E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fondamentalizmi real kundër atij imagjinar

Arben Kallamata

Pasi e ka kritikuar Mirela Bogdanin për një intervistë që paska fyer ndjenjat e myslimanëve në Shqipëri; pasi ka nisur qindra e ndoshta mijëra letra në drejtim të Partisë Konservatore Britanike; pasi ka arritur t’ia fshijë emrin Mirela Bogdanit nga lista e kandidatëve të kësaj partie, Olsi Jazexhi dhe Forumi i tij Mysliman vazhdon ta ripërtypë me ngulm këtë temë me një editorial në dukje të panevojshëm te “Gazeta Shqiptare” me titull: “Mbi Islamofobinë e Mirela Bogdanit”. Ky teprim duket i pakuptimtë, por nuk është ashtu.
Nisur nga pozicioni i të fyerit, shkrimi, i cili ngjan me një raport të hollësishëm të sukseseve të Forumit Mysliman të Shqipërisë, është në thelb sulm kundër vetëdijes shqiptare dhe përpjekje për ta zëvendësuar atë me vetëdije fetare, islamike. Mirela Bogdani është sebepi , justifikimi për të dalë diku tjetër. I edukuar në shkolla islamike, Olsi Jazexhiu e ka të vështirë ta pranojë faktin se shqiptarët kanë si vetëdijë parësore atë etnike – shqiptarizmin. Pas saj mund të vijnë vetëdije të tjera - krahinorë, lokale, kulturore dhe fetare.
Nuk është aspak e vështirë të shohësh se si, nën maskën e luftës për të mbrojtur komunitetin fetar nga fyerjet dhe fobia, bëhen përpjekje të drejtpërdrejta për rrënimin e vetëdijes shqiptare dhe zëvendësimin e saj me atë fetare. Editoriali i “Gazeta Shqiptare” përdor edhe logjikën, edhe mungesën e saj për t’i shërbyer këtij synimi.
Mungesa e logjikës fillon me përpjekjet për ta paraqitur Forumin Mysliman të Shqipërisë si “një organizatë shekullare.” (Forumi Mysliman i Shqipërisë, është një organizatë shekullare). Fjala “shekullare” është një përshtatje e keqe e fjalës “secular”, që do të thotë “jo-fetare”, ose “laike”. Në këtë kuptim fjalia do të duhej të lexohej: “Forumi Mysliman i Shqipërisë, është një organizatë laike…”(!?) Pavarësisht vështirësisë logjike për t’u pranuar, ky oksimoron edhe mund të kapërdihej, po të mos binte ndesh disa paragrafë më poshtë me: “…Evropa në të cilën ne myslimanët e Shqipërisë synojmë të aderojmë nuk mund të përfaqësohet nga islamofobët dhe fundamentalistët e krishterë dhe laikë…” Kjo sikur të huton pak. Një forum laik që ëndërroka për një Evropë pa përfaqësues laikë.
Ndoshta forumi është laik, por është kundër “fondamentalistëve laikë”, do të thotë dikush. Kjo do të ishte e pranueshme vetëm nëqoftëse togfjalëshi “fondamentalist laik” do të kishte kuptim. Por ai s’ka.
Koncepti “fundamentalist” bazohet te besimi, te feja. Mund të jesh fundamentalist nëse beson si i verbër në një doktrinë fetare, dhe nëse e ve interesin e fesë mbi gjithçka tjetër njerëzore apo shoqërore, si për shembull në togfjalëshat “fondamentalist islamik”, ose “fondamentalist i krishterë”. Por jo “fundamentalist laik”. Kjo është njëlloj si të thuash “besimtar i verbër i pafe”.
Fondamentalistët e krishterë e shohin biblën si libër të pagabueshëm dhe historikisht të saktë. çdo gjë që bie ndesh me të është e papranueshme. Pasojë e fondamentalizmit të krishterë kanë qenë kryqëzatat e mesjetës, inkuizicioni, etj., ndërkohë që vazhdojnë të jenë përpjekjet e misionarëve për të konvertuar në të katër anët e botës, lufta kundër abortit, kundër kontraceptivëve, etj.
Në mënyrë të ngjashme, fondamentalizmi islamik sheh kuranin si libër të pagabueshëm dhe çdo qenie njerëzore që nuk pajtohet me të si armik. Pasojat janë rrëmbime avionësh dhe përplasje të tyre pas godinave të larta të mbushura me njerëz të pafajshëm; ekzekutime me gurë në publik; mbulimin deri në ekstrem të grave dhe trajtimi i tyre si pronë e burrave; përpjekjen për të islamizuar botën (duke përfshirë edhe Shqipërinë); bomba vetëvrasëse.
Të dy fondamentalizmat kanë sjellë luftëra, vrasje dhe vuajtje.
Deri sot nuk njihet asnjë akt i dhunshëm i kryer nga “fondamentalistë laikë” në emër të laicitetit. Njeriu mund të ushtrojë dhunë i shtyrë nga besimi i verbër, por jo në emër të mungesës së tij. Mund të ketë njerëz laikë që janë të dhunshëm për arsye dhe për shkaqe të tjerë, por nuk ka asnjë bazë logjike që këtë dhunë t’ua diktojë laiciteti.
Si përfaqësues të Fondamentalizmit të krishterë e laik në Shqipëri, Nënë Terezën, Ismail Kadarenë, Piro Mishën, Ben Blushin, Mirela Bogdanin, ish-presidentin Moisiu.
