“Rexhina”, pretenca: 46 vjet burg 4 të akuzuarve
TIRANE - Përfshirja në 21 episode të vjedhjes së mjeteve luksoze do u kushtojë 46.5 vjet burg katër të akuzuarve si anëtarë të bandës “Rexhina”, aktiviteti i së cilës ishte vjedhja e mjeteve luksoze. Kjo ishte pretenca që u lexua dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda në ngarkim të katër prej të akuzuarve, ndërsa për dy të tjerët është vendosur veçimi i çështjes, pasi këta hetohen dhe gjykohen në mungesë. Kështu, organi i akuzës kërkoi dje dënimin me 19 vjet burg për 31-vjeçarin Edmond Neza, për të cilin pohoi se ishte përfshirë në 7 episode vjedhjesh të mjeteve luksoze në kryeqytet. Më tej Prokuroria kërkoi dënimin me 18 vjet burg për 28-vjeçarin Gentian Neza, të akuzuar për 6 episode. Për të penduarin e bandës Erlind Taullai, 22 vjeç, Prokuroria kërkoi 4 vjet burg, duke e akuzuar për 6 vjedhje, dhe për Dritan Hamitin, 36 vjeç, të akuzuar për dy episode, Prokuroria kërkoi 5.5 vjet burg. Gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare dhe paraqitjes së masave të dënimit, prokurori i çështjes mori parasysh faktin se ata përfitojnë ulje të një të tretës së dënimit si pasojë e aplikimit të gjykimit të shkurtuar në këtë proces. Ndërsa dosja penale në ngarkim të dy të akuzuarve Bledar Hasani, (Memia) 30 vjeç, dhe Bujar Sefa, 22 vjeç, u nda dhe tashmë do të gjykohet me procedura normale nga një tjetër trup gjykues. Shkak për veçimin e gjykimit u bë mungesa e tyre dhe fshehja nga hetimi. fa.ma.