Është toka ime, i riu bllokon kalimin në urë
BERAT - Një 38-vjeçar banor i lagjes “Goricë” në Berat ka protestuar në mënyrë të pazakontë për atë pjesë toke ndaj së cilës pretendon pronësinë. Paraditen e djeshme, Spiro Devole, së bashku me anëtarë të tjerë të familjes, ka vënë shirita në hyrje të urës së varur mbi lumin Osum, duke e bllokuar atë. Përgjatë një ore ata kanë qëndruar mbi urë, ndërsa nuk lejonin asnjë qytetar tjetër të kalonte. Ndërkaq menjëherë ka ndërhyrë policia e cila ka shoqëruar 38-vjeçarin, i cili punon si emigrant në Greqi, por ishte kthyer, sipas tij, për të zgjidhur çështjen e pronësisë. Spiro Devole ka kërkuar dëmshpërblim pasi pretendon se këmbët e urës së ndërtuar rreth vitit 2000 ndodhen mbi tokën e tij. Protesta e rrallë ka përfunduar qetësisht pas një ore, ndërsa 38-vjeçari është marrë në pyetje për tu sqaruar rreth ngjarjes. Ndërkaq, burime nga Bashkia e Beratit bëjnë të ditur se familja e tij nuk ka asnjë konflikt me këtë institucion dhe se për pretendimin mbi pronësinë e tokës duhet t’i drejtohet institucionit të kthimit dhe kompensimit të pronave.
Tre të rinj në pranga për vjedhjen e miliona lekëve
KURBIN - Tre persona janë vënë në pranga nga policia lokale e Kurbinit me akuzën e vjedhjes së një shume të madhe parash me vlerë 20 milionë lekë (të vjetër). Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të policisë, të cilat thanë se pas një aksioni të mirorganizuar, kanë rënë në pranga shtetasit Kreshnik Dervishi, Blenar Sefa dhe David Rreba. Pas aksionit mësohet se është shpallur në kërkim edhe bashkëpunëtori i të arrestuarve, shtetasi Andres Beluli. Ai së bashku me tre të arrestuarit, akuzohen se kanë vjedhur 20 milionë lekë të vjetra. Gjatë arrestimit të djeshëm, policia tha se ka bllokuar 13 milionë lekë nga paratë e vjedhura.
Vdes punëtori, goditet nga energjia elektrike
TIRANË - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në afërsi të Aeroportit të Rinasit. Një punëtor ka gjetur vdekjen pasi ra në kontakt me rrymën elektrike, ndërsa punonte për ndërtimin e një godine. Viktima u nis menjëherë drejt spitalit, por nuk mundi të mbijetonte. Policia ka mbërritur në vendngjarje, ndërsa kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve. Sipas të dhënave ai ka qenë duke punuar në një seksion të Aeroportit kur është goditur nga linja elektrike. Dhe pse i është dhënë ndihma e parë ai nuk mundi të mbijetonte. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur uniformat blu të Komisariatit të Rinasit, që kanë nisur hetimet. Janë marrë dëshmitë e punëtorëve të tjerë, të cilët kanë qenë së bashku me viktimën. Ata kanë deklaruar se ishin duke punuar në momentin kur kolegu i tyre ka rënë në tokë.
18 Qershor 2010