Stojku :Sot mbyllen shkarkimet në Vaun e Dejës
Sot mbyllet porta e shkarkimit në hidrocentralin e Vaut të Dejës. Prej disa ditësh KESH njoftoi për fillim të shkarkimeve në HEC-in e fundit të kaskadës së Drinit të cilat arrinin në kuotën e 300 m3/s. Rihapja e portës në këtë hidrocentral u bë pas dy javësh që nga shkarkimet e fundit që nisi korporata për efekt të prurjeve masive. Këtë herë shkarkimet nuk janë bërë për arsye të ndonjë rreziku të rritjes së nivelit, por siç edhe konfirmon drejtori i KESH Muharrem Stojku ato janë bërë për efekt të shërbimeve që po ju bëhen hidrocentraleve. “Prej disa muajsh po punohet me kapacitete të plota në gjithë hidrocentralet e kasakdës së Drinit dhe për këtë po bëjmë edhe disa shërbime për të siguruar mirëfunksionimin e tyre” tha kreu i KESH për gazetën. Ai theksoi se prodhimi me kapacitete të plota do të vazhdojë edhe në vijim duke shfrytëzuar situatën e mirë hidrike. Ndërkohë që duket se koha e mirë ka dhënë efektet e saj pozitive të cilat ndjehen që në pasqyrën e të dhënave për kasakdën e Drinit. Dje Fierza shënonte një nivel prej 293.92 metra kurse Komani 171.3. Vau i Dejës dje shënonte nivelin 75.4. Gjatë këtyre ditëve siç konfirmon edhe kreu i KESH Stojku prodhimi ka qenë në nivele të larta dhe vetëm dje janë prodhuar 28.2 milion kwh kurse eksporti ka ruajtur nivelet e 14.4 milion kwh në ditë.
Situata dje ne oren 20:00
Fierza
Niveli 293.92 metra
Prurje 460 m3/s
Koman
Niveli 171.3 metra
Prurje 130m3/s
Vau i Dejës
Niveli 75.4 metra
Prurje 100 m3/s
Prodhimi 28.2 milion kwh
Eksport 14.4 milion kwh