E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fondet, kryebashkiakët ankohen për mungesa

TAKIMI/ Prefekti i Elbasanit zhvilloi një takim me krerët e bashkive për menazhimin e fondeve

ELBASAN- Menaxhimi i fondeve dhe investimit ishin tema qendrore në takimin që prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, zhvilloi me krerët e bashkive në nivel qarku. Ai kërkoi nga bashkitë që kanë pasur një shtim të buxhetit të deleguar nga Buxheti i Shtetit që të rrisin numrin e investimeve, dhe jo të justifikohen me shpenzime të fryra operative. Më tej Deliallisi kërkoi nga kryebashkiakët që të luajnë një rol më cilësor në këshillat bashkiakë. Sipas tij, në shumë vendime, këshillat tejkalojnë kompetencat dhe bien në kundërshtim me ligjin. Kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini, mbështeti prefektin në çështjen e tejkalimit të kompetencave të këshillit për strehimin. Ai e cilësoi komisionin e strehimit nga këshilltarët si një dëshirë të partive. Megjithatë, Sejdini tha se prefektura shpesh nuk konfirmonte vendimet dhe e cilësoi si tejkalim kompetencash të saj kërkesën për më shumë sqarime e preventive nga auditi. Gjatë këtij takimi, ishin kryetarët e bashkive të vogla që ngritën si shqetësim mungesën e fondeve. Sipas kryebashkiakut të Peqinit, Ilir Rrusha, kur Bashkia e Elbasanit merr 1 milion euro, bashkia e tij merr vetëm 1 mijë euro, duke e cilësuar shpërndarjen e fondeve si të padrejtë. Ankesa e tij është mbështetur edhe nga Bashkia e Librazhdit dhe Përrenjasit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›