E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët në protestë: Duam diploma me sistemin e vjetër, jo me Bolonjën

Rreth 2000 studentë që kanë përfunduar studimet në Universitetin Bujqësor të Kamzës në Fakultetin Ekonomik kanë protestuar dje kundër diplomës me të cilën janë pajisur pas përfundimit të studimeve të tyre.

Ata kanë kërkuar nga drejtuesit e këtij universiteti që të pajisen me diplomat e sistemit me të cilin kanë filluar studimet dhe jo të marrin një diplomë të sistemit të Bolonjës. Mes të tjerash ata kanë insistuar fort në mënyrë që në dokumentin e tyre të përfundimit të studimeve të përcaktohet titulli, por natyrisht të vendoset edhe fotoja e gjithsecilit, që aktualisht mungon. Po kështu, ata shprehen se kanë nevojë për diploma të denja për tregun e punës dhe jo për copa letrash pa vlerë dhe pa të dhëna.

Nga ana tjetër, rektori i Universitetit Bujqësor të Kamzës, Fatos Harizaj, ka shpjeguar se ka respektuar ligjin e arsimit të lartë për pajisjen e studentëve me diploma.

Por studentët kanë insistuar në kërkesat e tyre, për të pasur një diplomë ndryshe nga ajo që i ka dorëzuar universiteti. Ata kanë paralajmëruar se protestat e tyre tashmë do t‘i zhvendosin para Ministrisë së Arsimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›