Moisiu: Mbështes PS, të hapen kutitë e votimit
Të prag të protestës së 10 tetorit për hetimin e zgjedhjeve parlamentare, ish-presidenti Alfred Moisiu mbështet publikisht kërkesat e opozitës. Duke folur nga qyteti i Beratit, ku promovoi librin e tij më të fundit “Midis Nanos dhe Berishës”, Moisiu u bashkua me qëndrimin e Partisë Socialiste për bojkotin e Parlamentit deri në plotësimin e kushteve të saj për procesin elektoral të 28 qershorit. “Çështja e manipulimit të zgjedhjeve duhet të marrë fund njëherë e mirë. Nuk mund të them se është apo jo bojkoti mënyra më e mirë, por gjykoj se kjo është një përpjekje që vërtet kërkon që të përfundojë njëherë e mirë” u shpreh Moisiu. Në të njëjtën kohë ai u shpreh pro hapjes së kutive të votimit, për t’i dhënë fund njëherë e mirë sipas ish-kreu të shtetit, manipulimit të zgjedhjeve në Shqipëri. “Nuk ka se si mos të bëhet, hapja e kutive të votimit do t’i japë fund procesit të deformimit të votës dhe do të shërbeje për t’i dhënë fund në proceset e tjera zgjedhore manipulimit të votës”. Ish-presidenti, i votuar në vitin 2002 nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste vlerësoi si servilizëm të qeverisë shqiptare ndaj Greqisë marrëveshjen që pritet të miratohet në Parlament për ndarjen e kufirit ujor mes dy vendeve. “Më duket një servilizëm i qeverisë tonë ndaj qeverisë greke. Nuk mund të them me saktësi sepse nuk jam në brendi, por fakti që ka një reagim në lidhje me këtë çështje tregon se diçka aty duhet parë”. Duke iu referuar tekstit të historisë së klasës së 12-të, Moisiu akuzoi historianët se po bastardojnë në mënyrën më të rrezikshme historinë e shqiptarëve. Duke folur për librin e tij, ish-presidenti tregoi për debatet që ka pasur me ish-kryeministrin Fatos Nano dhe kreun aktual të qeverisë, Sali Berisha. “Asnjëherë këta dy politikanë nuk më kanë kuptuar dhe njëkohësisht nuk i kam kuptuar. Me këta dy politikanë unë si president kam pasur konflikte nga më të ndryshmet qoftë Shërbimin Informativ, për Prokurorinë e Përgjithshme, ambasadorët. Me Nanon kam pasur probleme për ligjet për zgjedhjet dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, theksoi Moisiu. d.xh