E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Vorës, dy padi për të dëmtuarit e Gërdecit



VORË - Çështjes së Gërdecit i shtohen edhe dy padi të tjera, por kësaj radhe të paditur janë banorë të dëmtuar nga kjo tragjedi. Hekuran Cubi dhe Sanije Skënderi janë paditur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës për moskthim të shumës së përfituar tepër pasi, sipas bashkisë, të dëmtuarit e tragjedisë së Gërdecit kanë përfituar nga fondet e shtetit në kohën që komisioni i parë i vlerësimit të dëmeve i ka vlerësuar dëmet me një vleftë më të lartë se komisioni i dytë që ishte edhe përfundimtari. Këto dy padi janë hedhur në short dhe u kanë rënë në gjykim Teuta Hoxhës dhe Altin Shkurtit. Pothuajse një vit më parë, e njëjta bashki depozitoi një paketë të plotë me 42 banorë nga Gërdeci dhe Marqineti, për të cilët bashkia kërkonte t’i kthenin shumën e derdhur nga shteti në bazë të një vlerësimi të kryer nga komisioni i dytë. Por, kjo listë të paditurish u copëzua në disa gjyqtarë të gjykatës, ku fati i disa proceseve ende s’ka përfunduar e disa të tjera janë pushuar.
Nga ana tjetër, të dëmtuarit e kësaj tragjedie që kanë humbur të afërm në shpërthimin e 15 marsit 2008 janë në dorën e gjykatësve për dëmshpërblimin e jetëve të humbura.
Po kështu, në gjykatën penale ndodhet edhe procesi penal ndaj 29 të pandehurve që akuzohen për tragjedinë, mes të cilëve civilë, ushtarakë dhe drejtues të “Albademil”-it.

Pranga studentëve, transportonin 6.4 kg Cannabis

DURRËS - Dy studentë dhe një 50-vjeçar janë vënë në pranga nga Policia e Durrësit pasi janë kapur me më shumë se 6 kilogramë lëndë narkotike Cannabis sativa. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë se dy ditë më parë, rreth orës 10:00, në kuadër të operacionit të koduar “Eklips”, është bërë arrestimi në flagrancë i Emiliano Stefanidhit, 26 vjeç, lindur në Fier e banues në Lagjen 8, Tiranë, student. Në pranga ka rënë dhe Romeo Nikolla, 21 vjeç, lindur e banues në fshatin Gosivisht, komuna Frashër, Përmet, student, Luan Halili, 50 vjeç, lindur në fshatin Gosivisht Përmet e banues në lagjen “Komuna e Parisit” Tiranë. Arrestimi i tre personave të mësipërm është bërë pasi rreth orës 6 janë kapur në flagrancë nga efektivët e policisë, në Lagjen Nr. 13, Plazh Durrës, e pikërisht në vendin e quajtur Stacioni i Plepave, me dy çanta sportive në të cilat ndodheshin 10 qese plastike me lëndë të dyshuar si narkotike të llojit Cannabis sativa, që në total kapte peshën e 6.445 kilogramëve. Pas ndalimit janë kryer veprimet e nevojshme procedurale dhe materialet për veprën penale të “prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike”.

Emergjencat Civile, masa për parandalimin e zjarreve

TIRANË - Parandalimi i zjarreve në pyje ka angazhuar të gjitha strukturat lokale në qarqe dhe strukturat e mbrojtjes nga zjarri për hartimin e strategjisë së mbrojtjes me rritjen e temperaturave. Masivet e pyjeve kombëtare në Llogora, Lurë, Divjakë, Velipojë, Sarandë dhe Himarë, veçanërisht do të jenë nën kujdesin e zjarrfikësve dhe reparteve të tjera që po ngrihen për parandalimin e zjarreve. Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli, konfirmoi se tashmë është akorduar një fond i konsiderueshëm për të siguruar në raste të emergjencave për marrjen e mjeteve me qira që do të shuajnë zjarret. Këto masa vijnë në kuadër edhe të një memorandumi të përbashkët të nënshkruar mes ministrave Basha e Mediu për angazhim e të gjithë strukturave të qarqeve për përballimin e zjarreve në pyje, ku prefekti roli koordinator me Policinë e Shtetit, shërbimi zjarrfikës. Stacione të posaçme policie janë instaluar në masivet e pyjeve kombëtare, ndërkaq, Ministria e Brendshme ka në fuqi edhe marrëveshje bashkëpunimi me Greqinë, Italinë, Kroacinë, Austrinë, vende të cila mund të asistojnë Shqipërinë për përballimin e situatave të zjarreve në pyje. Një vit më parë u përfshi nga zjarret, kryesisht në pyje dhe kullota, një sipërfaqe prej 2500 hektarësh, ndërsa pritet që këtë vit të jetë më e mirë situata me zjarret në krahasim me vitet e tjera.

18 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›