E Shtunë, 31 Tetor 2026

ODIHR: S’ka prova për manipulim të rezultatit

 

Aristir Lumezi

“Nuk ka prova që dëshmojnë se rezultati i zgjedhjeve është manipuluar”. Ky është konkluzioni i raportit përfundimtar të vëzhguesve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 28 qershorit. “Nuk ka asnjë provë të numërimit të parregullt ose manipulimit të rezultateve, dhe parregullsi jo të mëdha në qendra, përveç bllokimit të numërimit në disa qendra”, thuhet në raportin e OSBE-ODIHR-it. Raporti edhe pse vëren se procesi i numërimit të votave nuk ishte në nivelin e pritur, përjashton mundësinë e manipulimit të këtij procesi. Ashtu si edhe në raportin paraprak, Misioni i OSBE/ODIHR nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me procesin e numërimit. Kështu vëzhguesit kanë vlerësuar se numërimi i votave ishte i keq, apo shumë i keq, në 22 nga 66 qendrat ku u krye ky proces. Misioni vuri theksin te mangësitë procedurale që duket se janë të pjesshme, për shkak të trajnimit dhe udhëzimeve të pamjaftueshme. “Sistemi i ri elektronik i monitorimit, me të cilin çdo votim ishte vendosur nën një kamera dhe iu tregohej vëzhguesve në ekranet e mëdha, disa metra larg nga tavolina e numërimit, duket se ka arritur vetëm pjesërisht qëllimin e rritjes së besimit, dhe transparencës së procesit, por shpesh nuk ishte e mundur për të parë se cila parti ishte zgjedhur në votim pasi mbi ishte vendosur një grumbull”, thekson raporti. Sipas misionit, “ndërsa numërimi përparoi, partitë politike filluan të ndërhynin në mënyrë më aktive, veçanërisht kur rezultatet ishin afër mbylljes. Si rezultat, procesi u zvarrit në disa zona dhe qendra pasi kishte probleme në kontrollin e procesit. Në disa qendra kutitë e votimit nuk u numëruan, apo rezultatet nuk u përfshinë në tabelën totale e Rezultateve për Zona të Administrimit Zgjedhor”. Dita e votimet është vlerësuar si e qetë nga vëzhguesit e huaj, sipas të cilëve gjatë hapjes së qendrave të votimit, u vunë re probleme në lidhje me regjistrimin e numrave serik të vulave të kutive të votimit dhe materiale të humbura zgjedhore. KQZ në raport cilësohet me ndikime politike veçanërisht gjatë procesit të apelimeve. Raporti i vëzhguesve vëren se ka pasur presione në administratën publike, por dhe atë vendore për angazhim në fushatë për njërën apo tjetrën parti. “OSBE-ODIHR, misioni i vëzhguesve zgjedhorë, ka marrë shumë denoncime nga zona të ndryshme të vendit, për presione ndaj punonjësve të sektorit publik, duke përfshirë dhe kërcënime për humbje të vendit të punës, nëse merr pjesë në mitingjet elektorale të PS-së ose nëse mbështet opozitën. Këto veprime bien ndesh me paragrafin 7.7 të OSBE-së. Në një shkollë të qarkut të Tiranës, drejtori i shkollës ka kërcënuar me pushim nga puna të mësuesve nëse ata nuk votonin për PD. Madje u ka kërkuar atyre të fotografojnë fletën e votimit, si provë se për kë kanë votuar. Por dhe përdorimi i pushtetit vendor në fushatë konsiderohet në kundërshtim me kodin zgjedhor. “Bashkia e Tiranës është përdorur më rrallë në ngjarjet zyrtare të fushatës së PS-së. Më e rëndësishmja, një aktivitet, Dita Botërore e Muzikës, e organizuar nga Bashkia e Tiranës, duke i dhënë një hapësirë të madhe numrit “33” në skenë, numër që i përkiste vendit të PS-së në fletën e votimit”, thuhet në raport. 
Raporti shprehet kritik dhe ndaj inaugurimeve të punëve publike që Kryeministri Berisha ka bërë në funksion të fushatës zgjedhore, siç është inaugurimi i një segmenti të rrugës Durrës-Kukës apo të H/C të Bushatit.

kritikat për procesin zgjedhor

=    Dita e zgjedhjeve në përgjithësi ishte e qetë dhe paqësore. Gjatë hapjes së qendrave të votimit, u vunë re probleme në lidhje me regjistrimin e numrave serik të vulave të kutive të votimit dhe materiale të humbura zgjedhore. Vëzhguesit vlerësuan pozitivisht votimin në 92 për qind të qendrave të votimit që vizituan, por vunë në dukje disa shkelje procedurale.
=    Numërimi i votave është vlerësuar si i keq, apo shumë i keq, në 22 nga 66 qendrat e votimit. Vëzhguesit e MNVZ vunë në dukje mangësitë procedurale, që duket se janë të pjesshme, për shkak të trajnimit dhe udhëzimeve të pamjaftueshme.
=    Ndërsa numërimi përparoi, partitë politike filluan të ndërhynin në mënyrë më aktive, veçanërisht kur rezultatet ishin afër mbylljes. Si rezultat, procesi u zvarrit në disa zona dhe qendra pasi kishte probleme në kontrollin e procesit. Në disa qendra kutitë e votimit nuk u numëruan, apo rezultatet nuk u përfshinë në tabelën totale e Rezultateve për Zona të Administrimit Zgjedhor.
=    Gjatë apelimit pas procesit zgjedhor, ndarjet politike brenda KQZ-së ishin edhe më të qartë se në periudhën para-zgjedhore. Anëtarëve të KQZ-së dhe përfaqësuesit e partive bënë deklarata të shumta politike dhe të panevojshme.
=    Kryeministri inauguroi një pjesë të autostradës Durrës-Kukës në 25 qershor, në prezencë të kryeministrit turk dhe atij të Kosovës, në këtë ngjarje, podiumi që u përdor për fjalët e të ftuarve, kishte sloganin e fushatës së PD-së.
=    Në një shkollë të qarkut të Tiranës, drejtori i shkollës ka kërcënuar me pushim nga puna të mësuesve nëse ata nuk votonin për PD. Madje u ka kërkuar atyre të fotografojnë fletën e votimit si provë se për kë kanë votuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›