Ndërhyn për të ndarë konfliktin, pistoletë në ballë policit
DURRËS- Ndërhyn për të ndarë një sherr, por vetëm pak më pas shikon një pistoletë të drejtuar ndaj tij. Një nga efektivat e policisë së Durrësit, tentoi të ndante një konflikt të nisur para një lokali një natë më parë, duke gdhirë dita e martë, por personi i cili nisi sherrin nuk ngurroi t’i drejtonte armën, madje duke e shkrepur atë. Fatmirësisht, arma nuk realizoi qitje, gjë që çoi në shpëtimin e jetës së policit, ndërsa autori i ngjarjes u shpall në kërkim nga policia.
Ngjarja
Rreth orës 03:45 të së martës, përpara një lokali pranë qendrës së qytetit të Durrësit, një shtetas tentoi të lëvizte makinën. Por, kamerieri i lokalit e kishte vendosur automjetin e tij keq, duke bërë që shoferi ta godiste dhe të dëmtonte të dy automjetet. Pas kësaj, ai zbriti nga makina dhe iu drejtua lokalit, ku, pasi gjeti pronarin e makinës që, sipas tij, ishte parkuar keq, nisi ta godiste dhe ta tërhiqte zvarrë. I pranishëm në vendngjarje ishte edhe një punonjës i policisë, i veshur civil, i cili pasi pa skenën reagoi duke kërkuar nga dhunuesi që të ndalonte dhe ta zgjidhte çështjen në mënyrë ligjore. Por një gjë e tillë nuk ndodhi. Madje, shtetasi reagoi dhunshëm duke i drejtuar pistoletën njeriut që iu prezantua si polic dhe duke e shkrepur atë. Por arma nuk realizoi qitje. Më pas, ai u largua disa metra dhe e shkrepi sërish armën, e cila, ndoshta, për shkak të ndonjë defekti nuk realizoi qitje për herë të dytë. Pas një ngjarjeje të tillë, efektivi nxori pistoletën, reagim që bëri që dhunuesi të largohej me vrap dhe ta hidhte pistoletën rrugës, duke u larguar në drejtim të paditur.
Hetimet
Menjëherë pas ngjarjes u njoftuan uniformat blu dhe vetë polici dha dëshminë e tij, bashkë me personat e tjerë që ndodheshin në lokal. Si autor i ngjarjes u identifikua shtetasi 34-vjeçar Shyqyri Tartari. Ndërsa nga ekzaminimi i armës së hedhur prej tij u pa se në të ndodheshin tre fishekë. Tashmë mbi Tartarin, i cili ndodhet në kërkim në të gjithë vendin rëndon akuza e vrasjes së mbetur në tentativë, akuzë e cila rëndohet më shumë duke marrë parasysh faktin që arma është ngritur ndaj një efektivi të policisë. Policia vazhdon kërkimet për 34-vjeçarin.