Salihi, “gol të artë” për rekordin e SV Ried
Me “golin e tij të artë”, sulmuesi 25-vjeçar Hamdi Salihi i siguroi fitoren 1-0 SV Riedit, duke futur në një krizë të parakohshme kampionët në fuqi të Austrisë, Salzburgun.
Goli i sulmuesit shqiptar i siguroi klubit të tij edhe një rekord unikal skuadrës së tij. SV Ried është i pamundur në shtëpi prej 20 ndeshjesh rresht, për më tepër që kjo kundër Salzburgut regjistroi fitoren e gjashtë radhazi.
“Goldtor”-i (goli i artë) i shkodranit mori vlerë të spikatura simbolike, pasi u shënua kur Salihi ishte ende i pashëruar mirë, teksa kishte marrë antibiotikë përpara fillimit të ndeshjes.
Media austriake (Nachrichten.at) e konsideron shqiptarin si “heroin absolut të takimit”, duke rikonfirmuar faktin se ai është një sulmues i lindur.
Antibiotikë para ndeshjes
Nëntëdhjetë minuta përpara fillimit të takimit, trajneri i SV Ried, Paul Gludovatz, nuk ishte ende i bindur nëse duhet ta përfshinte lojtarin në 18-shen e takimit. Shkak ishin bajamet e Hamdiut ende të acaruara, ndërkohë që gjatë ditës së shtunë Salihi ishte i detyruar të merrte antibiotikë.
Gjithsesi, Gludovatz, mendoi se ia vlente të rrezikonte duke e pasur shqiptarin në bankinë, duke e konsideruar gjithmonë si një “as nën mëngë” e me mendimin për ta hedhur disa minuta në fushë nëse do të lindte nevoja me gjithë problemeve shëndetësore.
Trajneri Paul Gludovatz, një trajner me mentalitet fituesi, edhe kësaj radhe kishte arsye “pse t’i fërkonte duart nga gëzimi”. Vendosi të hedhë Salihin në fushë në minutën e 70-të, dhe tri minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt, pas një gjuajtje të lirë nga Stefan Leksa, sulmuesi shqiptar përfitoi nga pamundësia e mbrojtjes së Salzburgut për ta bllokuar, duke goditur me kokë topin në rrjetë dhe siguruar fitoren.
“Kjo edhe për faktin se ai është ‘mbrojtësi’ unë i parë, - thotë trajneri i tij, Paul Gludovatz. “Një lojtar, i cili lufton gjithmonë për ekipin, qëndron në pritje përpara 16-shes, si një egoist i madh në pritje të shansit që i jepet, dhe nëse ia krijojnë këtë mundësi ai mund të shënojë edhe pesë apo gjashtë gola”.
Vetë Salihi citohet nga faqja austriake: “Gola të tillë më japin kënaqësi të dyfishtë. Para së gjithash, pasi ne fituam ndeshjen. Ishte një gol i rëndësishëm dhe një fitore e rëndësishme. Ne duhet të jemi të kënaqur për pikët dhe për dy ndeshjet tona të para”.
1 gol
ka shënuar Hamdi Salihi gjatë dy ndeshjeve të para të këtij sezoni me SV Ried, pikërisht kundër Salzburgut të shtunën e kaluar
33 gola
ka realizuar bomberi shkodran në 78 ndeshje kampionati me fanellën e skuadrës austriake, qysh kur mbërriti në janar të vitit 2007
Çipi: “Jo largime, por afrime te Flamurtari”
Nuk do të ketë asnjë largim të lojtarëve nga Flamurtari, edhe pse fituesja e Kupës së Shqipërisë, regjistroi një humbje të turpshme 8-1 me skocezët e Madhëruellit në ndeshjen e kthimit të turit të dytë kualifikues të Ligës së Europës. Lajmin e bëri të ditur shefi i klubit vlonjat, Geri Çipi. “Nuk kemi ndërmend të largojmë lojtarë, mbasi nuk do të na favorizonte, njëherësh largimi i lojtarëve nuk shihet si mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur humbjes së thellë në Skoci. Ne do të shtojmë kontingjentin për t’i ardhur në ndihmë të gjitha reparteve, njëherësh kjo do të shtojë edhe konkurrencën”, - tha ish-mbrojtësi i shquar i Kombëtares shqiptare, Geri Çipi.
