E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fondacioni "Vodafone Albania", Mbështetje jetimëve të Shkodrës

Fondacioni "Vodafone Albania" bashkë me jetimët e Shkodrës, organizuan dje ceremoninë e përurimit të projektit në ndihmë të fëmijëve në nevojë, duke krijuar kushte të përshtatshme dhe ambient të ngrohtë. Pasi vlerësoi kushtet dhe situatën në këtë institucion, fondacioni "Vodafone Albania" shprehu angazhimin të mbështesë projektin e propozuar nga Shoqata Kombëtare e Jetimëve me një shumë prej 1.250.000 lekësh, shumë e cila do përdoret për të përmirësuar kushtet e jetesës të Jetimores së Shkodrës dhe për të krijuar një mjedis të ngrohtë, familjar dhe sa më të përshtatshëm. Në aktivitetin e organizuar me rastin e përurimit të përfundimit të projektit, i cili edhe koincidoi me festën e fëmijëve, morën pjesë skuadra e fondacionit "Vodafone Albania", pjesëtarë të Shoqatës së Jetimëve, përfaqësues të pushtetit lokal dhe të tjerë miq të ftuar. "Është kënaqësi që urimet tona për të gjithë fëmijët sot t‘i bëjmë nga Shtëpia e Jetimëve në Shkodër - është përgjegjshmëri e jona të jemi të ndjeshëm ndaj atyre që marrin më pak kujdes e vëmendje se fëmijët e tjerë dhe me aq shumë nevoja", tha Albi Greva. Fondacioni "Vodafone Albania", gjatë një viti aktivitet, ka financuar rreth 20 projekte, të fushave të ndryshme, përfshirë arsimin, shëndetësinë, grupet vulnerabël, mjedisin etj. Shoqata Kombëtare e Jetimëve Shqiptarë, me përvojë 18-vjeçare në përkrahjen dhe ndihmesën ndaj fëmijëve jetimë në të gjithë Shqipërinë, gjeti aprovimin dhe mbështetjen e fondacionit "Vodafone Albania" për nisjen e një projekti me afat tremujor që do të rezultonte në përmirësimin e kushteve të jetesës në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër. Nga verifikimet e para të kryera në këtë institucion, ku aktualisht jetojnë 48 fëmijë, u nxorën në pah mjaft probleme, si mungesa e ngrohjes, e ujit të pijshëm dhe ambienteve të tjera higjieno-sanitare shumë të domosdoshme për një jetesë normale.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›