Nga kjo listë, e vetmja që mund t’i përqaset pak termit “fondamentaliste e krishterë” është Nënë Tereza, e cila ishte fetare e përkushtuar dhe, në ndonjë rast ka lëshuar edhe ndonjë deklaratë që vë bindjen mbi interesat njerëzore. Megjithatë, Nënë Tereza e Kalkutës njihet dhe nderohet në të gjithë për punën e saj humanitare. Në Indi atë e respektojnë të gjithë: të krishterë, hindu, myslimanë, budistë. Edhe në Shqipëri ajo nderohet nga katolikë, ortodoksë, myslimanë dhe jo-besimtarët për faktin se është një nobeliste shqiptare, dhe për faktin që me punën e saj humanitare ajo thekson një tipar të karakterit të kombit tonë të cilin ne vërtet kemi nevojë ta theksojmë - dhembshurinë për njëri-tjetrin, tolerancën, vetëmohimin për të ndihmuar të tjerët.
Por si mund t’i konsiderosh Ismail Kadarenë, Piro Mishën, Alfred Moisiun, Ben Blushin dhe Mirela Bogdanin fondamentalistë të krishterë?! Kushdo që ka lexuar veprën e Kadaresë mund të dëshmojë se ai nuk përqaset gjëkundi me asnjë lloj feje, aq më pak të jetë përfaqësues i fondamentalizmit të saj.
E njoh Piro Mishën dhe nuk më është dukur asnjëherë fetar, aq më pak fondamentalist. Nga Mirela Bogdani kam lexuar aq sa për të thënë me bindje që ajo s’është fondamentaliste e krishterë. Jo rrallë herë nuk jam pajtuar me ato që ajo shkruan dhe, veçanërisht, me tonin me të cilin i drejtohet lexuesve, por kurrsesi nuk mund ta quaj fondamentaliste. As Ben Blushin, me aq sa e njoh dhe me ç’mund të gjykoj nga libri i tij “Të jetosh në ishull” (që vërtet më ka pëlqyer), nuk mund ta quash fondamentalist. Nuk gjej tek ai asgjë fyese për askënd.
Kam përshtypjen se, përpos përpjekjes për të sulmuar pika të forta të vetëdijes kombëtare dhe për të mbi-theksuar përkatësinë fetare, myslimane, ngulmimi i Jazexhiut dhe Forumit të tij mysliman ka të bëjë edhe me dëshirën për të shkaktuar trazira të tipit “post-cartoon”.
Kujtoni pak histerinë që përshkroi një sërë vendesh pas të ashtuquajturve karikatura anti-islamike të botuara nga një gazetë daneze. Megjithëse karikaturat (shprehje e shtypit të lirë, një nga parimet më të rëndësishme të lirisë që gëzojnë vendet e Evropës Perëndimore) nuk kishin asnjë objekt fyerje, madje as edhe një lidhje me myslimanët, u grisën flamurë, u dogjën ndërtesa, u kërcënuan dhe u morën jetë njerëzish.
Përpjekja për incidente të tipit “post cartoon” u vunë re në Shqipëri pas botimit të librit të Blushit “Të jetosh në ishull”. Krejt papritur, njerëz që s’kishin marrë mundimin të lexonin asnjë libër në jetën e tyre e gjetën veten të fyer nga një roman, nga një vepër artistike dhe filluan të kërkonin mënyra për të protestuar publikisht. Vetë fakti që e ndjen veten të fyer nga një roman dhe kërkon të protestosh kundër tij tregon se nuk ke kulturë leximi. Normalisht, një lexues që nuk pëlqen një libër, e flak tutje atë, por nuk fillon të vrasë mendjen si të organizojë protesta kolektive.
Edhe sulmi ndaj Mirela Bogdanit më duket se këtë qëllim ka: thirrjen për të shtrënguar radhët rreth Forumit Mysliman të Shqipërisë, rreth institucioneve fetarë, për të nxitur një konflikt të mundshëm.
Nga kandidimi i Mirela Bogdanit si anëtare e një partie politike në Britaninë e Madhe Shqipërisë mund t’i vinte veç mirë, asgjë e keqe. Nëse Mirela Bogdani do të kishte arritur të zgjidhej Anëtare e Parlamentit Britanik, kjo do të kishte qenë një plus për shqiptarët, nëse i sheh gjërat me syrin e shqiptarit.
Por në vend që të mbështetej kandidatura e saj, në vend që të gjendej mënyra për t’i nxitur shqiptarët në Britani ta përkrahnin kandidaturën e saj, u gjet mënyra për ta dëmtuar. Jo vetëm kaq, por ende vazhdohet t’i bihet të njëjtës gozhdë për të arritur synime të tjera. Kjo ndodh sepse këndi i vështrimit nuk është interesi kombëtar, etnik, por ai fondamentalist fetar.
Fatmirësisht shqiptarët i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin fesë vendin që i takon. Ashtu siç duhet edhe të jetë në një shoqëri të përparuar, feja për shqiptarët është diçka personale, vetjake, që s’ka përse ngatërrohet me politikën. Feja i përket çdo individi, dhe njerëzit kanë të drejtë të besojnë ose të mos besojnë çfarë të duan. Përpjekjet për ta kthyer fenë në lëvizje masive politike, në ideologji sunduese, në platformë të një grupi kundër një tjetri kanë sjellë veç fatkeqësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›