E Shtunë, 31 Tetor 2026

Identifikohen dy viktimat e tjera të tragjedisë

BUTRINT/ Në kërkimet për 17-vjeçarin Ndriçim Myftari, polumbarët nxorën trupat e dy personave të tjerë të humbur

Katër vetë janë në kërkim nga policia të akuzuar si organizatorë, rekrutues, transportues e strehues të klandestinëve

Shtohet numri i viktimave të tragjedisë së të dielës në mbrëmje. Ndërsa shpresohej se gjithçka ishte mbyllur me vajtimin e Elvira dhe Klara Jahos, dje paradite polumbarët nxorën dy trupa të tjerë, të dy personave të cilët as që kërkoheshin. Pas thirrjeve të policisë, marrjes në pyetje të dëshmitarëve, në orët e vona të së martës u identifikua shtetasi nga Fieri Festim Hoxha, ndërsa personi tjetër dyshohet të jetë Amarildo Kuka, po nga Fieri. Por, me gjithë identifikimin e shpejtë, frika se shumë persona që ndodheshin në varkë janë mbytur e askush nuk di gjë për ta, është shtuar. Në njoftimin e saj, policia u shpreh se personat e shoqëruar janë grumbulluar nga organizatorët e këtij trafiku, nga zona të ndryshme të vendit dhe nuk kanë njohje me njëri-tjetrin. Ky fakt ka bërë që edhe identifikimi i personave, si dhe gjetja e numrit të saktë të atyre që do të kalonin kufirin, të jetë i pasaktë. Nga deklarimet e personave të shoqëruar, hidhen dyshime se mund të jetë mbytur edhe shtetasiNdriçim Myftari, i cili është në kërkim, por që, me gjithë kërkimet e kryera në ujë e terren, gjetja e tij nuk është bërë e mundur.

Organizimi

Dy janë personat e vënë në pranga për këtë tragjedi, ndërsa katër janë në kërkim në të gjithë vendit. Ndërsa 27 vetë u shoqëruan dhe u pyetën në komisariatin e policisë. Deklarimet e personave të pyetur nxorën emrat e Ahmet Bushit, pronarit të varkës, i cili u arrestua që të dielën. Më pas u prangos edhe Bashkim Sena që dyshohet se është njëri nga organizatorët dhe që merrej me mbledhjen e personave. Shtetasit Dashamir Mane, Brahim Madhi, Hyqmet Sollaku dhe Albert Gega janë në kërkim. Ata u cilësuan nga uniformat blu si organizatorët, rekrutuesit, transportuesit dhe strehuesit e shtetasve që do të kalonin kufirin në mënyrë të jashtëligjshme.

Kërkimet

Ndërkaq, menjëherë pas ngjarjes, në Butrint, mbërritën njësi speciale të RENEA-s, si dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë, me qëllim kryerjen e kërkimeve profesionale në ujë. Ditën e hënë, polumbarët kërkuan gjashtë orë nën ujë, por mundën të gjejnë vetëm rroba dhe sende vetjake të personave të rënë në ujë. Në kërkimet e ditës së martë u arritën të nxirren trupat e dy personave, njëri i identifikuar si Festim Hoxha dhe tjetri i dyshuar si Amarildo Kuka, të dy shtetas nga qyteti i Fierit. Dy trupat u nxorën në orën 11:20 dhe 12:45. Ndërkohë, kërkimet për të gjetur persona të tjerë vazhdojnë si në ujë, ashtu edhe në tokë.

Katër viktimat

Elvira Jaho

Klara Jaho

Festim Hoxha

Amarildo Kuka

I zhdukur

Ndriçim Myftari

Vështirësitë

Policia u shpreh se personat e shoqëruar janë grumbulluar nga organizatorët e këtij trafiku, nga zona të ndryshme të vendit dhe nuk kanë njohje me njëri-tjetrin. Ky fakt ka bërë që edhe identifikimi i personave, si dhe gjetja e numrit të saktë të atyre që do të kalonin kufirin, të jetë i pasaktë. Nga deklarimet e personave të shoqëruar, hidhen dyshime se mund të jetë mbytur edhe shtetasiNdriçim Myftari, i cili është në kërkim, por që, me gjithë kërkimet e kryera në ujë e terren, gjetja e tij nuk është bërë e mundur.

