Ilir Beqja: INSTAT fsheh krizën ekonomike
Opozita dhe maxhoranca kanë replikuar në distancë, për sa i përket deklaratës që kreu socialist Rama bëri një ditë më parë, duke akuzuar Institutin e Statistikave për fshehjen e krizës ekonomike dhe që sipas Ramës në këtë mënyrë është bërë vegël në duart e Qeverisë. Ish-zv.ministër i Financës, Florian Mima, aktualisht deputet i PD-së, akuzoi kreun e selisë rozë se qëllimisht do të godasë besueshmërinë e INSTAT; duke dhënë gjithashtu shifra për atë që Qeveria e quan situatë të mirë të ekonomisë vendase. Akuzave të opozitës për manipulim të statistikave, INSTAT i është përgjigjur dje me një ftesë të hapur për të ndjekur nga afër mënyrën se si ky institut punon. Drejtoresha Ines Nurja, gjatë një konference u shpreh se institucioni që ajo drejton nuk merret me politikë por me statistika dhe rrjedhimisht puna që bën INSTAT nuk mund te vlerësohet nga dëshirat e politikanëve të çfarëdo spektri politik. Duke theksuar faktin që çdo e dhënë që përpunohet dhe publikohet nga instituti është transparente Nurja ka preferuar të përplasë akuzat e opozitës me vlerësimet e institucioneve financiare ndërkombëtare. “Në deklaratën e misionit të fundit të FMN-së thuhet shprehimisht se Statistikat Makroekonomike janë thelbësore për politikëbërjen kompetente, si dhe për të rritur besimin e investitorëve. Instituti Kombëtar i Statistikave INSTAT ka bërë përparim të dukshëm gjatë viteve të fundit” u shpreh ajo. Më tej Nurja ju referua edhe Raport Progresit të fundit të Komisionit Evropian “ku vlerësohet puna e INSTAT duke theksuar që është bërë progres në fushën e statistikave, si dhe shpreh vlerësimin për një sërë vrojtimesh që ka bërë ky institucion”. Deklaratat e PS, ajo ka preferuar t’i komentojë si hedhje tymi mbi punën që bën INSTAT. Deputeti socialist Ilir Beqja, INSTAT prej disa muajsh fsheh të vërtetën e shifrave, pa u treguar shqiptarëve se sa janë shtrenjtuar shpenzimet e tyre. “Prej muajsh Partia Socialiste ka ndjekur me shqetësim fshehjen, deformimin dhe shtrembërimin që po i bëhet statistikave zyrtare nga instituti i statistikave që është katandisur në një vegël në shërbim të demagogjisë së Sali Berishës. Ka katër muaj që INSTAT nuk është në gjendje t’u tregojë shqiptarëve se sa janë shtrenjtuar shpenzimet shëndetësore, sepse vetë pranon se nuk e di sa janë të siguruar e të pasiguruar në Shqipëri. Prej disa javësh në tejkalim të afateve ligjore INSTAT nuk u tregon shqiptarëve se cili është volumi i tregtisë me pakicë në vitin 2009. Për PS informacioni statistikor është e mirë publike dhe detyrim publik” u shpreh Beqja.