E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i Bodes, do rindahen bonot



Qeveria vendos të rishpërndajë bonot e privatizimit, të cilat qytetarët i kishin depozituar vite më parë në fondet e investimeve. Nëpërmjet një udhëzimi të Ministrit të Financave, Ridvan Bode, të gjithë qytetarët që kanë përfituar bono dhe letra me vlerë gjatë qeverisjes së parë të Partisë Demokratike dhe i kanë depozituar më së shumti në kompaninë e njohur Anglo-Adriatika, do të përfitojnë vlerën e tyre nga bankat, për ta hedhur më pas sërish në treg. Në dokumentin e publikuar sot nga gazeta thuhet se “rishpërndarja e bonove të privatizimit dhe të letrave të të përndjekurve, të investuara në fondet e investimeve, të krijuara në përputhje me ligjin nr. 7979 datë 26.07.1995 “Për fondet e investimeve” do të kryhet pranë bankave të nivelit të dytë, që kanë shërbyer si banka depozituese të fondit përkatës”. Urdhri parashikon në të njëjtën kohë se procesi i rishpërndarjes së bonove do të fillojë më 1 prill të këtij viti dhe do të zgjasë 7 muaj, deri më 30 shtator. Në të njëjtën kohë, qytetarët do të drejtohen në bankat e nivelit të dytë për të rimarrë bonot, ndërkohë që vetë bankat do të aplikojnë tarifat e tyre për çdo shërbim. Udhëzimi përcakton se “individët që kanë investuar në fondet e investimit, të krijuara në përputhje me pikën 1 të këtij udhëzimi e që dëshirojnë të rimarrin mbrapsht bonon/bonot e investuar/ investuara, duhet të paraqiten pranë sporteleve të bankës përkatëse për t’i tërhequr ato. Dokumentet identifikuese dhe dokumentacioni tjetër i nevojshëm, përcaktohet nga banka”. Ndërkohë nga ana e tyre, bankat e nivelit të dytë do të raportojnë pas 30 shtatorit pranë Ministrisë së Financave për sasinë e bonove që janë shpërndarë dhe ato të mbetura. “Procedura e asgjësimit të bonove të mbetura, do të rregullohet me akt të veçantë, në përputhje me legjislacionin e fushës”, vijon më tej urdhri i Bodes. Në të njëjtën kohë, për të gjithë qytetarët që nuk jetojnë më, por që kanë depozituar vite më parë bono privatizimi, do të zbatohet praktika e parashikuar në Kodin Civil lidhur me trashëgiminë. Qeveria e PD-së, pas vitit 1992 hodhi në treg bonot të cilat qytetarët do t’i përdornin për privatizimin e aseteve shtetërore. Kompania kryesore Anglo Adriatika dhe disa të tjera morën licencën për të grumbulluar këto bono, por pas trazirave të vitit 1997 ato ngelën të ngrira. Amerikanët arritën që deri në fund të vitit 1999 të grumbullonin rreth 9 miliardë lekë, të cilat më pas mbetën të bllokuara në bankë. Sipas një ligji të pak muajve më parë, ato do të hyjnë sërish në treg në procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje. Mendohet se vlera e tyre në total shkon deri në 820 milionë dollarë. “Në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, mbajtësit e këtyre letrave, tregu i hapur për këto letra është një nga tregjet më të fuqishme dhe është disa herë më i madh sesa tregu i paracaktuar për to në kohën e emetimit. Në këtë mënyrë, nga vënia në përdorim, të parët që përfitojnë, janë qytetarët shqiptarë posedues të këtyre letrave dhe, natyrisht, përfitojnë edhe ata të cilët do të blejnë këto letra”, tha Kryeministri Berisha, pak ditë më parë në Kuvend.

Udhëzim

Për procedurat dhe afatet e rishpërndarjes së bonove të investuara në fondet e investimeve, të krijuara në përputhje me ligjin nr. 7979 datë 26.07.1995 “Për fondet e investimeve”

Në mbështetje të nenit 102, pika 4 e Kushtetutës dhe të paragrafit të katërt të nenit 137, të ligjit nr. 10198 datë 10.12.2009 ‘për sipërmarrjet e investimeve kolektive’

Ministri i Financave
Udhëzon:
1. Rishpërndarja e bonove të privatizimit dhe të letrave të të përndjekurve, të investuara në fondet e investimeve, të krijuara në përputhje me ligjin nr. 7979 datë 26.07.1995 “Për fondet e investimeve” do të kryhet pranë bankave të nivelit të dytë që kanë shërbyer si banka depozituese të fondit përkatës.
2. Procesi i rishpërndarjes do të fillojë në datë 1 prill 2010 dhe do të mbyllet më 30 shtator 2010.
3. Për të përmbushur procedurat e rikthimit të bonove të investuara, bankat e nivelit të dytë, do të aplikojnë tarifat e shërbimit, sipas vendimit të organeve të veta vendimmarrëse.
4. Individët që kanë investuar në fondet e investimit, të krijuara në përputhje me pikën 1 të këtij udhëzimi e që dëshirojnë të rimarrin mbrapsht bonon/bonot e investuar/ investuara, duhet të paraqiten pranë sporteleve të bankës përkatëse për t’i tërhequr ato. Dokumentet identifikuese dhe dokumentacioni tjetër i nevojshëm, përcaktohet nga banka.
5. Kthimi i bonos/ bonove do të bëhet në vlerën e investuar sipas listave emërore të zotëruara nga banka depozitare.
6. Në përfundim të afatit të parashikuar në pikën 2 të këtij udhëzimi, banka depozitare, paraqet raportin me shkrim pranë Ministrit të Financave, në lidhje me sasinë e rishpërndarë të bonove si dhe sasinë e mbetur pa shpërndarë. Procedura e asgjësimit të bonove të mbetura, do të rregullohet me akt të veçantë, në përputhje me legjislacionin e fushës.
7. Në rast se individi që ka investuar në fondin e investimit, rezulton i vdekur, kthimi mbrapsht i bonos/ bonove të depozituara do të bëhet në përputhje me dispozitat e Kodit Civil që rregullojnë trashëgiminë.
8. Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në fletoren zyrtare.

Ridvan Bode
Ministër i Financave

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›