E Shtunë, 31 Tetor 2026

Markoviç: Biseda Meta-Tadiç garanci për ditë më të mira



Aristir Lumezi

“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë priten edhe më të mira”. Ministri serb për Administratën Publike dhe vetëqeverisjen, Milan Markoviç, i cili shoqëroi ministrin e jashtëm Ilir Meta gjatë vizitës së tij në Preshevë, e cilësoi këtë vizitë të një rëndësie të veçantë. Në krah të Ilir Metës, në mes të komunitetit shqiptar të Preshevës, ministri serb u shpreh optimist për të ardhmen e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. “Nuk ka dyshim se kjo vizitë ka një rëndësi të veçantë dhe mendoj se gjithçka po bëhet në mënyrë, që marrëdhëniet Tiranë-Beograd të jenë më të mira në të ardhmen. Unë mendoj se biseda që z. Meta ka zhvilluar me Presidentin Tadiç dhe Ministrin e Jashtëm Jeremiç është një garanci e mirë, që ditë më të mira do të pasojnë. Ne po punojmë që të avancojë jeta e të gjithë njerëzve, veçanërisht për banorët e Preshevës, Bujanovcit dhe Metvegjes, në mënyrë që këta fëmijë të kenë një të ardhme më të ndritur; por jo siç ka ndodhur në të kaluarën. Unë gjithmonë u kam thënë kolegëve të mi të luginës së Preshevës se ne nuk duhet të lejojmë që të rinjtë dhe fëmijët të mbahen peng nga e kaluara”, u shpreh ministri serb. Milan Markoviç udhëtoi me zv.kryeministrin dhe njëkohësisht Ministër i Jashtëm, Ilir Meta nga Beogradi drejt Preshevës për të zhvilluar një takim me shqiptarët e kësaj zone.
Markoviç e konsideroi vizitën e Ministrit të Jashtëm shqiptar një kontribut për marrëdhënie më të mira mes serbëve dhe shqiptarëve. “Ne do punojmë për të ardhmen që ata të kenë një jetë më të mirë. Dhe siç biseduam me z. Meta, gjatë 4 orëve rrugë nga Beogradi deri këtu, kemi prekur të gjitha temat që janë me interes dhe kemi rënë dakord se do të angazhohemi që gjithçka të bëhet më mirë. Mendoj se kjo vizitë e z. Meta është një kontribut, sidomos për marrëdhëniet më të mira të Shqipërisë dhe Serbisë”, u shpreh Markoviç.
Jehona e vizitës
Të gjitha mediat e shkuara dhe televizive serbe kanë komentuar vizitën e zv.kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm shqiptar, Ilir Meta në Beograd, duke e cilësuar atë historike dhe mjaft të rëndësishëm për marrëdhëniet dypalëshe. Agjencia më prestigjoze VIP, e cila furnizon me materiale të përmbledhura Trupin Diplomatik në Beograd shprehet se “Tadiç-Meta në favor të bashkëpunimit serbo-shqiptar”. Sipas saj, Serbia e Shqipëria duhet të rinovojnë marrëdhëniet mes tyre, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme për Kosovën”, ka deklaruar Presidenti Tadiç, pas takimit me zv/kryeministrin e ministrin shqiptar Ilir Meta. Gazeta më e madhe në Serbi, “Politika” në komentin e saj për vizitën e Metës në Beograd, citon fjalët e ministrit shqiptar i cili tha se, Serbia është një partner i jashtëzakonshëm i Shqipërisë. “Bashkëpunimi mes shteteve, është e vetmja mënyrë për përshpejtimin e integrimeve evropiane, gjë që është qëllimi ynë i përbashkët”, shkuan “Politika”.

Rama: Majko të tregojë patriotizmin

Sekretari i LSI-së për marrëdhëniet me publikun, Luan Rama iu përgjigj deklaratës së djeshme të Pandeli Majkos për vizitën e Ilir Metës në Serbi. Sipas Majkos, kjo vizitë ishte e gabuar dhe në kohën e gabuar. Luan Rama tha dje se “nuk është hera e parë dhe as e fundit që zoti Majko bën deklarata të tilla të papërgjegjshme dhe në inkoherencë të plotë me trendin europianizues të rajonit”. “Kjo deklaratë e zotit Majko, i cili, nëse është vërtet kaq patriot sa duket, le të ndërmarrë si akt të patriotizmit të tij, procedura për të ndryshuar mbiemrin, pasi dallohen lehtë diferencat semantike dhe çdo diferencë tjetër mes emrit Ilir dhe mbiemrit Majko”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›