E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri i Vasilit, para operacionit, pacienti duhet të nënshkruajë një deklaratë konsensusi



Lizeta Duro
Përpara çdo procedure ekzaminuese ose ndërhyrje kirurgjikale, doktori duhet të marrë miratimin e të sëmurit ose familjarëve të tij. Ky është rregulli më i fundit që tashmë hyn në fuqi nga dita e sotme me firmë të ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili. Nisur nga shumë raste të kohëve të fundit, ku pacientët kanë akuzuar mjekët për mjekim të pakujdesshëm deri në humbje jete, ministri ka vendosur të rregullojë këtë marrëdhënie pikërisht nëpërmjet një deklarate. Sipas burimeve zyrtare nga ministria e Shëndetësisë, shpjegohet se çdo mjek për të kryer një ekzaminim ose operacion, paraprakisht duhet t’i shpjegojë të sëmurit dhe familjarëve nëpërmjet një informacioni të përgjithshëm rreth procedurës ekzaminuese apo ndërhyrjes kirurgjikale. Bashkë me to, nuk duhet të neglizhohen edhe rreziqet dhe komplikacionet e mundshme si dhe alternativat e tjera të ekzaminimit apo intervalit.
Urdhri
Ky urdhër është i detyruar jo vetëm për spitalet por edhe për poliklinikat ku do të ofrohen shërbime që janë objekt i këtij urdhri. Miratimi i pacientëve apo i personave të tjerë ligjorë të autorizuar nga pacienti për nënshkrimin e deklaratës së konsensusit për njohjen e komplikacioneve të ndërhyrjeve ekziston dhe aplikohet edhe në spitalet dhe klinikat private në Shqipëri si dhe është një procedurë e detyruar në të gjitha institucionet si publike ashtu dhe private evropiane. Që nga dita e sotme, me hyrjen në fuqi të këtij urdhri, të gjithë ata pacientë që do t’i nënshtrohen një procedure ekzaminuese invazive apo ndërhyrje kirurgjikale duhet të firmosin paraprakisht “Deklaratën e Konsensusit”. Në këtë deklaratë, pacienti autorizon doktorin dhe asistentët për të kryer procedurat e ndërhyrjes, deklaron se është njohur me procedurat e ekzaminimit, metodat e trajtimit, me rreziqet dhe komplikacionet e mundshme, mban përgjegjësi personale si dhe pranon vendimin klinik të marrë.
Reforma
Reforma e standardizimit dhe monitorimi i shërbimit spitalor po ndikon në mënyrë të veçantë në shëndetësinë shqiptare. Në sistemin e shëndetit publik ka munguar një element shumë i rëndësishëm i komunikimit mjek-pacient që ka të bëjë me informimin e pacientit mbi komplikacionet e mundshme, e lidhur kjo me procedurat kirurgjikale/invazive apo procedurat e tjera mjekësore. Me urdhër të ministrit Vasili, për herë të parë miratohet në Shqipëri kjo praktikë evropiane e cila sanksionon transparencën dhe ndihmon në rritjen e përgjegjësive në marrëdhëniet mjek-pacient-sistem shëndetësor duke ngritur në këtë mënyrë nivelet e sigurisë dhe korrektësisë në strukturat publike shëndetësore shqiptare si dhe përfshirjen e standardeve evropiane në dokumentacionin shëndetësor. Me zbatimin e këtij urdhri marrëdhënia mjek-pacient si dhe pacient-sistem shëndetësor në tërësi do të funksionojë vetëm mbi bazën e transparencës dhe informimit të qartë mbi çdo procedurë të cilës pacienti i nënshtrohet dhe që ky sistem shëndetësor ofron.

Urdhër

Për marrjen e konsensusit nga pacientifamiljarët, për kryerjen e procedurave ekzaminuese invazive apo ndërhyrjeve kirurgjikale

Mbështetur në pikën 3 të nenit 116 të “Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, si dhe në zbatim të germës c, pika 2 e nenit 6 të Ligjit nr. 10107 datë 30. 03. 2009 “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, me qëllim marrjen e konsensusit të sëmurit apo familjarëve të tij të autorizuar nga pacienti që do ti nënshtrohet procedurave ekzaminuese invazive apo ndërhyrjeve kirurgjikale .

Urdhëroj

1. Përpara çdo procedure ekzaminuese invazive ose interventi kirurgjikal, të merret konsensusi i të sëmurit ose familjarëve të tij. Për këtë, paraprakisht të sëmurit/familjarëve t’iu shpjegohet:
- informacion i përgjithshëm rreth procedurës ekzaminuese apo inteventit.
- rreziqet dhe komplikacionet e mundshme
-alternativave të tjera të ekzaminimit apo intervalit.

2. I sëmuri ose personi i autorizuar, firmos deklaratën për marrjen e informacionit të nevojshëm për procedurën ekzaminuese apo interventin kirurgjikal, për njohjen e rreziqeve/komplikacioneve të mundshme dhe alternativat e tjera të trajtimit, nëpërmjet të cilës, konfirmon përgjegjësinë për pranimin e vendimeve që janë marrë për trajtimin e tij nga stafi mjekësor.

3. Ngarkohet gjithë personeli mjekësor që kryen procedurat ekzaminuese invazive apo ndërhyrjet kirurgjikale për zbatimin e këtij urdhri , duke firmosur deklaratën sipas formatit bashkëlidhur këtij urdhri.

4.Ngarkohen drejtoritë e spitaleve dhe shefat e shërbimeve për monitorimin e zbatimit të këtij urdhri.

Ky urdhër hyn menjëherë në fuqi menjëherë !

18 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›