Talentet drejt Europës
Veliu në Skoci, Plaku në Portugali
Disa nga lojtarët më të spikatur të kampionatit shqiptar janë në prag të testimeve me skuadra të kampionateve të ndryshme europiane. Pak javë më parë në Ukrainë, te Krivbasi, u transferua ish-mesfushori i njohur i Tiranës dhe Kombëtares sonë, Ansi Agolli, ndërkohë që ish-lojtari i Vllaznisë, Gilman Lika, firmosi për Bolusporin në Turqi. Mesfushori i avancuar i Teutës, Emiljano Vila u transferua te Dinamos e Zagrebit në Kroaci, për t’u huazuar më pas te një skuadër satelite e kampionëve kroatë, Lokomotiva e Zagrebit. Sulmuesi shkodran Xhevair Sukaj është në pritje të provës te Hansa Rostok në Bundesligën 2, ndërkohë që të tjerë futbollistë të talentuar synojnë klube të njohur
VELIU
Mbrojtësi i Flamurtarit, Franc Veliu (21 vjeç) mund të transferohet te 42-herë kampionët e Skocisë, Sëlltikut të Gllazgout, skuadër ku më parë ka luajtur edhe ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, shkodrani Rudi Vata (1993-1996). Veliu do të niset në Skoci javën e ardhshme. Më parë futbollisti vlonjat i Kombëtares U-21 është ndjekur edhe nga klubi i njohur anglez, Portsmouth, një lajmi u publikuar në muajin prill të këtij viti nga gazeta e njohur britanike “Mirror”. Veliu (46 ndeshje me Flamurtari, nga viti 2006) ka luajtur dy herë kundër Skocisë U-21 si dhe me Flamurtarin kundër Madhëruellit.
PLAKU
Sulmuesi i Dinamos, Sebino Plaku, do të provohet te skuadra portugeze e Ligës së Parë, Vitoria e qytetit Guimaresh. Lajmi bëhet i ditur nga menaxheri Gëzim Mançe, drejtuesi i “Global Sports Menagement”. Në Portugali më parë kanë luatur Eduard Abazi dhe Klevis Dalipi. Plaku, i cili më parë është testuar me Bran Bergen dhe Valerengën në Norvegji, ka qenë pjesë e Hamkamit (Norvegji), me të cilin nënshkroi një kontratë 4-vjeçare, por që më pas kartoni i tij u ble plotësisht nga presidenti i klubit, Besnik Sulaj në janar 2009. Plaku shënoi kampionatin e kaluar 18 gola, duke i qenë i dyti pas Migen Memellit të Tiranës. Dinamo aktualisht ndodhet në Mavrovë të Maqedonisë për të kryer fazën përgatitore.
Beqiri, në listën e Bulonjës në Francë
Nuk është ende zyrtar kalimi i Elvin Beqirit te Bulonja në Francë, por në listën e lojtarëve të skuadrës franceze, e cila pjesë për herë të parë në historinë e saj në Ligën e Parë franceze, figuron emri i ish-mbrojtësit të Vllaznisë. 28-vjeçari, Beqiri, një nga mbrojtësit e spikatur të Kombëtares shqiptare, ka dhe një të kaluar futbollistike në Ukrainë, Izrael e Rusi.
Hanover 96, sezoni nis pa Altin Lalën
Hanover 96 do ta fillojë sezonin 2009-2010 pa Altin Lalën. Lajmi u dha nga faqja gjermane Sport1.de. Mesfushori shqiptar 33-vjeçar u dëmtua në testin kundër skuadrës së kategorisë së gjashtë, FC Vismar (1-2) dhe duhet të qëndrojë jashtë fushave për të paktën dy javë. Lala është pas Leon Andreasen dhe Jan Shlaudraf, lojtari i tretë i ekipit nga Saksonia e Poshtme që do të mungojnë në ndeshjen e parë të Bundesligës.
Cana, stërvitja e fundit me Marsejën
Edhe pse ka nënshkruar një kontratë luksoze me Sandërlendin, Lorik Cana, i cili do të mbërrijë të mërkurën në Angli, vazhdon të stërvitet me Olimpikun e Marsejës. Lajmi jepet nga faqja franceze, foot1.com, sipas së cilës, ish-kapiteni i marsejëzëve synon të ruajë formën përpara se të jetë nën urdhrat e trajnerit të ri të tij, Stiv Brus. Të martën ish-lojtari i Paris Sën Zhermeni zhvilloi edhe stërvitjen e fundit në tokën franceze.
29 Korrik 2009