Fondacioni Vodafone Albania nis trajnimin e specialistëve për fëmijët autikë
Fondacioni i Fëmijëve Shqiptar ka filluar trajnimin e specialistëve të Qendrës "Fluturo për Jetën" me metodat më bashkëkohore të trajtimit të fëmijëve me çrregullime të spektrit autik. Ky trajnim bëhet në kuadër të Projektit: “Program Formimi në ndërhyrjet e sjelljes për terapist fëmijësh me çrregullime të spektrit autik”. Projekti është një bashkëpunim i Fondacionit Fëmijët Shqiptar me asistencë profesionale nga “Autism Speaks” ne Neë York dhe ma financim nga Fondacioni Vodafone Albania.
Projekti do të zbatohet për një periudhë 1-vjeçare gjatë së cilës specialistët e Qendrës do të trajnohen, mbikëqyren dhe certifikohen profesionalisht nga ekspertë Amerikan të “Autism Speaks” në Neë York. Në kuadër të këtij projekti do të hartohet një model trajnimi në shqip i cili do të përdoret më pas për të trajnuar dhe certifikuar specialistë të qendrave të tjera në këtë fushë. Gjithashtu nëpërmjet këtij projekti, Fondacioni Fëmijët Shqiptar sjell në Shqipëri modelin „STANDART“ të trajtimit të fëmijëve autik si dhe do të realizojë ndërtimin e infrastrukturës për trajnimin në distancë të specialistëve. Përfitues të projektit do të jenë fëmijët autik, familjet e tyre, si dhe profesionistët e asistencës së drejtpërdrejtë terapeutike për fëmijët autikë në Shqipëri.
Bebja e braktisur në Pogradec transferohet në Tiranë
Një bebe dy ditëshe e gjetur e gjallë në një kazan plehrash në Pogradec do të transferohet në Shtëpinë e Fëmijës në Tiranë. Mjekët e spitalit të Pogradecit janë duke u kujdesur për foshnjën e seksit femër e cila ka kaluar rrezikun për jetën. Një ditë më parë një çift bashkëshortësh që pastrojnë rrugët e Pogradecit kanë gjetur në një kazan plehrash në lagjen 2 të qytetit një fëmijë të mbyllur në një qese plastike. Të alarmuar ata e kanë çuar vogëlushen në maternitetin e Pogradecit dhe kanë njoftuar dhe autoritet e policisë lokale. Bebja që sipas mjekëve ka lindur vetëm dy ditë më parë, ka pësuar një dëmtim në kokë, por falë gjetjes së saj në kohë i ka shpëtuar vdekjes nga asfiksia. Ndërsa, policia e Pogradecit është duke hetuar për gjetjen e prindërve biologjikë të saj të cilët akuzohen për veprën penale të “Braktisje së fëmijëve të mitur”. Ngjarja e rëndë ka tronditur qytetin, pasi ky është rasti i dytë brenda dy javësh. Rasti i parë ishte tragjik ku një bebe e seksit mashkull u gjet e vdekur në tarracën e maternitetit të këtij qyteti. Dhe në këtë rast fëmija nuk ka lindur në spital, ndërsa dyshohet të ketë ardhur në jetë nga një lidhje jashtë martesore.
18 Qershor 2010