E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asnjë shpërblim për "menaxherët" e maturës

Buxheti i Maturës Shtetërore 2009 do të tregohet tepër kurnac me mësuesit. Arsimtarët-administratorë të klasave, ku të rinjtë do t‘u nënshtrohen provimeve të maturës, si atyre të detyrueshme dhe të lëndëve me zgjedhje do të paguhen si në një ditë normale pune. Në dietën e shpenzimeve këtë vit janë përfshirë edhe vlerësuesit e testeve, të cilët do të detyrohen që të punojnë me një ngarkesë jonormale. Por, pavarësisht këtij fakti, ata do të paguhen sipas orëve të punës, që do të kryejnë dhe nuk do të munden të përfitojnë një rrogë shpërblim, si në vitet e kaluara.

Ndërkohë që pagesa e administratorëve të klasave në vitet e mëparshme të maturës shtetërore ka qenë 3 mijë lekë të reja, që për pagat e arsimtarëve konsiderohej si një mundësi mjaft e mirë për buxhetin personal.

Përfaqësues të Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të nxënësve konfirmojnë ndryshimet e bëra nga ana e Ministrisë së Arsimit në këtë vigjilje provimesh, më të rëndësishmet për të ardhmen e rreth 47 mijë të rinjve në të gjithë vendin.

Nga ana tjetër, vetë mësuesit që do të detyrohen të administrojnë klasat dhe maturantët ku do të mbahen provimet shprehen të shqetësuar. Ata e konsiderojnë jo të logjikshëm këtë vendim për të mos pasur një shpërblim financiar për punën që do të kryejnë. Kjo, edhe për faktin se, sipas tyre, përgjegjësia në ditët e këtyre provimeve nuk mund të barasvlerësohet me ato të një dite pune normale. Në rregulloren e Maturës Shtetërore ka një kapitull të veçantë që u kushtohet detyrimeve dhe përgjegjësive të administratorëve të klasave të këtyre katër provimeve.

Përveçse do të duhet që të garantojnë rregullin dhe zbatimin e detyrimeve nga ana e nxënësve për të mos mbajtur materiale të ndaluara në testim, përgjegjësia kryesore e tyre është që të mos lejojnë kopjet apo shqetësimin që një nxënës mund t‘i shkaktojë një tjetri. Në rastet kur vlerësuesit e testeve do të dyshojnë për provime të kopjuara, përgjegjësia nuk do të bjerë vetëm mbi maturantët që do të zbulohen si kopjacë, por edhe mbi administratorët e klasave, ku verifikohet se ka ndodhur një gjë e tillë. Ndaj për këto dhe arsye të tjera, mësuesit administratorë e konsiderojnë si të paarsyeshëm vendimin për të mos i paguar ekstra në këto ditë.

Sot do të zhvillohet edhe provimi i parë i detyruar i Maturës Shtetërore, ai i gjuhës dhe letërsisë. Lista emërore, së bashku me bar-kodet përkatëse, si dhe pjesa tjetër e infrastrukturës sipas përfaqësuesve të AVA-s është gati.

Si pjesa më delikate e punës është konsideruar hartimi i tezave të provimit. Pas përfundimit të procedurave të KOEPS-it, ose izolimit të profesorëve që do të bënin përzgjedhjen e pyetjeve nga fondi i parapërgatitur, varianti final i është dërguar ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Në përputhje me rregulloren e Maturës Shtetërore /////ai përzgjedhur zarfet e dërguara nga profesorët e AVA-s, të cilat më pas janë shpërndarë në të gjitha shkollat e vendit, si në gjimnaze ashtu edhe në ato të mesme profesionale.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›