partinë e tij.
“Ju po insistoni në një përgjigje që në Qeveri nuk e jap. Në parti, kurdo që vini, ua jap përgjigjen”, ka thënë ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›