E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, cilësia e ndërtimeve nuk kontrollohet

Ndërtimet e viteve të fundit, të paktën në Jug të vendit, janë krejtësisht të pasigurta, pasi askush nuk e kontrollon cilësinë e materialeve të ndërtimit. Faktet tronditëse dolën në dritë dje gjatë seancës së katërt gjyqësore ndaj shtatë të akuzuarve si shkaktarë të tragjedisë së 9 nëntorit 2008, kur në qytetin e gurtë u shemb një pallat pesëkatësh, që u mori jetën e tre personave dhe la 15 familje pa strehë.

Pesë nga shtatë të akuzuarit e këtij procesi penal ndiqen dhe gjykohen në gjendje të lirë, ndërkohë që vetëm dy prej tyre, përfaqësuesi juridik i firmës ndërtimore "Arti" sh.p.k., Sotiraq Janora dhe drejtuesi teknik i saj, inxhinieri Gjergji Meçi vazhdojnë të mbahen në paraburgim.

Gjatë seancës së djeshme, që është e katërta e këtij procesi, janë pyetur nëntë nga dëshmitarët, të cilët ishin kryesisht punonjës të Bashkisë së Gjirokastrës, punonjës të firmës, arkitekti dhe inxhinieri konstruktor i godinave që do të ngriheshin nga firma "Arti", si dhe përfaqësues të firmës që merreshin me përpunimin e materialeve të hekurit dhe betonit të përdorur për pilotat prej betonarmeje, këputja e të cilave, sipas ekspertëve, u bë shkak për rrëzimin e pallatit ku humbën jetën tre njerëz.

Një prej fakteve më të rëndësishëm që përbën shkelje ligji dhe një rrezik permanent për sigurinë e ndërtimeve që doli në pah gjatë dëshmisë së inxhinierit konstruktor, Luan Bufi, duket se do të jetë objekt i debateve të ardhshme në këtë proces. Konstruktori Bufi deklaroi se prej kohësh në Gjirokastër mungojnë strukturat dhe laboratorët që mund të kryejnë analizat e cilësisë së betonit të prodhuar, megjithëse sipas ekspertëve të ndërtimit çdo muaj prodhohen në këtë qytet rreth 6000-7000 metër kub beton.

Dëshmitë e djeshme provuan dhe nxorën në pah faktin se firma, nëpërmjet inxhinierit që kishte bërë konstruksionin, u konsultua mbi plasaritjen e pilotave mbajtëse dhe konsulta e fundit e bërë atë ditë që u rrëzua pallati ishte ajo që shpëtoi jetët e punëtorëve që punonin në sheshin e ndërtimit, pasi ata patën mundësi për t‘u larguar në kohë. Por kjo konsultë nuk e parashikoi rënien e pallatit që mori jetën e tre personave dhe banesat e 15 familjeve.

Për herë të parë në këtë seancë, dëshmitarët pranuan se punëtori që u nis drejt pallatit për të lajmëruar banorët nuk arriti në kohën e duhur, sepse pallati u shemb sa hap e mbyll sytë.

Një ndalesë debati e veçantë ishte edhe ajo që u bë gjatë dëshmive për cilësinë e hekurit të përdorur gjatë ndërtimit, i cili, sipas dëshmitarëve, vinte prej importit dhe sipas tyre i plotësonte të gjitha parametrat për këtë lloj ndërtimi. Ndërkaq, dëshmitari Thanas Llahana, inxhinieri gjeolog që ka lëshuar raportin gjeologjik për projektin dhe që u arrestua nga të parët dhe u lirua si i pafajshëm pas tre muajsh në paraburgim, i ka bërë dje një kërkesë gjykatës për të mos u paraqitur në proces për arsye shëndetësore.

Seanca u mbyll rreth orës 15:00. Seanca e radhës u vendos të zhvillohet më 9 qershor, kur priten të pyeten dhe nëntë dëshmitarë të thirrur nga akuza.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›