Hetimi i zgjedhjeve, PD çon të hënën amendamentet në Kuvend
Komisioni i ligjeve pritet të përfshihet nga debatet e nxehta të hënën kur të diskutohen nen për nen amendamentet e PS-së për ligjin për ngritjen e komisioneve hetimore si dhe ngritjen e një komisioni për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Pas diskutimit në parim në tre seanca gjatë kësaj jave, maxhoranca dhe opozita janë parë qartë se nuk po lëvizin nga pozicionet e tyre, ku shumica është dakord për bërjen e një hetimi por pa prekur kutitë për të cilat ka një vendim gjykate, ndërsa nga ana e saj opozita kërkon një hetim të plotë dhe të pakushtëzuar duke përfshirë këtu edhe hapjen e kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore. Por përveç propozimeve të PS-së, deputetët në komisionin e ligjeve do të diskutojnë të hënën edhe për një draft amendamentesh që do të paraqiten nga Partia Demokratike. Burime nga selia blu bëjnë të ditur për gazetën se këto amendamente do të konsistojnë pikërisht në vënien e theksit në vendimet e gjykatave dhe hetimet e prokurorisë, çka sipas tyre pengon hapjen e kutive të votimit. Dy forcat e mëdha politike do të kenë tre ditë kohë për të gjetur gjuhën e përbashkët në komisionin e ligjeve, në mënyrë që të mos shkojnë me dy qëndrime në Kuvend në 18 mars kur edhe është parashikuar nga konferenca e kryetarëve votimi i draftit të PS-së.