INTERVISTA/ Drejtori i qarkut të Vlorës shprehet se do ta kërkojnë zonën cep më cep derisa të gjejnë gjithçka të humbur

Bushati: Nuk e dimë nëse ka trupa të tjerë nën ujëVehbi Bushati, drejtori i policisë së qarkut të Vlorës, është një nga personat që po ndjek nga afër kërkimet që po bëhen në Butrint, vendin ku ndërruan jetë katër shtetas e rrezikuan shumë të tjerë. Ndërsa është në detyrë, ai përgjigjet për gazetën “Shekulli” lidhur me atë çka po ndodh në qytetin jugor të vendit.

Zoti Bushati, sa është numri i viktimave të gjetura sot (dje) dhe a janë identifikuar?

Janë dy trupa të gjetur sot (dje) nga polumbarët dhe dyshojmë se janë dy qytetarë nga Fieri. Vetëm gjysmë ore më parë u identifikua shtetasi Festim Hoxha, ndërsa presim identifikimin e personit tjetër. Ndërkohë iu kemi bërë thirrje të gjithë njerëzve që mendojnë se kanë të afërm të tyre të përfshirë në këtë ngjarje që të vijnë dhe të bashkëpunojnë.

Trupat e gjetur u përkisnin personave që ishin në barkë?

Sigurisht!

A kemi të bëjmë me organizatorët e trafikut?

Jo, asnjëri prej tyre nuk është në listën e organizatorëve.

Pritet që të ketë trupa të tjerë nën ujë?

Kërkimet po bëhen cep më cep. Nuk do të lëmë asnjë vend pa kontrolluar dhe vetëm kur ta kemi mbaruar kontrollin e plotë do të themi se i kemi mbaruar kërkimet dhe se nuk ka më trupa.

A janë kryer arrestime?

Po, dy arrestime u kryen që në fillim. U vunë në pranga Ahmet Bushi dhe Bashkim Sena. Ndërkaq pritet arrestimi i katër organizatorëve të tjerë të trafikut, të cilët po kërkohen në të gjitha rrethet e vendit.

DEKLARATA

Rama: Tragjedia e Butrintit, nga mungesa e shtetit

Kreu i PS-së reagoi dje lidhur me tragjedinë e ndodhur të dielën në mbrëmje në Butrint. Në një konferëncë për shtyp për këtë ngjarje ai tha: “Një tjetër tragjedi mori të tjera jetë njerëzish në kushtet e mungesës së frikshme të shtetit. Në sytë e policisë së shtetit u zhvillua këtë radhë shfaqja makabre e një tragjedie që përsëri ka përgjegjës të drejtpërdrejtë shtetin që mungon, qeverinë që i ka lënë punët e shtetit për të bërë punët e klanit Berisha dhe Kryeministri i cili është tërësisht i përfshirë në konfliktin e tij privat me institucionet. Përsëri të tjera familje shqiptare duhet të qajnë dhe të vajtojnë humbjen e të dashurve të tyre, për shkak se shteti nuk siguron dot jetën e njerëzve, nuk e mbron dot, nuk bën asgjë që njerëzit të kenë një jetë të mbrojtur, të sigurt dhe me dinjitet. E pra, nëna, foshnja e saj dhe djali i humbur në përpjekjet për t'i ikur një varfërie të skajshme, janë të tjerë dëshmitarë të një sakrificie të patolerueshme, për shkak të një shteti i cili është tërësisht i paaftë për të mbrojtur qytetarët e qytetaret e tij, për t'u garantuar atyre punë, mirëqënie dhe perspektivë. Varfëria e pangushëllueshme, po shtyn përsëri familje shqiptare në rrugën e arratisë, ku përsëri pati viktima, viktima të një ëndrre të mbytur thjesht, sepse të mbetur pa punë e pa shtëpi, iu duhej ta kërkonin gjetkë mbijetesën e tyre”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›