E Diel, 1 Nëntor 2026

Oferta e Ruçit, PD: S’dalim mbi gjykatat



ADI SHKEMBI

Pavarësisht qëndrimit të PS-së se ajo mund të heqë dorë nga hapja e kutive nëse vëren se në materialet zgjedhore nuk ka manipulime, maxhoranca nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj. Deputetët e Partisë Demokratike, anëtarë të komisionit të ligjeve, Genti Strazimiri dhe Eduard Halimi i referohen vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ligjit themeltar lidhur me propozimin e ri të socialistëve.
Propozimi i Ruçit
Dy ditë më parë në një intervistë në “Ora e Debatit”, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi tha se forca e tij politike do të tërhiqej nga kërkesa për hapjen e kutive të votimit nëse ajo verifikonte se në materialet zgjedhore nuk kishte manipulime. Duke iu referuar pretendimit se mbi 70 mijë karta ishin të falsifikuara dhe u përdorën në 28 qershor, Ruçi hodhi propozimin e ri për zgjidhjen e krizës. “Unë po bëj një sfidë të re, meqë Saliu nuk iu përgjigj sfidës së parë. Unë i disponoj këto karta. Nuk dua të hap kutitë, por kërkoj nga maxhoranca listat e zgjedhësve që ndodhen në materialet zgjedhore. Nëse e vërtetoj se këta persona kanë votuar, do të kërkoj të hapen kutitë. Unë nuk flas në emrin tim. Të më japë listat e zgjedhësve dhe procesverbalet dhe nëse nuk vërtetohen pretendimet tona mbi manipulimin, ne heqim dorë nga kërkesa për hapjen e kutive”, theksoi kreu i asamblesë së PS-së. Sipas tij “nëse nuk vërtetohen akuzat tona, ne tërhiqemi nga kauza jonë për hapjen e kutive të votimit. Unë dua të shkoj në Prokurori përmes një hetimi të plotë që do të bëj në Parlament. Unë nuk jam një qytetar i thjeshtë, por përfaqësues i një elektorati të tërë”.
Reagimi i PD
Por pavarësisht këtyre deklaratave sipas Partisë Demokratike hetimi i zgjedhjeve duhet bërë duke iu referuar pikërisht Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit nuk mund të dilet mbi një vendim gjyqësor. Anëtarët e komisionit të ligjeve, Eduard Halimi dhe Genti Strazimiri konfirmojnë sërish se qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar. “Duhet të kihet diçka parasysh se në ato çështje ku ka pasur proces gjyqësor ose në çështjet ku prokuroria ka bërë ose është duke bërë hetim nuk mundet që të shqyrtohen nga Parlamenti. Kuvendi as nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatave dhe as nuk mund të dublojë prokurorinë”, tha Halimi. Ndërsa deputeti Genti Strazimiri, ish zv.ministër i Brendshëm, “ne jemi gati për transparencë të plotë dhe hetim të zgjedhjeve brenda kornizës kushtetuese dhe vendimeve të gjykatës kushtetuese”. PD dhe PS duken ende larg me qëndrimet e tyre lidhur me hetimin e zgjedhjeve edhe pse qëndrimi i ndërkombëtarëve ka qenë i prerë në këtë pikë. Dy ditë më parë drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Pierr Mirel kërkoi në Tiranë që forcat politike të gjejnë konsensusin deri në 18 mars, ditë në të cilën Kuvendi do të votojë propozimet e socialistëve. “Ne sot mirëpresim kthimin e anëtarëve të PS-së në Parlament. Ky është një zhvillim politik dhe shpresojmë që diskutimet që po ndodhin në komisionin e çështjeve ligjore të çojnë në zgjidhje të kënaqshme dhe të përhershme. Dhe prandaj kërkesa ime për këtë komision do të ishte që të gjendeshin zgjidhje që do të çojnë në marrëveshje në konsensus, sepse ky është esencial thelbësor që Shqipëria të tregojë se është demokraci e pjekur”, tha zyrtari i lartë i KE-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›